Politika

Kodi i sjelljes së deputetëve

Kodi i Sjelljes së deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë është një dokument me 15 nene, i propozuar nga një grup ligjvënësish, që synon të ndihmojë deputetët gjatë ushtrimit të detyrës.
kuvendi-ne-seance-plenare-2-525x3503Kodi, i depozituar në parlament në trajtën e një projekti, përcakton një sërë rregullash lidhur me standardet e duhura të sjelljes gjatë ushtrimit të veprimtarisë së deputetëve, si dhe të sigurojë transparencën dhe përgjegjësinë e nevojshme për të forcuar besimin e publikut.
Fusha e veprimit të këtij Kodi zbatohet për deputetët në të gjitha aspektet e jetës së tyre publike, ndërsa nuk rregullon aspektet e jetës private.
Një nen i posaçëm përcakton parimet që lidhen me etikën e deputetit gjatë ushtrimit të mandatit, si: të jetë besnik ndaj atdheut dhe popullit; të zbatojë me rigorozitet Kushtetutën, ligjin, Rregulloren e Kuvendit, si dhe të veprojë në çdo rast në përputhje me besimin që i ka dhënë populli.
Po ashtu, anëtari i parlamentit duhet të udhëhiqet nga parimet e ndershmërisë, objektivitetit, transparencës dhe përgjegjshmërisë me qëllim rritjen e besimit të publikut në veprimtarinë e Kuvendit; të mos veprojë arbitrarisht në dëm të një personi ose organizate dhe të tregojë respektin e duhur për të drejtat dhe interesat personale të të tretëve; të mos lejojë që interesat e tij private të bien ndesh me pozitën e tij publike, të shmangë konfliktin e interesit dhe të mos shfrytëzojë pozitën për interesin e tij privat; të ruajë konfidencialitetin e informacionit, që ka në zotërim, pa cënuar zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga legjislacioni në fuqi, etj.
Një kapitull me rëndësi i Kodit të Sjelljes është çështja e konfliktit të interesit dhe e deklarimit të pasurive. Drafti parashikon rregullat dhe procedurat për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e mandatit të deputetit, sipas legjislacionit përkatës për parandalimin e konfliktit të interesave.
Ndërsa sa i takon rregullave për deklarimin dhe kontrollin e pasurisë, të legjitimitetit të burimeve të krijimit të saj, detyrimeve financiare për deputetët, për familjarët e tyre dhe për personat e lidhur me ta përcaktohen në legjislacionin përkatës të përcaktuar nga ILDKPKI.
Deputetët dorëzojnë deklaratën e plotësuar të pasurisë dhe detyrimeve financiare pranë Shërbimit të Burimeve Njerëzore dhe Trajtimit të Deputetëve, që është struktura përgjegjëse në shërbim të deputetëve për deklarimin e pasurisë dhe detyrimeve financiare.
Deputeti kërkon këshillim për plotësimin e deklaratës nga Shërbimi i Burimeve njerëzore dhe trajtimit të deputetëve.
Kodi përcakton se gjatë ushtrimit të mandatit, deputetit nuk i lejohet të jetë drejtues ose anëtar i organeve drejtuese të organizatave fitimprurëse; të ushtrojë veprimtari private, që krijon të ardhura në formën e personit fizik tregtar, ortakëri personash fizikë tregtarë të çdo forme, profesione të lira të avokatisë, të noterisë, ekspertit të licencuar, si dhe të konsulentit, agjentit a përfaqësuesit të organizatave të përcaktuara në shkronjën “a” të këtij neni dhe nuk mund të jetë i punësuar, me kohë të plotë, në një detyrë tjetër;
Neni 7 i Kodit përcakton se deputeti nuk mund të kërkojë ose të marrë në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë, dhurata, favore, premtime ose trajtime preferenciale, të cilat i jepen për shkak të pozicionit të tij, nga një individ, person fizik ose juridik privat.
Gjithashtu, deputetit të cilit i janë ofruar dhurata, favore, premtime ose trajtime preferenciale, duhet t’i trefuzojë ato dhe në rast se ofrimi është kryer pa dijeninë e tij ose paraprakisht, t’ia kthejë mbrapsht ofruesit ose t’i dorëzojë zyrtarisht pranë Shërbimit të Financës dhe Buxhetit, të cilat më pas përdoren për qëllime të veprimtarisë së institucionit. Në rast se ofrimi ose dhënia e të mirave të sipërpërmendura lidhen me kryerjen e një vepre penale, ta kallëzojë atë tek organet kompetente për ndjekje penale.
Dhuratat, që kanë vlera artistike, muzeale apo historike, u dorëzohen institucioneve të specializuara.
Nuk konsiderohen si dhurata, në kuptim të këtij neni, dhuratat, të cilat i ofrohen deputetit si pasojë e lidhjeve farefisnore apo njohjeve personale që ai ka me dhuruesit, si edhe në raste kur është e qartë se dhurata nuk ka asnjë lidhje me pozicionin dhe cilësinë si deputet.
Deputeti mund të pranojë dhurata nga qeveritë e huaja apo organizatat ndërkombëtare, brenda kufijve normalë të shprehjes së mikpritjes dhe trajtimit që buron prej saj, apo protokollit, nëse nuk: tejkalohen kufijtë e traditës dhe të zakoneve të vendit ku jepen; nuk vënë në dyshim objektivitetin dhe ndershmërinë e deputetit ose nuk kompromentojnë imazhin dhe integritetin e Republikës së Shqipërisë.
Një nen i posaçëm në Kod flet për veprimtarinë jashtëparlamentare të deputetit. Ky i fundit mund të ushtrojë veprimtari të tjera të ligjshme jashtëparlamentare, nëqoftëse një gjë e tillë nuk paraqet konflikt interesash me detyrën e tij zyrtare dhe nuk vjen në kundërshtim me kufizimet e nenit 6 të këtij Kodi.
Një kapitull me interes në Kod është ai që lidhet me rregullat e sjelljes së deputetëve në Kuvend. Kështu, deputeti nuk duhet të shprehet me fjalë të pahijshme dhe ofenduese në Kuvend; nuk duhet të pengojë ose të cënojë rregullin e zhvillimit të punimeve të Kuvendit; nuk duhet të kërcënojë apo fyejë deputetët e tjerë, anëtarët e Këshillit të Ministrave dhe personalitetet e tjera të larta shtetërore; nuk duhet të ndërmarrë veprime apo sulme personale ndaj ndonjë deputeti tjetër apo të bëjë thirrje për përdorim dhune në Kuvend.
Sa i takon rregullave të tjera Kodi përcakton se gjatë zhvillimit të punimeve të Kuvendit në komisione dhe seancë plenare deputeti duhet të paraqitet me veshje zyrtare. Gjithashtu, gjatë zhvillimit të seancave plenare dhe mbledhjeve të organeve të Kuvendit, si rregull, deputeti nuk duhet të përdorë telefoninë e lëvizshme.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button