Kosova

Thaçi e Vuçiç në Këshillin e Sigurimit

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, thanë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se janë të përkushtuar të vazhdojnë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve. Por, ata shfaqën pikëpamje të ndryshme rreth zhvillimeve në Kosovë.

thaci_okb

Komentet e tyre ishin pjesë e debateve rreth raportit të Sekretarit të  përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon për gjendjen në Kosovë në të cilin ai është shprehur i shqetësuar për shkak të bllokadës së zgjatur politike në Kosovë dhe ndikimin e mundshëm negativ në përparimin e arritur deri tash në forcimin e institucioneve demokratike.

Kryeministri Thaçi tha se zvarritja e procesit të ndërtimit të institucioneve asnjëherë nuk u shndërrua në krizë të dhunshme dhe paralajmëroi se java e ardhshme do të shënojë fundin e bllokadës.

Tani, me kënaqësi të veçantë mund të iu konfirmoj se duke respektuar vullnetin e qytetarëve të Kosovës, vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe falë rolit lehtësues të Presidentes së Republikës së Kosovës, dy partitë më të mëdha, partia fituese – Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje së bashku me të gjitha minoritete. dhe ju konfirmoj që javën e ardhshme do të krijohen institucionet e reja të Republikës së Kosovës”, tha zoti Thaci.

Ai tha se me gjithë faktin që vitit 2014 ishte periudhë e zgjedhjeve dialogu me Serbinë nuk u ndërpre. “Në nivelin teknik arritëm shumë suksese në normalizim të marrëdhënieve, edhe pse duhet të jem i sinqertë, ende kemi shumë për të bërë. Serbia ka nënshkruar një marrëveshje me Kosovën, që garanton normalizim të marrëdhënieve, por ka ende shumë rezistencë që kjo marrëveshje të realizohet në tërësi. Unë edhe sot dua të rikonfirmoj se Republika e Kosovës do të zbatojë çdo obligim që kemi marrë për të integruar minoritetin serb”, tha zoti Thaçi, duke i bërë thirrje Serbisë “që të kthejë faqen e re përfundimisht dhe të ketë një sjellje moderne dhe evropiane ndaj Kosovës”.

Ndërsa kryeministri serb Aleksandër Vuçiç tha se Beogradi është i prerë në qëndrimin e tij “për të mos e njohur shkëputjen e dhunshme dhe në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare të Kosovës dhe shpalljen e njëanshme të pavarësisë së saj, por kjo nuk është pengesë për bisedime dhe komunikim më të ngjeshur me Prishtinën”.

Ai tha se Beogradi është i përcaktuar fuqishëm për të vazhduar bisedimet me Prishtinën dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tash. Kjo tha ai është rruga e vetme për të përmbushur synimin kryesor që është paqja në Ballkan, si kusht për zhvillimin e tij.

Edhe pas një shekulli të tërë konfliktesh, luftërash e viktimash, kjo qeveri ka bërë një hap historik kundruall shqiptarëve. Kjo qeveri në vend të konflikteve ka zgjedhur marrëveshjen, ne vend të problemeve – zgjidhjet dhe çka është më e rëndësishmja, në vend të vdekjeve – jetën”.

Ai tha se përkundër faktit që në Prishtinë ende nuk është themeluar qeveria, Beogradi ka punuar në përmbushjen e marrëveshjeve të arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Duke shprehur, siç tha, shqetësimin e tij me gjendjen e rëndë të serbëve në Kosovë, ai nënvizoi domosdoshmërinë e forcimit të rolit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në fushat ku misioni ka ende autoritet.

Ndërkaq zoti Thaçi u tha ambasadorëve të Këshillit të Sigurimit se realiteti i ri në Kosovë kërkon guximin e tyre për hapur një marrëdhënie te re, krejt normale politike ndërmjet Kombeve të Bashkuara dhe Kosovës.

Jam i bindur se falë mirëkuptimit tuaj, një gjë e tillë shumë shpejt do të ndodhë dhe se Kosova do të jetë anëtare e barabartë e familjes së Kombeve të Bashkuara”, tha ai.

Zoti Thaçi tha se lufta globale kundër terrorizmit, por edhe shpërndarja e radikalizmit fetar ka prekur edhe Kosovën njësoj sikur shumicën e shteteve të botës dhe se ka grupe margjinale, sikurse në të gjitha shtetet evropiane, që po rekrutojnë dhe nxisin pjesëmarrjen e qytetarëve të Kosovës në Siri dhe Irak në anën e ISIS-it.

Ky fenomen është shqetësues, por Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm që tendencat e tilla kurrë mos të realizohen. Kemi arrestuar disa dhjetëra luftëtarë të dyshimtë por edhe frymëzues – përfshirë imamë që nxisin urrejtje. Tanimë kemi përgatitur Ligjin kundër pjesëmarrjes së kosovarëve në luftëra të huaja dhe jemi duke punuar aktivisht në promovimin e Kosovës si platformë të dialogut global për tolerancë ndërfetare”.

Ai tha se Kosova beson në drejtësi dhe do të themelojë Gjykatën e posaçme për zbardhjen e së vërtetës mbi dyshimet e ngritura për krime lufte.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button