Home / Arte / Libri / Librat e rinj

Librat e rinj

Veton Latifi

Shekulli i ri i politikës shqiptare

Lloji: Studim

Botimet: “Toena”

Çmimi: 1000 lekë

Veton-Latifi-Shekulli-i-ri-i-politikes-shqiptareKy libër nuk pretendon ndonjë përsëritje të trajtimit apo ritrajtimit të rrethanave shoqërore e politike të luftës së shqiptarëve për pavarësi apo të drejtave të tyre, por të shkojë përtej kësaj, duke synuar që të merret me karakteristikat e vlerat konkrete të politikës shqiptare në mënyrë të përgjithësuar brenda dhe jashtë Shqipërisë, duke u përqendruar në identifikimin dhe zbërthimin e tipareve kryesore të përgjithshme të kulturës dhe filozofisë politike shqiptare, me një objektiv që të sublimohen ato vlera e parime që e dimensionojnë procesin e politikës shqiptare, në përgjithësi, që nga Pavarësia e Shqipërisë e deri në periudhën pas Pavarësisë së Kosovës.

Gjithashtu synon që të arrijë sa më afër përgjigjes se cilat janë ato tipare dhe ide filozofike që i formësojnë përmasat e kulturës politike shqiptare gjatë një shekulli të plotë si dhe, nga ana tjetër, synon të nxjerrë në pah rekomandime konkrete se çfarë duhet të ndryshojnë shqiptarët në të ardhmen në diskursin e tyre politik, kryesisht të elitave aktuale, shpeshherë zhgënjyese dhe retrograde.

 

Pierre Clastres

Shoqëria kundër shtetit, kërkime në antropologji politike

Shqipëroi: Orgest Azizi
Botimet: “Pika pa sipërfaqe”

“Ndarja më madhore e shoqërisë, ajo që themelon dhe kushtëzon gjithë të tjerat, përfshi pa dyshim edhe ndarjen e punës, është shpërndarja e re vertikale mes bazës dhe majës, është prerja politike mes atyre që zotërojnë forcën, luftarake a fetare qoftë dhe atyre që i nënshtrohen asaj.

Marrëdhënia politike e pushtetit vjen përpara dhe kushtëzon marrëdhënien ekonomike të shfrytëzimit. Përpara se të jetë ekonomik, tjetërsimi është politik: pushteti vjen para punës, ekonomikja rrjedh nga politikja, ardhja e shtetit përcakton lindjen e klasave….” shkruan Clastres.

Pierre Clastres  (1934 – 1977), antropolog dhe etnolog francez, ka jetuar gjatë me indianët e Amerikës së Jugut, të cilët kanë shërbyer si pikënisje për reflektimet dhe punimet e tij të shumta në antropologjinë politike, mes të cilave “Kronikë e indianëve Guayaki” (Plon, 1972) dhe “Shoqëria kundër shtetit” (Les Editions de Minuit, 1974).

Aleksandr Solzhenitsyn

Arkipelagu Gulag

Përktheu Kujtim Morina
Botimet:” Princi”

“Arkipelagu Gulag” është kryevepra e Solzhenicinit. Një paraqitje shumëplanëshe e kampeve, burgjeve, qendrave transit dhe e policisë së fshehtë; e informatorëve, spiunëve dhe e hetuesve, por gjithashtu edhe e heroizmit; një botë antistaliniste në zemrën e Bashkimit Sovjetik, ku çelësi për të mbijetuar nuk gjendet te shpresa, por te dëshpërimi.

Ky libër është bazuar në dëshmitë e rreth 200 të mbijetuarve dhe mbi kujtimet e 11 viteve të Solzhenicinit në kampet e punës dhe në internim. Ai ka cilësitë e një materiali tërësisht kërkimor dhe të një vepre të letërsisë dhe të fuqisë së imagjinatës. Ky botim është përmbledhur në një vëllim me dëshirën e autorit dhe me bashkëpunimin e tij të plotë.

Aleksandr Solzhenitsyn fitoi çmimin Nobel për Letërsi në 1970. Ai u dëbua nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1974 dhe jetoi më vonë në Amerikë. Ndër librat e tij të shumtë mund të përmendim romanet: “Një ditë nga jeta e Ivan Denisovich – it”, “Rrethi i parë”, “Pavijoni i kancerozëve”, “Rrota e kuqe” dhe librin me kujtime “Lisi dhe Këlyshi”.

William Golding

Perëndia e mizave

Shqipëroi: Shpëtim Myshketa
Botimet:” Ombra GVG”

Romani “Perëndia e mizave” u botua në vitin 1954. Kjo vepër u cilësua si metaforë e Satanait nga Tomas Eliot. Romani “Perëndia e mizave” u bë shumë shpejt letërsia e preferuar e studentëve universitarë. “Perëndia e mizave” përcillet nga format e utopisë negative. Ai analizon sjelljen e një grupi nxënësish britanikë, që si pasojë e një fatkeqësie ajrore, braktisen në një ishull tropikal gjatë një konflikti planetar.

Pas përpjekjeve të para të kurorëzuara me sukses për t’i dhënë jetë një shoqërie të organizuar dhe demokratike (më të vegjlit për të luajtur, më të mëdhenjtë të ndarë në gjahtarë dhe rojtarë të zjarrit, që tymi të dallohej nga larg), mjet i domosdoshëm për të shpëtuar, tensionet brenda grupit shpërthejnë në mënyrë dramatike dhe përkeqësohen me shpejtësi deri në rrjedhoja skajore.

Leave a Reply

%d bloggers like this: