Home / Kosova / Kosova, anëtare e Këshillit të Evropës?

Kosova, anëtare e Këshillit të Evropës?

Hashim Thaçi nesër pritet të udhëtojë për në Strasburg, ku në cilësinë e ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, do të takohet me sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Thorbjorn Jagland, për të diskutuar rreth pranimit të Kosovës në këtë organizatë pan-evropiane, e cila në gjirin e saj ka 47 vende duke përfshirë edhe Serbinë.

kosova-an-euml-tare-e-k-euml-shillit-t-euml-evrop-euml-s_hdSipas burimeve të gazetës serbe Vesti, takimi është organizuar me kërkesën e Prishtinës zyrtare, ndërsa Thaçi në Këshillin e Evropës do të shoqërohet nga Konsulli i Kosovës në Strasburg, Edon Cana, transmeton Telegrafi.

Zyrtarisht, temë e diskutimit do të jetë bashkëpunimi ndërmjet Prishtinës zyrtare dhe Këshillit të Evropës, e cila përkrah emrit të Kosovës, gjendet edhe fusnota.

Ashtu siç po rrjedhin gjërat, fusnota së shpejti do të shfuqizohet, sepse Kosova gjendet në fazën përfundimtare të pranimit në Këshillin e Evropës, e cila, sipas burimeve të Vestit, po ndihmohet veçanërisht nga Mbretëria e Bashkuar.

Kosovën si shtet të pavarur e kanë njohur 34 nga 47 shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, që do të thotë se Kosova, teorikisht ka shumicën prej dy të tretash të votave që janë të nevojshme për pranim.

Sipas rregullave të Këshillit të Evropës për pranimin e një shteti në këtë institucion vendos Komiteti i Ministrave, i përbërë nga ministrat e jashtëm të 47 vendeve anëtare.

Vendimi merret me propozim të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila mban seancat plenare çdo tre muaj në Strasburg.

Kosova në fund të viti 2012 ka hapur konsullatën në Strasburg, e cila si detyrë parësore ka lobimin për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Më parë këtë vit, Kosova ka hapur negociatat e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE-në në një kohë kur Serbia ka hapur negociatat për anëtarësim në këtë institucion.

Ndryshe, Telegrafi gjatë ditës ka kontaktuar me zyrtarë të MPJ-së lidhur me këtë çështje, por nuk ka marrë përgjigje.

Leave a Reply

%d bloggers like this: