Home / Kryeartikull / Sikur të bëhej shteti në një mandat !!

Sikur të bëhej shteti në një mandat !!

ZAMIRA ÇAVO

Zamira CavoAjo çka ne të gjithë shkatërruam në gati çerekshekulli, kërkon kohë të ribëhet. Ata që premtuan parajsën në emër të lirisë pa kufizim, sollën anarkinë në çdo cep të vendit! Të pamësuar me lirinë e mendjes më shumë se me lirinë e fjalës, ne e shndërruam ekzistencën tonë në një shoqëri gati natyrore, ku secili mund të bënte ç’t’i tekej me veten dhe me të përbashkëtën. Ligji dhe bashkë me të Shteti, mbeti koncepti më i largët. Ndaj nuk ka vend ku të mos kemi hapur plagë të mëdha. Por unë mendoj se plaga më e madhe është në kulturën tonë shtetare. Historikisht ne kemi të trashëguar një kulturë individuale me mungesa të theksuara të kulturës publike. Nuk shquhemi për të dhënë ndihmesën për të përgjithshmen. Madje dhe në kohën e Enverit kur e “përgjithshmja” u ngrit në sistem, sigurisht që shkuam drejt rrënimit me hapa viganë. Sot qeveria po mundohet vullnetmirë të ringrejë shtetin. Çdo njeri e kupton se dikur do duhej që ky shtet të funksiononte! Ndaj dhe mendoj se shumica e njerëzve e përkrahin kryeministrin në dëshirën e tij për ta bërë shtetin! Madje unë them se çdokush do duhej të ndihmonte, sipas mënyrës së tij, që kjo gjë të realizohej. POR..

– Është shumë e miratueshme teza se ndërtimi i një sistemi krijon kulturë të re. Por kjo kërkon kohë. Ndërtimi i një shteti funksional ka dy anë, ose më mirë ecën në dy shina paralele; nga njëra anë janë reformat institucionale, nga ana tjetër janë njerëzit që drejtojnë këto reforma dhe ata që duhen edukuar me frymën e këtyre reformave. Sikundër shihet, ka nevojë për kohë. Do ketë nga ata optimistë që mund të thonë se një mandat 4-vjeçar do ishte e mjaftueshme për ta ringritur shtetin. Mjafton të vendosësh forcën e ligjit! Eksperienca botërore ka treguar se pikërisht kjo gjë nuk qenka fort e lehtë! Ataturku, p.sh., kërkonte të modernizonte Turqinë dhe mes të tjerave kërkoi me forcë heqjen e ferexheve te femrat. Forcoi ligjin, kërkoi zbatimin e tij, burgosi, por kuptoi se me presion ndaj grupeve të ndryshme të shoqërisë jo vetëm nuk do t’ia dilte dot, por rrezikonte që të humbiste mbështetjen popullore. Atëherë gjeti zgjidhje alternative që e shtyu të kufizonte në mënyrë të pranueshme këtë veprim; Ligjëroi mbajtjen e detyruar të ferexhesë nga prostitutat e njohura!!! Pa asnjë lloj paralelizmi, ajo që dua të them është e thjeshtë: Ka shumë mënyra për ta siguruar zbatimin e ligjit. Forca shpesh sjell ndryshim sjelljeje në negativitet. P.sh., pagesat e energjisë elektrike dhe radhët e gjata në sportele dëshmojnë sesa shumë njerëz qenkan sjellë si “vjedhës” të kësaj pasurie publike! Disa prej tyre nga halli, disa nga koncepti i gabuar që kanë për shtetin. Por këta të fundit rezultojnë njerëz me “pushtet”. Debitorët më të mëdhenj janë bizneset e mëdha, në shumë raste që janë lidhur me pushtetin dje, por edhe sot. Ka drejtues të lartë në rrethe që kanë miliona para të vjedhura nga mospagesa e energjisë dhe vazhdojnë të luajnë rolet e tyre drejtuese. Shembujt për këto i gjeni çdo mëngjes në emisionin e z. Bashkim Hoxha. Por jo vetëm kaq. Institucione të tëra publike janë debitorë ndaj shtetit. Kush do përgjigjet për periudha të tëra që nuk janë paguar faturat? A do mbajnë përgjegjësi titullarët e institucioneve që kanë vepruar me “vjedhje”? Apo do të vazhdojmë t’i lëmë titullarë të institucioneve të tjera, apo deputetë, apo..??? Kultura e tyre nuk ka ndryshuar ndaj dhe nëse z. Rama e forcon Ligjin sot, nesër.. kur të shtohet pakënaqësia për shkak të këtij shtrëngimi dhe kur pushteti t’i ikë nga duart, shteti që ai ka synuar të ngrejë sërish, do mund të shndërrohet në rrumpallë për shkak të kësaj specie drejtuese.

– Individët që janë zbatuesit e reformave janë njerëz ashtu si ne të gjithë. Pra janë formuar me kulturën e mungesës së punës ndaj publikes. Kjo duhet mbajtur gjithnjë parasysh. Por nëse i shtojmë edhe faktin që vendosim në drejtim njerëz që nuk janë profesionistë të mirë, që nuk e njohin procesin e asaj që drejtojnë, qëndrueshmëria e reformave vjen e bëhet më fluide. Të vendosësh në krye të punëve njerëz joprofesionistë me parimin se këta kanë vullnetin e mirë për të bërë shtet, kjo më duket jo e goditur, madje e gabuar. Është vështirë të themi se shqiptari ka në gjak vullnetin e mirë për të zbatuar ligjet…. Mund të thuhet se e bën “frika” të ketë vullnet. Frika mund të sigurojë një dukje, por asnjëherë një përmbajtje, pasi sjellja e njerëzve varet nga kultura e tyre. Dhe kultura nuk kultivohet me forcë për dy apo tre vite! Ok largon nga puna ata drejtues që janë dukshëm të korruptuar, por asnjeri prej tyre nuk zhdëmton dëmin që ka bërë. Ndaj forcohet koncepti “emo, edhe nëse e largon nga puna, i ka bërë milionat ai”. Kjo paqëndrueshmëri në disa raste rezulton në të kundërtën e reformës: “shtrëngo për ata poshtë dhe bëj për vete pasuri”.

Ngado që ta shikojmë problemin duket se një mandat për ta bërë shtetin është shumë pak! Kjo për qeverisjen “Rama” do duhej të përkthehej në një “kujdes” të shtuar në sjelljen politike. Reformat e nevojshme kanë nevojë për bindje dhe kulturë masive, sepse bindja i bën njerëzit të ndryshojnë sjelljen e tyre. Por kur selektimi poshtë është i ndjeshëm dhe kur “forca” e atyre që prishin natën atë çka Ai e bën ditën është e konsiderueshme, lipset të kthejë vëmendjen nga populli më shumë se nga shtrëngimi i tij. Duket se mes njerëzve po zë vend thënia e vjetër; “mesa dëgjoj i lumi unë, por me sa shikoj i mjeri unë”. Realisht kaluam një vit të vështirë dhe shpresa për vitin që vjen do të jetë e madhe, kjo do të thotë që prova finale e z. Rama do jetë viti i ardhshëm. Po ndërkohë ai do jetë dhe vit elektoral, vit nga ku premtimet dhe shllaku mbi to do të jetë i madh. Në gjykimin tim, për sa kohë që nuk ka një opozitë reale politike konstruktive me vizion, i takon shoqërisë civile dhe akademizmit të bëjnë oponencën për të siguruar atë çka lihet mënjanë: vlerësimin e halleve reale të popullit! Sepse, në fund të fundit, nuk duam një shtet të “fortë” për të siguruar pushtetin e disave, por për të na shërbyer ne të gjithëve. Ndaj më shumë se burgjet, na interesojnë shkolla, që të mos mbyllen nga keqfunksionimi e të rihapen pa u tharë boja, na duhen drejtues që të jenë model dhe jo drejtues që korruptohen. Kjo arrihet vetëm kur transparenca e realizuar drejt siguron bindjen. Në të kundërtën, më bie të përsëris thënien e famshme “Po rojet kush do t’i ruajë?” Një njeri, sado vizionar dhe vullnetmirë të jetë, nuk mund të arrijë suksesin në demokraci, nëse nuk sheh me sytë e popullit dhe gjykon me mendjen e Liderit!”

Leave a Reply

%d bloggers like this: