Opinion

Fjalët po rrallohen

ILIR YZEIRI

Ilir YzeiriNjë nga ndjesitë që pata pasi mora vesh ndarjen e çmimeve nga Ministria e Kulturës, ishte ajo e vatrës së kulturës. Më erdhi në mendje ajo godina e dikurshme, e transformuar nga depo drithi ose nga xhami në një vend banal ku mblidheshin fëmijë të lumtur dhe recitonin poezi apo hidhnin një valle që nuk u mor vesh kurrë se nga i vinte ritmi dhe muzika. Sot, Ministria e Kulturës është shndërruar jo vetëm në një vatër kulture, por ka marrë edhe zymtësinë e xhamive apo kishave të rrënuara dhe sa herë që bën një veprimtari, ajo në fakt më shumë shkruan apo lexon nekrologjinë e një ambienti që po vdes apo të një veprimtarie që po shuhet. E fiksuar nga ideja se tani Ministria e Kulturës është në krye të kulturës, ai dikaster i ka dhënë të drejtën që të vlerësojë se çfarë është letërsi dhe çfarë nuk është. Për atë dikaster dhe për titullaren e tij, në Shqipëri ka vetëm miq e shokë të dikurshëm që duhen nderuar me ndonjë qokë. Pak muaj më parë, ajo organizoi një parodi në Muzeun Kombëtar dhe shpiku çmime e dhurata për miq e shokë. Tani, si institucion shtetëror, merr përsipër të asgjësojë gjithë çfarë ndodh në këtë vend dhe të japë dy çmime. Mbi cilin kriter? Këtë e di ajo Ministri dhe ai dikaster. U bë një vit që ky dikaster po tregon meskinitetin e njerëzve të përkëdhelur dhe të frustruar që jo vetëm nuk e njohin këtë vend, por po sillen me të ashtu siç u sollën dikur partizanët kur zbritën nga malet në vitin 1944. Nuk ka gjë më të rrezikshme se sesa narcizizmi fillestar. Për fat të keq në atë dikaster, ashtu si në atë të arsimit, të gjitha qeveritë kanë zgjedhur njerëzit me profilin më të ulët dhe të gjitha reformat që janë kryer aty kanë dështuar. Ministria e Kulturës do të duhej të ishte një institucion krejt tjetër dhe do të duhej të bënte të pamundurën që të rilidhte fijet e shkëputura në mënyrë tragjike në mes të traditës sonë dhe së sotmes. Për fat të keq, ky dikaster ka marrë përsipër që të hedhë edhe lopatën e fundit me dhé në varrin masiv të kulturës shqiptare. Po le t’i marrim sendet me radhë. Kultura shqiptare, kështu siç paraqitet, sot është një kufomë që nuk ka më shpirt. Në ligjërimin publik mungon tërësisht përmasa kulturore e traditës apo ajo historiko-kulturore. Në të gjitha vendet e qytetëruara të botës, kultura dhe tradita, sidomos janë përmasa të pashkëputura nga e tashmja. Vepra e autorëve të së kaluarës merret dhe rimerret vazhdimisht në mënyrë që të mos ndërpritet vijimësia dhe vendi të mos zhytet në amnezi totale. Breza të tërë në Shqipëri po formohen e po kalojnë moshën e rinisë pa e njohur Bogdanin, Fishtën, Dora D’Istrian, Konicën, Nolin, Kutelin e ndonjë tjetër. Nga programet e shkollave të mesme është hequr historia e letërsisë apo e rrymave dhe metodave letrare. Në mënyrë katastrofike dhe me një mendjelehtësi të pashoqe, tekstet e letërsisë janë të mbushura vetëm me lëndë nga njohuritë për llojet e tekstit e ligjërimeve dhe autorët, qoftë ata të huaj, qoftë ata shqiptarë, merren vetëm për të ilustruar llojet e teksteve sipas funksioneve ligjërimore. Fëmijët tanë marrin një minimum të llahtarshëm fjalësh në ciklin fillor dhe masakrohen me tekste ashkencore në ciklin parauniversitar. Kur vijnë në universitet, ata janë thuajse pa gojë. Fjalori i tyre dhe buxheti intepretativ në fushë të dijeve humane është i dhimbshëm. Në qoftë se shkolla nuk u ka dhënë as minimumin e domosdoshëm të buxhetit leksikor dhe interpretativ, as njohuritë fillestare për autorët shqiptarë apo të huaj, atëherë këtë boshllëk do të duhej ta plotësonte shoqëria me botime dhe veprimtari që orientojnë shijen e publikut drejt vlerave kombëtare dhe atyre të huaja. Mirëpo ambienti që ata gjejnë, i vret për herë të dytë. I vetmi institucion mediologjik dhe këtu kam parasysh konceptin R. Debray për mediologjinë, është televizioni kryesisht dhe shtypi në përgjithësi. Në qarkullimin kulturor të këtij vendi nuk merr pjesë tradita, ajo është e përjashtuar. Vendin e parë e zënë telenovelat turke dhe filmat policorë italianë. Të rinj e të reja në cilindo cep të vendit mbërthehen me orë të tëra pas televizionit për të ndjekur dramën e dashurisë së Rukijes apo të Shemshedinit apo të ndonjë Hozeje nga Brazili. Natyrisht kjo është një prirje e gjerë dhe ka infektuar thuajse gjithë botën, mirëpo në vendet me dinjitet historik, shoqëria ka institucione të konsoliduara që e mbajnë gjallë qarkullimin letrar mes së shkuarës dhe së tashmes mes lokales dhe së huajës. Ne këtu në këtë vend u bë një çerek shekulli që sa i takon Ministrisë së Kulturës, gjithmonë kemi gjetur njerëz që kanë bërë me kulturën atë që u ka sugjeruar instinkti i tyre vetjak, mëria dhe parapëlqimi shoqëror i mëparshëm, fyerja dhe shpërfillja si cene të frikës dhe brishtësisë së personalitetit. Gjithkush ka ndihmuar me sa ka mundur që të hedhë një lopatë dhé në varrin masiv të kulturës shqiptare dhe të mbajë fjalën e rastit mbi atë masiv dheu. Sivjet ministrja vendosi të japë vetëm dy çmime, mot vetëm një, dhe pas dy vjetësh ajo mund të urdhërojë që të hiqet institucioni i çmimit, sepse deri atëherë miqtë dhe ata që nuk kanë lidhje me kulturën do të jenë mbaruar. Në vazhdoftë me këtë ritëm shkërmoqja dhe varfërimi i kulturës, atëherë, shqiptarët, për të komunikuar, do të dalin nga shtëpia me bllok shënimesh me vete dhe për të komunikuar do ta nxjerrin atë dhe do ta përdorin si fjalor që të gjejnë në shqip fjalët që deri atëherë do të jenë rralluar, do të jenë tretur. Shqiptarët, qysh tani, e kanë rrudhur deri në dhimbje fjalorin e tyre në komunikimin e zakonshëm. Tani, më së shumti po shfaqet komunikimi emocional që, në vend të fjalëve, përdor grushtin apo plumbin. Gjithnjë e më shumë shqiptarët po kthehen në origjinën e hershme të komunikimit me pak fjalë dhe me shumë ndjenjë. Në pranimin e tjetrit ose në marrëdhënie me të, për shqiptarin nuk ka më rëndësi se çfarë mendon, po si më shikon, pse më shikon. Ndaj vetëm këtu te ne fjala po zëvendësohet me plumbin. Një dorë të mirë në këtë udhë po jep edhe Ministria jonë e Kulturës. Ajo po u vërteton përditë shqiptarëve se ata nuk kanë kulturë, se janë pa tradita, se kuptimi dhe përmbajtja e kulturës ndër shqiptarë duhet të sendërtohet në atë godinën simbolike të vatrës së kulturës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button