Home / Arte / Fotografia e ndrojtur e nudos shqiptare

Fotografia e ndrojtur e nudos shqiptare

Studiuesi Qerim Vrioni sjell për herë të parë një nudo të fotografisë shqiptare

pikturaDy ikonat e violinës në shpinën e vajzës franceze, fotografuar nga Man Ray në vitin 1924, vijojnë të shihen ende sot si një ndërthurje mes sensualitetit dhe muzikës. Man Ray, artisti surrealist amerikan, që kaloi pjesën më të madhe të jetës në Paris, do të bënte me këtë foto artin më të bukur për të gjithë ata që dashuronin violinën, duke e kthyer këtë vegël muzikore në trupin e një gruaje. Gjithë pasioni i tij për fotografinë mori jetë një ditë, teksa fotografonte modelet nudo në studion e tij. (Ray ishte piktor). Ray e kuptoi se fotografia i jepte një hapësirë tjetër shprehjeje duke luajtur me figurën. Ai e ktheu gruan në një histori më shumë sesa një krijesë individuale. Kjo foto e Ray-n ndodhet shumë pranë një fotografie të Pikasos, teksa Gjon Mili eksperimentonte lojën e dritave në studion e piktorit më 1949-n. Pak më tej, Igor Stravinki, me kokën mbështetur në duar, vjen në një foto të Newman, më 1946-n, ndërsa “Rënia e ushtarit”, një fotografi nga R. Capa më 1936-n, vjen si një pikëtakim i fotos me realitetin tjetër përtej artit. Fotografia ka qenë gjithnjë forma më e përkryer ku kemi parë të shkuarën dhe shohim të tashmen. Çdo vend ka një histori të fotografisë, të lindjes dhe zhvillimit të saj, si një pjesë e rëndësishme e identitetit. Nga mjeti fotografik i Roger Fenton në Krimenë e vitit 1855, tek aparati 600 kg në Çikagon e vitit 1900 për të fotografuar trenin, tek aparati me të cilin u realizua negativi i parë, shumë gjëra kanë ndryshuar. Por kthimi në fillim të këtij rrugëtimi të kësaj forme që do të ndryshonte shijen estetike dhe do ta bënte më të bukur botën, është gjithnjë interesant. Historia e fotografisë sonë na çon gjithnjë në rrugicat e Shkodrës, aty ku Marubët ngritën në heshtje një histori të fotografisë shqiptare. Aparatet e tyre të vjetër kanë mbetur në foto si një shenjë e historisë. Qerim Vrioni gjithnjë është marrë me fotografinë. Që kur ndjeu joshjen e parë nga ky art, ai ka vijuar ta ndjekë jo vetëm përmes fotografimit, por dhe duke dokumentuar çdo lëvizje në këtë gjini artistike. Ka shkruar me dhjetëra analiza e studime mbi fotografinë shqiptare dhe atë të huaj. Në vitin 2005, ai botoi librin studimor “Fotografia një grusht diell”, që është i pari për fotografinë në historinë e kulturës shqiptare. Më 2009-n, ai botoi librin “150 vjet fotografi shqiptare”, duke shënjuar kështu një pjesë të rrugëtimit të artit të fotografisë në vend. Teksa përgatitej për këtë botim, ai nisi të mendojë mbi nevojën për të pasur një fjalor të fotografisë, me terma, rryma e drejtime artistike të nevojshme për çdo njeri që merret me fotografinë, por dhe një botim që do t’i duhet shkollës shqiptare. Ka vetëm pak kohë që ai e ka nxjerrë në treg një fjalor të tillë, i pari i këtij lloji në gjuhën shqipe. “Puna për përgatitjen e këtij fjalori ka nisur qysh kur do të botoja librin ’150 vjet fotografi shqiptare’, në fund të të cilit do të përfshija një fjalorth me terma të fotografisë, siç ndodhi në të vërtetë. Dyzimet se cilat fjalë do të përmbante fjalorthi, nxitën mendimin, për të shkuar tek ideja e një botimi të veçantë dhe të zgjeruar. Mungesa e një fjalori të fotografisë në gjuhën shqipe, e përforcoi shtysën për t’u marrë me të”, thotë Vrioni. Sipas tij, synimi ishte përpilimi i një fjalori leksioni, ku të përfshihen jo vetëm terma e gjini, rryma e drejtime artistike, procese e aparate fotografike, por vazhdimisht të shpalosej edhe lidhja e tyre me fotografinë shqiptare. Gjatë përgatitjes së fjalorit janë përdorur botime të ndryshme të këtij lëmi nga vende të tjera, si dhe nga historia, letërsia e veçanërisht nga shtypi shqiptar ndër vite. Një pjesë e termave, me origjinë nga gjuhë të tjera, iu është gjetur ekuivalenti në gjuhën shqipe, duke shënuar edhe origjinën e tyre. Të tjera që kanë marrë përdorim të gjerë ndërkombëtar janë vendosur në fjalor, duke përmendur dhe gjuhën nga rrjedhin dhe përkthimin në shqip. “Në fjalor përfshihen edhe teknologji e pajisje të reja të fotografisë, dixhitale, disa prej të cilave, në sajë të zhvillimeve të vrullshme teknologjike të programeve kompjuterike dhe internetit, më vonë do të kenë vetëm vlera historike dhe jo përdorimi”, thotë Vrioni. Sipas tij, në fund fjalori ka dy shtojca, “Kronologji” dhe “Fotografët e librit”. E para paraqet ato që mund të quhen ngjarje, (shpikje, ekspozita, albume, fotot ikonë etj.), gjatë rrugëtimit në histori të fotografisë, ndërsa pjesa “Fotografët” përbëhet nga lista me emrat e të dhëna fare të shkurtra të fotografëve që përmenden në libër. “Shpesh, në punë e sipër, kujtoja fjalët e gjuhëtarit anglez të shekullit XVIII, Samuel Johnson, “fjalorët janë si orët, më i keqi është më i mirë se asgjëja dhe nga më i miri mos prit kurrë të jetë krejt i përpiktë”, që më nxitën vazhdimisht në këtë sipërmarrje”, thotë Vrioni. Për të sjellë gjithë metodologjinë në këtë fushë, ai ka punuar në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, Bibliotekën e Galerisë së Arteve, Arkivi Qendror i Shtetit, Biblioteka “Kent District Library”, Grand Rapids, Michigan, si dhe librari të tjera në SHBA.

Ekspozimi i fotografisë në Shqipëri 

Si ekspozitë e parë fotografike në Shqipëri, deri tani, konsiderohet ajo vetjake e Gegë Marubit e hapur në Tiranë, më 10 dhjetor 1937 me fotografi autochrome. Një përfaqësim disi të zbehtë fotografia shqiptare ka pasur në ekspozitat e mëdha në jubilarë politikë (1945-1991) të arteve pamore. Ekspozimi i parë kombëtar i fotografisë shqiptare për publikun konsiderohet ajo e vitit 1974, e organizuar nga ish-Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Në disa qytete të ndryshme, disa fotografë kanë hapur ekspozita vetjake, përgjithësisht tematike. Prej vitit 1998 deri më 2006-n, për tetë vite rresht, është organizuar në Galerinë e Arteve ekspozita konkurs “Marubi”. Një ekspozitë konkurs i përvitshëm i fotografisë me emrin “Fokus” zhvillohet në Fier. Në Prishtinë organizohet konkursi “Gjon Milli”. Fotografë të ndryshëm herë pas here hapin ekspozita vetjake fotografike …

Atelie

Puna kryesore në atelie ka qenë portreti i njeriut. Në botë, si studio e parë fotografike mbahet ajo e hapur në Londër më 1844-n nga Richard Beard. Ndërsa në Shqipëri, studioja e parë fotografike është ajo e Pjetër Marubit në Shkodër, aty nga mesi i shekullit XIX, 1856. Rreth viteve të fundit të 1800-s, Kol Idromeno, po në Shkodër, e quajti studion e tij fotografike “Dritëshkronjë”. Në vitin 1936, fotografi Jani Ristani çeli në Tiranë një studio që e quajti “Shtëpi për arte fotografike”, çka tregon kërkesat për punime sa më cilësore dhe horizontin e tij të gjerë kulturor.

Nudo

Qysh në vitet e para të jetës së saj, fotografia ashtu si më herët piktura dhe skulptura, trajtoi trupin e zhveshur të njeriut. Nudot e para fotografike datojnë në vitet 1840-1850, ndonëse në atë kohë, në Francë dhe Angli, vendet ku ka lindur fotografia, këto ndaloheshin me ligje të rrepta. Më vonë egërsia ndaj nudos u zbut dhe si pasojë e trajtimit artistik të saj, por ndërkohë lindi nudoja erotike. Nudoja në fotografi ka nisur rrugëtimin e saj publik në vitet ’20, por publikimi në revistën amerikane “Playboy” i “Nudos” historike të bukuroshes amerikane Merlin Monro më 1953-n, i dha hov lëvrimit të saj. Nga mesi i shekullit të kaluar, si lëvrues i nudos fotografike dallohet gjermani Helmut Newton. Në Shqipëri, nudoja fotografike ka nisur lëvrimin e saj disi të ndrojtur prej fundit të shekullit XIX, nga Marubët, gjithsesi pa ekspozime publike, por vetëm për një rreth mjaft të ngushtë njerëzish. Gjysmënudoja më e hershme i takon Pjetër Marubit dhe daton në vitin 1878, ku paraqitet një femër me veshje popullore dhe me gjoksin e hapur. Nudoja ka vite që lëvrohet tashmë nga mjaft fotografë. Ekspozita e parë e saj është hapur në vitin 2008, nga fotografi Feliks Bilani.

Leave a Reply

Your email address will not be published.