Kronika

Studimi, Totozani: Ja zgjidhja për romët

Programet sociale, njësitë vendore të llogarisin çdo vit që 5% e vendeve t’i përfitojë ky komunitet

Nga Shpresa Mezini

ds_841164335E drejta për strehim, mbrojtje sociale dhe arsimim, janë tre sektorë ku aksesi i komunitetit rom në vendin tonë është inekzistent. Janë këto disa prej arsyeve pse integrimi i tyre në shoqëri është kthyer në një mision të pamundur, fakt që vështirëson mundësitë e tyre për t’iu drejtuar tregut të punës dhe jo kazanëve të mbeturinave, siç i shohim çdo ditë, në luftë për të fituar bukën e përditshme. Pa arsim, pjesa më e madhe të paregjistruar në gjendje civile dhe një barakë ku të paktën shumica ka ku shtrin kockat, pa përjashtuar atë pjesë që nuk e ka asnjë strehë të tillë, jetesa e këtij komuniteti në vend që të përmirësohet, sa vjen e vështirësohet. Por, edhe përballë kësaj varfërie, që edhe vetë varfëria do ta përbuzte, dora e shtetit është pothuajse inekzistente. Ka mjaftuar kjo panoramë shumëvjeçare, që institucioni i Avokatit të Popullit, Igli Totozani, të përgatisë një raport të veçantë “Për gjendjen e të drejtave të minoriteteve në Shqipëri”, ku veç konkluzioneve të arritura pas analizimit të problematikave që shqetësojnë e privojnë kryesisht komunitetin rom, Avokati i Popullit liston disa rekomandime që, sipas tij, do të jenë zgjidhja përfundimtare e halleve të këtij komuniteti, por kjo vetëm nëse do të merren seriozisht në konsideratë nga institucionet përgjegjëse shtetërore. Në kompleks, referuar gjetjeve të studimit, Avokati i Popullit propozon ndryshime në ligjin “Për arsimin parauniversitar”, për nxitjen e pjesëmarrjes së tyre në arsim; ndryshime në vendimin e Këshillit të Ministrave për kriteret dhe procedurat e përfitimit të ndihmës ekonomike; si edhe ndryshime të disa dispozitave në ligjin “Për programet sociale për strehimin e banorëve në zonat urbane”, për të lehtësuar çështjen e strehimit të tyre, propozime që, sipas Totozanit, nëse merren parasysh nga ministritë përkatëse, do të përmirësojnë situatën ku ndodhet sot komuniteti rom, si dhe do t’i japin fund diskriminimit.

rometNë studimin e Avokatit të Popullit, kërkohet që duke qenë se shumica e fëmijëve romë janë analfabetë, për shkak të mosnjohjes së gjuhës, largësisë nga shkolla apo kushteve të vështira ekonomike, Ministria e Arsimit të përmirësojë ligjin “Për sistemin arsimor parauniversitar”, me qëllim integrimin në arsim të fëmijëve romë, nga niveli parashkollor deri në nivelet e tjera më të larta të arsimit. Vendimi i Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e kritereve, procedurave dhe të masës së ndihmës ekonomike”, është gjithashtu pjesë e listës së rekomandimeve të Totozanit, drejtuar në këtë rast ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. “Duke qenë se komuniteti rom është në lëvizje të vazhdueshme nga një zonë në tjetrën, ligji në fuqi e vështirëson përfitimin e ndihmës ekonomike, kështu që i rekomandojmë ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, të ndryshojë kriteret dhe procedurat për përmirësimin e jetesës së këtij komuniteti”, argumentohet në studimin e institucionit të Avokatit të Popullit. Për sa i takon çështjes së strehimit, që nuk është zgjidhur ndonjëherë nga asnjë prej qeverive, Avokati i Popullit rekomandon shtimin e përcaktimeve “Për programet sociale për strehimin e banorëve në zonat urbane”, që do të rregullonin strehimin e qytetarëve romë, brenda një periudhe pak më shumë se katërvjeçare. “Njësitë e qeverisjes vendore deri më 31.12.2017, të parashikojnë çdo vit në programet sociale të strehimit të tyre, që jo më pak se 5% e vendeve nga çdo program, të plotësohen nga familje që i përkasin minoritetit rom. Përcaktimi i kuotës mbi 5%, bëhet nga njësitë e qeverisjes vendore duke u bazuar në numrin e familjeve, që deklarojnë se i përkasin minoritetit rom, që kanë paraqitur aplikim dhe plotësojnë kriteret për të përfituar nga programet sociale të strehimit.Përfitojnë subvencion në masën 100% të vlerës së qirasë, për banesat me qira, në varësi të përfshirjes së anëtarëve të familjes në moshë pune, në programet aktive të nxitjes së punësimit”, propozon Totozani, në studimin e veçantë “Për gjendjen e të drejtave të minoriteteve në Shqipëri”. Në raport analizohen edhe problematikat e komunitetit grek, maqedonas, serbo-malazez dhe vllah.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button