Ekonomia

Tregu oligopol i naftës zbret çmimin me vetëm 3 lekë/litër

Nga qershori, çmimet në bursë kanë rënë 35%, në Shqipëri 3% 

Nga Zamir Alushi 

karburant naftaTregtarët e naftës ulin me 3 lekë çmimet para Vitit të Ri. Në krahasim me fundin e gjashtëmujorit të parë, ndryshimi i çmimit është rreth 3-4%. Ulja që bëhet para Vitit të Ri, nuk ka lidhje me bursën, por me fluksin e emigrantëve që vijnë me mjete dhe rrisin konsumin e karburanteve. Gjithashtu, pas një muaji, 1 janar 2015, hyn në fuqi rritja e taksës së qarkullimit. Tregtarët do të mundohen të mos e reflektojnë këtë rritje në çmim, të paktën do të ruajnë nivelin e këtij viti, (pas paralajmërimeve të qeverisë se “çmimi nuk do të ndryshojë”). Ashtu si në të kaluarën, tregu i karburanteve që kontrollohet nga pak duar, nuk pasqyron luhatjet në bursë, por reagon vetëm ndaj taksave, duke ruajtur kuotat e fitimeve. Dje, në pikat e pakicës nafta arriti në rreth 171 lekë për litër, ndërsa në disa stacione karburanti, çmimet u ulën deri në 168 lekë për litër. Që prej muajit qershor të këtij viti, kur një fuçi naftë kushtonte 105 dollarë dhe deri tani, që çmimi i saj në bursa ka shkuar 69$, ulja është me 35%. Në qershor çmimi në tabelën e karburanteve për naftën shënonte vlerën 185 lekë, ndërsa sot ai është 171 lekë/litër.

Taksa e qarkullimit

Deri në fund të vitit, kjo taksë vazhdon 17 lekë për çdo litër karburant, ndërsa pritet që në janar 2015 të bëhet 27 lekë për çdo litër karburant, pa përfshirë këtu Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), e cila e rrit këtë vlerë me 5.4 lekë të tjera. Rritja e taksës së qarkullimit pritet të sjellë automatikisht një kosto te tregtarët e karburantit me të paktën 120 lekë për litër, duke sjellë një efekt pozitiv për zërin “Taksa kombëtare” dhe efekt negativ për konsumatorin shqiptar. Taksa e qarkullimit në vitin 2012, u rrit në 5 lekë për litër, ndërsa në korrik të vitit të kaluar, qeveria, e cila po linte mandatin, e rriti me 2 lekë të tjera, duke e çuar në 7 lekë për litër. Në fund të vitit të kaluar, qeveria vendosi që kjo taksë të rritet me 10 lekë për litër (17 lekë gjithsej). Ministria e Financave, në relacionin e saj për Kuvendin dhe në shpjegimet për paketën fiskale 2015, ka shpjeguar se kjo rritje e taksës së qarkullimit nuk do të reflektohet në çmim për konsumatorin. Kjo është argumentuar duke marrë si shembull vitin e kaluar, ku nuk ka pasur rritje të madhe të çmimit dhe me situatën botërore të tregut të naftës, e cila parashikohet të sjellë vlera të ulëta për karburantet. E thënë me fjalë të tjera, rënia e çmimit të karburanteve në tregun ndërkombëtar nuk do t’i shkojë konsumatorit, por qeverisë, e cila e mbledh me taksën e naftës.

Hetimi i kompanive

Në muajin maj 2014, Autoriteti i Konkurrencës shqyrtoi “Raportin e hetimit paraprak në tregun e importit, prodhimit dhe shitjes me shumicë të karburanteve” dhe relacionin e sekretarit të përgjithshëm të Autoritetit të Konkurrencës, nga ku doli në konkluzion se 8 kompani importuese dhe prodhuese dyshohen të kenë shkelur ligjin për mbrojtjen e konkurrencës nëpërmjet caktimit, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të çmimeve të shitjes. Në këto kushte vendosi të hapë hetim të thelluar për aktivitetin e këtyre kompanive. Sipas Autoritetit të Konkurrencës, struktura e tregut të karburanteve në Shqipëri është e formës oligopolistike, ku një numër i vogël ndërmarrjesh rezultojnë që importojnë dhe tregtojnë karburant në territorin shqiptar. Ndërmarrjet nuk reflektojnë çmimet e blerjes në bursa në rastin kur këto të fundit pësojnë rënie të ndjeshme duke i transferuar fitimet në llogaritë e tyre, kur në kushte konkurrenciale, këto ulje çmimi duhet të transferoheshin në përfitime të konsumatorëve. Sa i përket nivelit (benchmark-ut) rajonal të çmimit, sipas të dhënave të publikuara nga Banka Botërore rezulton se, për sa i përket çmimit, Shqipëria gjatë vitit 2012 ka një çmim mesatar të shitjes më të lartë se Bullgaria, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Rumania, Sllovenia dhe Bosnjë & Hercegovina.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button