Home / Kryeartikull / Parlamenti lindi binjakë

Parlamenti lindi binjakë

FADIL LEPAJA

Fadil LepajaGëzuar o popull! Në vigjilje të festave të fundvitit na gëzoi Zoti me binjakë. Pas një shtatzënie të mundimshme, Parlamenti lindi binjakë! Dy qeveri. Dy kryeministra. Mos t’ju mashtrojë ajo parashtesa “zëvendës”, përpara titullit të kryeministrit të dytë! Ai edhe në parti bashkëjeton me një zëvendës dhe të gjithë pyeten se kush është shefi e kush zëvendësi. Por, kujt i bën?! “Bashkë është e mundur” ishte slogani i dikujt në fushatë. E çfarë rëndësie ka se i kujt ishte. Tash është i tyre. E kapën!

Kështu, kujtuam se Parlamenti nën drejtimin e Florës, nuk do të mbijetojë këtë lindje. Kujtuam se foshnjë nuk do të ketë, por doli të jetë ndryshe. Kujtuam se mbetëm pa qeveri, kur… u bëmë me dy.

Komunikatat thonë se lindja u bë me prerje cezariane, sepse mjekët ndërkombëtarë kishin shqetësime serioze se kjo lindje mund të përfundonte keq. Ata deklaruan se ishin në rrezik edhe prindërit dhe fëmijët. Edhe Parlamenti edhe qeveritë.

Kështu, legjenda e jonë e moçme për Kalanë e Rozafatit u amandamentue. Gati sa nuk njihet. Nusja që viktimizohej mbeti e njëjta, pra ajo që ishte besnike dhe e dëgjueshme ndaj ndërkombëtarëve. U korrigjua vetëm ajo pjesa ku flitet për dëshirat e fundit të nënës. Pra, kësaj radhe nëna kishte lindur binjakë dhe për dëshirën e fundit të saj, përpara se të murosej kërkoi që të ia lënë jashtë jo vetëm njërin gji, sikur në versionin e parë të legjendës, por të dy gjinjtë. Kjo sepse ishte e nevojshme të ketë qumësht për të dy binjakët e saj. Të dy duart i duheshin për të përkundur të dy djepat. Dikush, jo pa sarkazëm kishte komentuar se mjaftonte një dorë, ndërkohë që mund t’i linin jashtë edhe njërën kofshë, përkatësisht një këmbë. Si e dini, ndër ne djepi përkundet tradicionalisht me këmbë.

Por, ndërkombëtarët nuk duan padrejtësi. Kofsha edhe mund të pranohej, si shtojcë, se fundja kush nuk i do kofshët qoftë edhe në legjendë. Një kofshë e zbuluar, kjo po që do të ishte sexy, por në këtë legjendë theksi bie te përkundja. Populli duhet vënë në gjumë! Kështu populli po përkundet me komunikata, e sa për binjakët mbet versioni i moçëm. Ai i përkundjes me dorë. Pra, kësaj radhe, pas negociatave gati gjashtëmuajshe u lejua të shtohej edhe një dorë në legjendë. Dora e lan dorën… dhe bashkë e përkundin popullin.

Pra, dy qeveri, dy kryeministra dhe dikur do të pyesë dikush: e çfarë po bën Hashimi edhe në këtë legjendë? Qysh arritën ndërkombëtarët me e futë prapë aty? Ndërkombëtarët do të përgjigjen: E çka po ju bën ai? A nuk po e shihni sa pafajshëm po han përshesh? Pra… mos u merrni me cikërrima! Binjakët do të bëjnë historinë. E bënë tashmë me vetë (ri)lindjen e tyre. Ne jetojmë në histori, o njerëz!

Binjakët tashmë po qajnë dhe populli duhet me i përkundë. Sidomos mediat duhet me u këndue ninulla! “Nina nëna po ju përkundi, ju m’u bëfshi mësues katundi”! Kaq ishte maksimumi i dëshirave dikur. Mësues! Me gazetën në xhepin e jashtëm të setrës dhe me kollare. Gjysma e politikanit është kollarja. Ashtu si thënia e famshme për ushtarin: rripi është gjysma e ushtarit. Por, ky është modeli i politikanit tonë mësues. Prandaj për Ministrinë e Arsimit thuhet të jetë zhvilluar luftë e madhe. Kush ka mësuesit botën ka, do të parafrazohej kënga e njohur. Pra, kush ka mësuesit e ka politikën. Por, kujt i bën në këtë vigjilje festash?!

Hajde more gëzuar! Mos u merrni me ideologjinë, edhe pse ndoshta ishte dashur! Në fakt, kjo ishte pjesa më delikate. Rishkruarja e idesë. Prej idesë se këta dy nuk duhej të linden fare, por duhej të abortohen, duhej bërë e pëlqyer ideja për binjakët. Kjo sa për të neutralizuar efektin traumatizues të deklaratave nga e kaluara, ku njëri nga binjakët, i lindur i pari, pat thënë: kurrë bashkë me “atë”! As në (ri)lindje!

E kur politikani thotë “kurrë” kjo do të thotë: “ndoshta”!

Por të kthehemi te deklarata fillestare. Përse ishte e domosdoshme prerja cezariane. A nuk e kuptuat? Duhej t’i nxirrnin bashkë. Përpara kamerave. E ata nuk donin. Sidomos i madhi. E çfarë rreziku mund të ketë pasur? Rrezik nuk kishte, por duhej mistifikue. Thjesht për me prodhue thashetheme. Thashethemet janë mekanizmi mbrojtës i këtij populli. Knaqnu njerëz! Ishalla rriten e bëhen të hajrit, kryeministrat!

E kryeredaktorja e njërës nga gazetat kryesore në vend, me gjithë gëzimin gjithëpopullor, në profilin e sajë në Facebook, kishte ironizuar për (krye)ministrin e ri të jashtëm. Pra, ajo ironizonte se Thaçi u zgjodh ministër i Jashtëm edhe pse nuk i di as dy fjalë anglisht. Këtë e shihte si një handikap të madh për ministrin e ri. Përndryshe ai, pjesën më të madhe të kohës si kryeministër, në mandatin e tij të parë e të dytë, edhe ashtu e ka kaluar jashtë shtetit. Kryesisht në Bruksel.

Desha të përmbahesha e të mos flas, por shqipja mundet me ndejt pa bukë, por jo pa folë, sidomos pa komentuar në Facebook. E keni parë? Shkruan dikush statusin e ri se ka shkuar në tualet, e tjetri i komenton: mirë ja paske ba! Sa për përkrahje morale.

Por, kësaj radhe postimi kishte të bëjë me qeverinë, pra ishte serioze. Edhe komenti im ishte, proqeveritar. Në fakt, ministri i Jashtëm, komentova unë, i di dy fjalë anglisht dhe ato janë:  “Welcome” edhe “Yes”! Nuk i duhen më shumë! Të tjerat i di Brukseli. Edhe “Olimpi”.

Pra, kaq duhet për një ministër të Jashtëm, të një vendi të vogël dhe… sovran. Pastaj, çfarë nëse nuk di anglisht? Nuk di as shqip, komentuan disa të tjerë. Ani çka?

Si e dini edhe ju, misioni i gjarprit është me ngjallë frikë dhe … respekt! E keni dëgjuar se si e përsëriste duke u kthyer në të gjitha anët e globit: Respekt, respekt, respekt! Se respekti dhe frika e mbajnë strukturën. Edhe me rrëshqitë nëpër politikë pa iu pa këmbët, është pjesë e misionit dhe… zanatit.

Ndërkaq po mendoja se nuk i kanë mbetur më lëkura për të ndërruar. Isha gabim! Pasi u bë rugovist, (krye)ministri i jashtëm e shau, përmes sharësve profesionistë, Isain, shefin e vet të ri. I tha se ka qenë ministër i Rrahman Morinës. Rrahman Morina ishte ai Kryeministri kuisling i njohur për thënien e famshme: “Këtu është përzie një dreq i madh”. Jo more, në këtë përrallë, neve nuk na duhet dreq tjetër. Vetja na mjafton!

Gëzuar o popull: Parlamenti ka bërë binjakë! “Nina, nëna…”!

Leave a Reply

%d bloggers like this: