Home / Arte / Libri / Fjalimi i plotë për pranimin e çmimit Nobel nga Patrick Modiano

Fjalimi i plotë për pranimin e çmimit Nobel nga Patrick Modiano

Nga Patrick Modiano

Një romancier nuk mund të jetë kurrë lexues i vetes

Patrick ModianoDua vetëm t’ju them sa i lumtur ndihem këtu mes jush dhe sa i mallëngjyer nga nderi që më keni bërë duke më dhënë çmimin “Nobel” për letërsinë. Është hera e parë që duhet të mbaj një fjalim para kaq shumë njerëzve dhe ndiej njëfarë frike. Mund të mendohet se një ushtrim i tillë është diçka e natyrshme dhe e lehtë për një shkrimtar. Por një shkrimtar – ose të paktën një romancier – ka shpesh marrëdhënie të vështira me fjalën. Dhe nëse kujtojmë ndarjen që bëhet në shkollë midis “me shkrim” dhe “me gojë”, një romancier ka më tepër dhunti me shkrim se me gojë. Ai e ka për zakon të heshtë nëse dëshiron të përshkohet nga një atmosferë, ai duhet të shkrihet me turmën. Dëgjon bisedat pa rënë në sy, dhe nëse ndërhyn në këto të fundit, kjo ndodh për të bërë disa pyetje të matura me qëllim për të kuptuar më mirë burrat dhe gratë që e rrethojnë. Fjala e tij është ngurruese, për shkak të zakonit të tij për të korrigjuar shkrimet. Sigurisht, pas shumë korrigjimesh, stili i tij duket i pastër. Por kur merr fjalën, ai nuk ka më mundësi të korrigjojë ngurrimet e tij. Përveç kësaj, unë i përkas një brezi ku fëmijët nuk lejoheshin të flisnin, me përjashtim të disa rasteve të rralla dhe me kusht që të kërkonin leje. Por askush nuk ua vinte veshin dhe shumë shpesh u ndërpritej fjala. Ja përse disa prej nesh kanë vështirësi në të shprehur, herë ngurrojnë, herë flasin shumë shpejt, a thua se kanë frikë mos i ndërpresin. Sigurisht, prej këtej vjen dëshira për të shkruar, që edhe mua, si shumë të tjerë, më ka kapluar në të dalë të fëmijërisë. Ju shpresoni që të rriturit t’ju lexojnë. Kështu, ata do të jenë të detyruar t’ju dëgjojnë pa ju ndërprerë dhe do të marrin vesh një herë e mirë gjithçka mbani brenda. Lajmi për këtë çmim m’u duk irreal dhe kisha nevojë të ngutshme të kuptoja përse më keni zgjedhur. Atë ditë, kurrë më parë nuk kisha kuptuar aq qartë se sa i verbër është një romancier karshi librave të tij dhe se lexuesit e tij dinë shumë më tepër se ai rreth asaj që ka shkruar. Një romancier nuk mund të jetë kurrë lexues i vetes, vetëm në rastet kur korrigjon në dorëshkrim gabimet e sintaksës, përsëritjet apo kur heq një paragraf të tepërt. Ai ka një përfytyrim konfuz dhe të paplotë të librave të tij, ashtu si një piktor që pikturon një afresk në tavan, i shtrirë mbi skelë, punon detajet nga fare afër, pa pasur një ide të së tërës. Punë e çuditshme dhe vetmitare kjo e të shkruarit. Ju përjetoni momente shkurajimi kur shkruani faqet e para të një romani. Çdo ditë keni përshtypjen se jeni në rrugë të gabuar. Dhe në këtë moment është i madh tundimi për t’u kthyer mbrapsht dhe për të marrë një rrugë tjetër. Nuk duhet rënë pre e këtij tundimi, por duhet vazhduar rruga. Është pak si të jesh në timonin e një makine, në dimër, në një rrugë me akull, ku nuk duket asgjë. Ju nuk keni zgjidhje tjetër, nuk mund të ktheheni pas, duhet të vazhdoni t’i jepni para duke menduar se rruga do të përmirësohet dhe mjegulla do të shpërndahet. Afër fundit të një libri, ju duket sikur ai fillon të shkëputet nga ju dhe po merr tashmë frymë i lirë, ashtu si fëmijët në shkollë, ditën e fundit para pushimeve verore. Të shpërqendruar dhe të zhurmshëm nuk e dëgjojnë më mësuesin. Madje do të thosha që në momentin kur po shkruani paragrafët e fundit, libri iu shfaq njëfarë armiqësie, aq ngutet për t’u liruar nga ju. Dhe ja, me të shkruar fjalën e fundit, ai largohet. Mori fund, ai nuk ka më nevojë për ju, ju ka harruar tashmë. Tani e tutje janë lexuesit që do ta bëjnë të jetojë. Në këtë moment, ju ndieni një zbrazëti të madhe dhe ndjesinë se ju kanë braktisur. Dhe gjithashtu pakënaqësi për këtë lidhje mes librit dhe jush, që u këput shumë shpejt. Pakënaqësia dhe ndjesia se diçka ka mbetur pa u bërë, ju shtyjnë të shkruani librin tjetër, për të rivendosur ekuilibrin, pa e arritur kurrë atë. Sa më shumë kalojnë vitet, librat ndjekin njëri-tjetrin dhe lexuesit këtë do “ta quajnë vepër”. Por ju vetë keni ndjesinë se ishte vetëm një ikje e gjatë nga diçka. Po, lexuesi di më tepër rreth një libri se vetë autori. Mes romanit dhe lexuesit të tij, ndodh diçka e ngjashme me procesin e larjes së fotografive, ashtu si kryhej para erës digjitale. Në momentin e larjes në dhomën e errët, fotografia qartësohej pak nga pak. Gjatë leximit të një romani, zhvillohet i njëjti proces kimik. Por që të ekzistojë një marrëdhënie e tillë mes autorit dhe lexuesit të tij, duhet që romancieri të mos e sforcojë kurrë lexuesin – në kuptimin që thuhet për një këngëtar kur sforcon zërin e tij – por ta tërheqë pa u ndier dhe t’i lërë kohën e mjaftueshme që libri ta depërtojë pak nga pak, dhe kjo nëpërmjet një arti që ngjan me akupunkturën, ku mjafton të shpohen me gjilpërë disa vende të caktuara dhe rryma shpërhapet në sistemin nervor. Kjo marrëdhënie intime dhe plotësuese mes romancierit dhe lexuesit të tij, besoj se ekziston edhe në botën muzikore. Unë gjithmonë kam menduar se të shkruarit është afër me muzikën, por shumë më pak i pastër se ajo, dhe gjithmonë i kam pasur zili muzikantët, të cilët më dukeshin se merreshin me një art të epërm ndaj romanit – dhe poetët që janë më afër muzikantëve se romancierët. Kam shkruar poezi në fëmijërinë time dhe, me shumë gjasë, falë kësaj kam kuptuar këtë thënie të lexuar diku: “Prozatorët e mirë dalin nga poetët e këqij”. Dhe në lidhje me muzikën, një romancier duhet të tërheqë pas vetes të gjithë njerëzit, peizazhet, rrugët që ka vërejtur në një partiturë muzikore ku ndodhen të njëjtat fragmente melodike nga një libër në tjetrin, por kjo partiturë muzikore atij do t’i duket e papërkryer. Një romancieri i mbetet gjithmonë peng që nuk është bërë muzikant “puro” dhe nuk ka kompozuar Nokturnet e Shopenit. Mungesa e kthjelltësisë dhe e vështrimit kritik të një romancieri ndaj veprës së tij lidhet edhe me një dukuri tjetër që e kam vënë re në rastin tim dhe në shumë të tjerë: çdo libër i ri, gjatë kohës kur shkruhet, e fshin të mëparshmin, aq sa më krijohet përshtypja se e kam harruar. Unë kujtoja se i kisha shkruar njëri pas tjetrit të shkëputur, shoqëruar me harresa të njëpasnjëshme, por shpesh të njëjtat fytyra, të njëjtët emra, të njëjtët vende, të njëjtat fjali venë e vijnë, si motive të një tapicerie që kemi endur në gjendje gjysmë fjetje. Gjendje gjysmë fjetje apo një ëndërr me sy hapur. Një romancier është shpesh somnambul, aq shumë është i pushtuar nga ajo që do të shkruajë, e trembemi se mos e shtypin makinat kur kalon rrugën. Por harrojmë saktësinë e jashtëzakonshme të somnambulëve, ata ecin mbi çati pa u rrëzuar kurrë. Në deklaratën që shoqëroi dhënien e çmimit “Nobel”, mbajta mend këtë fjali që ishte aludim për luftën e fundit botërore: “Ai ka shpalosur botën e Okupacioni”. Unë, si gjithë ata dhe ato që lindën në vitin 1945, jam një fëmijë i luftës dhe, më saktësisht, meqë kam lindur në Paris, një fëmijë që ia detyron lindjen e tij Parisit gjatë Okupacionit. Ata që kanë jetuar në Paris në atë kohë, kanë dashur ta harrojnë, ose, le të themi, kanë dashur të mbajnë mend vetëm vogëlsira të jetës së përditshme, nga ato që krijonin iluzionin se ishte një jetë e zakonshme, jo fort e ndryshme nga ajo që kishin pasur në kohë normale. Kur më vonë, fëmijët e tyre i pyesnin rreth asaj kohe dhe rreth atij Parisi, përgjigjet e tyre ishin evazive. Ose ata heshtnin, sikur të donin të fshinin nga kujtesa ato vite të errëta dhe sikur na mbanin një të fshehtë. Por të ndodhur përballë heshtjes së prindërve tanë, ne morëm me mend gjithçka kishte ndodhur, njëlloj sikur ta kishim jetuar vetë. Qytet i çuditshëm, Parisi gjatë Pushtimit. Në dukje, jeta vazhdonte “si më parë”: teatrot, kinematë, sallat e koncerteve ishin hapur. Dëgjoheshin këngë në radio. Madje në kinema dhe teatër kishte më tepër njerëz se para luftës, a thua se këto vende ishin strehime kur njerëzit mblidheshin dhe shtrëngoheshin njëri pas tjetrit për t’u ndier më të sigurt. Por detaje të pazakonta dëshmonin se Parisi nuk ishte më ai i dikurshmi. Mungesa e makinave e bënte një qytet të heshtur – një heshtje ku dëgjohej shushurima e pemëve, kërcitja e thundrave të kuajve, zhurma e hapave të turmës në bulevard, zhaurima e zërave. Në heshtjen e rrugëve dhe të errësirës që pllakoste në dimër rreth orës 500 të mbrëmjes dhe gjatë së cilës ndalohej edhe ndriçimi më i vagullt në dritare, ky qytet dukej si hije e vetes – qyteti “pa vështrim”, si thoshin pushtuesit nazistë. Të rriturit dhe fëmijët mund të zhdukeshin nga një moment në tjetrin, pa lënë gjurmë, madje edhe mes miqsh, flisnim nën zë dhe bisedat nuk ishin asnjëherë të sinqerta, sepse ndihej rreziku në ajër. Në këtë Paris makthi, ku rrezikoje të ishe viktimë e një denoncimi apo e një arrestimi në të dalë të metrosë, ndodhnin takime të rastësishme midis personash që nuk do të ishin ndeshur kurrë në kohë paqeje, dashuri kalimtare lulëzonin gjatë orëve të shtetrrethimit, pa e ditur nëse do të takoheshin më ditët më pas. Pikërisht pas takimesh të tilla pa të nesërme, dhe ndonjëherë takime të gabuara, lindën më vonë fëmijë. Ja përse Parisi gjatë pushtimit ka qenë gjithmonë për mua si një natë e zanafillës. Po të mos ishte ai, nuk do të kisha lindur kurrë. Ky Paris nuk më është ndarë kurrë dhe drita e tij e veshur depërton ndonjëherë nëpër librat e mi. Kjo është edhe prova se te një shkrimtar data e lindjes dhe epoka e tij lë gjurmë të pashlyeshme tek ai, edhe nëse nuk është përfshirë drejtpërdrejt në politikë, edhe nëse krijon përshtypjen e të vetmuarit, i mbyllur në atë që quhet “kulla e fildishtë”. Edhe nëse shkruan poema, ato janë pasqyrimi i kohës ku jeton, dhe nuk mund të ishin shkruar në një kohë tjetër. Por dua të mbetem optimist për të ardhmen e letërsisë dhe jam i bindur se shkrimtarët e së ardhmes do ta vazhdojnë misionin, ashtu si çdo brez që prej Homerit… Për më tepër, një shkrimtar, ashtu si çdo artist tjetër, sado i lidhur qoftë me epokën e tij, aq ngushtë sa të mos i shpëtojë dot, sa edhe ajrin që thith e quajmë “ajri i kohës”, ai, prapëseprapë, shpreh në veprat e tij diçka të pakohë. Në vëniet në skenë të veprave të Racine-s apo Shekspirit, pak rëndësi ka nëse personazhet janë të veshur sipas kohës antike apo regjisori ka vendosur t’i veshë me bluxhins dhe xhup lëkure. Janë hollësi pa rëndësi. Kur lexojmë Tolstoin, harrojmë që Ana Karenina mbante fustane të vitit 1870, aq e afërt na duket edhe pas një shekulli e gjysmë. Dhe pastaj, disa shkrimtarë si Edgar Poe, Melville apo Stendal, janë kuptuar më mirë 200 vjet pas vdekjes, sesa nga bashkëkohësit. Përfundimisht, cila është distanca e duhur ku duhet të qëndrojë një romancier? Anash jetës, për ta përshkruar atë, sepse nëse jeni brenda saj – në veprim – do të keni një imazh të turbullt. Por kjo distancë e vogël nuk e pengon fuqinë e tij për t’u identifikuar me personazhet dhe me ata apo ato që e kanë frymëzuar në jetën reale. Floberi ka thënë: “Zonja Bovari jam unë”. Dhe Tolstoi u identifikua menjëherë me atë që e pa të hidhej në shinat e trenit një natë, në një stacion të Rusisë. Kjo dhunti për t’u identifikuar shkonte aq larg, saqë Tolstoi shkrihej me qiellin dhe peizazhin që përshkruante dhe që ai e përthithte të tërin, deri dhe përplasjen më të lehtë të qerpikëve të Ana Kareninës. Kjo gjendje e dytë është e kundërta e narcizmit, sepse kërkon harrimin e vetes dhe përqendrim të madh në të njëjtën kohë, me qëllim që të ngacmohesh nga detaji më i vogël. Kjo kërkon gjithashtu njëfarë vetmie. Ajo nuk është mbyllje në vetvete, por falë saj arrin një shkallë të tillë përqendrimi dhe largpamësie ndaj botës që të rrethon, që të mund ta zhvendosësh në roman. Kam besuar gjithmonë se poeti dhe romancieri i veshin me mister qenie që duken të zaptuara nga jeta e përditshme, gjëra në dukje të zakonshme – dhe kjo si pasojë e vëzhgimit të vëmendshëm dhe në një mënyrë pothuaj hipnotike. Nën vështrimin e tyre, jeta e zakonshme mbështillet me mister dhe merr një lloj fosforeshence që nuk e kishte në pamje të parë, por e kishte të fshehur në thellësi. Roli i poetit dhe romancierit, por edhe i piktorit, është të shpalosë këtë mister dhe fosforeshencë të fshehur te çdo njeri. Më shkon mendja te kushëriri im i largët, piktori Amedeo Modigliani, punimet më prekëse të të cilit janë ato për të cilat ka zgjedhur modele anonime, fëmijë dhe vajza endacake, shërbëtore, fshatarë, shegertë. Ai i ka pikturuar me penel të mprehtë, çka të kujton traditën e shquar toskane, Botticelli-n dhe piktorët sienezë të Quattrocento-s. Kështu ai u ka dhënë – ose më saktë ka zbuluar – gjithë hijeshinë dhe fisnikërinë që ndodhej pas pamjes së tyre të përulur. Puna e romancierit duhet të shkojë në këtë drejtim. Imagjinata e tij nuk duhet ta shformojë realitetin, duhet ta përshkojë në thellësi dhe ta vendosë këtë realitet para vetes, me forcën e rrezeve infra të kuqe apo ultraviolet për të gjetur atë që fshihet pas dukjes. Dhe unë gati-gati besoj se në rastin më të mirë, romancieri është një lloj fallxhori, madje edhe vizionari. Dhe gjithashtu sizmograf, gati për të regjistruar lëvizjet më të paperceptueshme. Vetëm leximi i librave të tij na hap derën për në intimitetin e shkrimtarit, dhe vetëm aty ai është në formën e tij të plotë dhe na flet me zë të ulët pa pasur asnjë zhurmues parazit aty rrotull. Por duke lexuar biografinë e një shkrimtari, zbulojmë ndonjë ngjarje që ka lënë gjurmë në fëmijërinë e tij dhe është bërë matricë e veprës së tij të ardhshme, edhe pse ai mund të mos jetë gjithmonë i vetëdijshëm për këtë, kjo ngjarje, në forma të ndryshme, nuk u ndahet librave të tij. Më kujtohet edhe një ngjarje nga rinia e poetit Thomas de Quincey, që e shënjoi për jetë. Në Londër, në turmën e Oxford Street, ai u lidh me një vajzë të re, një nga ato takimet rastësore në qytetet e mëdha. Ai kaloi shumë ditë në shoqërinë e saj, por iu desh të largohej nga Londra për ca kohë. Kishin rënë dakord që pas një jave, ajo ta priste çdo mbrëmje në të njëjtën orë, në cep tëTichfield Street. Por ata të dy nuk u takuan kurrë më. “Sigurisht, ne e kemi kërkuar shumë herë njëri-tjetrin në të njëjtën kohë, në labirintin e madh Londër; ndoshta kemi qenë vetëm 18 metra larg – nuk duhen më tepër për të pësuar një ndarje të përjetshme”. Për ata që kanë lindur dhe kanë jetuar në të njëjtin qytet, me kalimin e viteve, çdo lagje, çdo rrugë e qytetit, të sjell në mend një kujtim, një takim, një hidhërim, një çast lumturie. Shpesh, e njëjta rrugë ju kujton ngjarje të ndryshme, në mënyrë të tillë që falë topografisë së një qyteti, na kujtohet e gjithë jeta, shtresë pas shtrese, sikur mund të deshifroni shkrimet e mbivendosura të një palimpsesti. Dhe gjithashtu jetën e të tjerëve, të mijëra të panjohurve, të hasur nëpër rrugë apo në korridoret e metrove në orët e pikut. Kështu, kur isha i ri, përpiqesha të gjeja numëratorë të vjetër të Parisit, për të ndihmuar veten për të shkruar, sidomos emrat që ishin vendosur sipas rrugëve ose sipas numrit të banesave. Më dukej sikur faqe pas faqeje, kisha para syve një radiografi të qytetit, por të një qyteti të përpirë, si Atlantida, dhe sikur thithja aromë kohe. Ngaqë kishin kaluar vite, e vetmja gjurmë që kishin lënë ata mijëra të panjohur, ishin emrat, adresat dhe numrat e telefonit. Ndonjëherë, një emër zhdukej nga një vit në tjetrin. Kishte diçka marramendëse teksa shfletoja ata numëratorë të vjetër duke menduar se tash e tutje numrat e telefonit nuk përgjigjeshin. Po, më duket se shfletimi i numëratorëve të vjetër të Parisit më ngjalli dëshirën për të shkruar librat e mi të parë. Mjaftonte të nënvizoja me laps emrin e një të panjohuri, adresën, numrin e telefonit, dhe të përfytyroja si kishte qenë jeta e tij ndër ata qindra mijë njerëz. Mund të humbësh ose të zhdukesh në një qytet të madh. Mund të ndryshosh identitet dhe të jetosh një jetë të re. Mund t’i futesh një hetimi të gjatë për të gjetur gjurmët e dikujt, duke pasur si fillim vetëm një a dy adresa në një lagje të humbur. Banesa e fundit e njohur. Ky shënim i shkurtër që figuron në skedën e kërkimit, më ka bërë gjithmonë efekt të çuditshëm. Temat e zhdukjes, të identitetit, të kohës që kalon, janë të lidhura gjithmonë me topografinë e qyteteve të mëdha. Ja përse, që prej shekullit XIX kanë qenë shpesh fusha të romancierëve dhe disa prej më të mëdhenjve janë të lidhur me një qytet: Balzaku dhe Parisi, Dikensi dhe Londra, Dostojevski dhe Shën Petërburgu, Nagaï Kafû dhe Tokio, Hjalmar Söderberg dhe Stokholmi. I përkas një brezi që është ndikuar nga këta romancierë dhe ka dashur edhe ai të eksplorojë atë që Bodleri e quante “palat e dredhëzuara të kryeqyteteve të mëdha”. Sigurisht, këto kanë ndryshuar që prej 50 vjetësh, pra që prej epokës kur adoleshentët e moshës sime përjetonin ndjesi të forta duke zbuluar qytetin e tyre. Disa qytete, në Amerikë dhe në atë që quhej bota e tretë, janë kthyer në “megapole” me përmasa shqetësuese. Banorët e tyre janë ngujuar në lagje shpesh të braktisura dhe në klimë lufte sociale. Getot janë shtuar dhe janë bërë gjithnjë e më tentakulare. Deri në shekullin XX, romancierët ruanin një vizion deri diku “romantik” për qytetin, jo shumë i ndryshëm nga ai i Dikensit apo Bodlerit. Dhe pikërisht për këtë arsye do të doja të dija se si romancierët e ardhshëm do t’i trajtojnë këto përqendrime urbane gjiganteske në veprat e tyre.

Përktheu: Blerta Hyska

Marrë nga gazeta Le Monde

Leave a Reply

Your email address will not be published.