Home / Arte / Muzike / Kthimi në shtëpi

Kthimi në shtëpi

Stefan Lano/ Dirigjenti i njohur me origjinë shqiptare drejtoi në një koncert nën muzikën e Anton Bruckner, orkestrën e Teatrit të Operës dhe Baletit

stefan-lano-home_1Stefan Lano e ka ndier që kur ngjiti shkallët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, një ndjesi ndryshe për këtë teatër. Dhe pse nuk ka shkëlqimin e teatrove të njohur botërore ku ai është rritur, ky teatër i jep një tjetër ndjesi, atë që nuk mund ta gjejë as në Teatrin e Uruguait nga ku vjen së fundmi. Është e njëjta ndjesi që ndien kur shëtit mbrëmjeve këto ditë në Tiranë. Pas provave me orkestrën e TOB, dirigjenti i njohur pëlqen të endet nëpër kryeqytet, për të njohur këtë qytet gati-gati të çuditshëm për të cilin ka lexuar aq shumë nga larg. Është hera e parë që Stefan Lano vjen në Shqipëri, por ndien sikur ka qenë këtu dhe më parë. Ka dëgjuar aq shumë rrëfime për këtë vend, dhe gjithnjë ka menduar se mbart me vete një pjesë të tij. Një pjesë që këto ditë është bërë më e fortë tek ai, dhe i ka dhënë përgjigje shumë pyetjeve që kishte më parë. ” Është një qytet vibrues, me shumë njerëz në rrugë, njerëzit duken se shijojnë jetën këtu. Mendova se do të ishte një qytet shumë më gri”, thotë Lano. Ai ka lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por është një shqiptar. Prindërit e tij nga Korça emigruan herët në SHBA ku lindi dhe djaloshi Stefan. “Mamaja ime ka lindur në Boboshticë të Korçës e babai im në Korçë. Unë kam lindur në Shtetet e Bashkuara, në Masaçusets. Kam studiuar për biologji në kolegj dhe pastaj për kompozim në Universitetin e Oberlin-it (Ohio, SHBA). Pastaj studiova në Harvard, nga ku u diplomova në filozofi”, thotë Lano. Para se të niste karrierën teatrore, ai do të udhëtonte në Graz për të studiuar dirigjim e kompozim në Universitetin e Arteve në Berlin. Që nga 1980 deri në fund të viteve ‘80, ai ka qenë pianist në Operën Shtetërore të Vjenës.

“Pas asaj, Leon Matkaçl më ftoi në Pitsburg si një dirigjent i asociuar, dhe aty kam kaluar tre vjet përvojë dhe pastaj u ktheva në Europë. Dhe tani kam rreth 35 vjet që u ktheva në Europë dhe kam rreth 25 vjet që dirigjoj. Kam dirigjuar pothuajse në të gjithë botën Gjermani, Zvicër, Austri, Japoni, Singapor, Montreal, Amerikën Jugore. etj.”, thotë ai. Por kjo është hera e tij e parë në Shqipëri, një udhëtim që e ka pritur kaq gjatë dhe ndihet i lumtur që e ka bërë. Ftesës së Teatrit të Operës në Tiranë për të drejtuar një koncert premierë nga kompozitori Anton Bruckner, “Simfonia nr. 4″ të titulluar “Romantike”, ai nuk i tha ajo. Ishte si një thirrje se tashmë duhej të kthehej në shtëpi, në vendin e prindërve të tij. Dje në mbrëmje dhe sot ai do të drejtojë orkestrën e TKOB në koncertin nr. 1 për piano nga Frederik Shopen, interpretuar nga pianistja Muza Rubackyte. Sot në mbrëmje ai do të jetë sërish në krye të orkestrës për të dirigjuar tingujt e Bruckner. Dhe menjëherë pas koncertit ai do të udhëtojë drejt Korçës, bashkë me bashkëshorten që mbërriti këto ditë në Tiranë për t’iu bashkuar ëndrrës së të shoqit, për të vizituar shtëpinë e të parëve. Do të jetë një udhëtim emocionues, ashtu siç ka qenë Tirana këto ditë, por Stefan është i përgatitur prej vitesh për këto emocione, që i ngjajmë muzikës së Anton Bruckner…

Karriera

Pas përfundimit të studimeve për kompozim në Universitetin e Oberlin-it (Ohio, SHBA) Stefan është mbështetur në karrierën e tij nga Universiteti i Harvard, nga ku është diplomuar në filozofi. Përpara fillimit të karrierës së tij profesionale në Graz, ai i thelloi studimet për dirigjim e kompozim në Universitetin e Arteve në Berlin. Si një pianist i zoti, ai u bë menjëherë pjesë e stafit të Teatrit të Operës në Vjenë në vitin 1982. Menjëherë më pas ai e vazhdoi karrierën e tij në Europë duke nënshkruar kontrata me vende të ndryshme të botës, vlen të veçohet angazhimi i vitit 1993 për të dirigjuar versionin me tre akte të operës “Lulu” në Teatrin Colón në Buenos Aires. Në vitin 1999, kritika muzikore në Argjentinë e vlerësoi atë si dirigjenti më i mirë për “Die tote Stadt” nga Korngold dhe për “Salome” nga Richard Strauss. Në vitin 2005, ai emërohet dirigjent i Orkestrës së Teatrit Colón në Buenos Aires, duke dirigjuar në ture kombëtare dhe ndërkombëtare. Lano ka qenë pjesë e një numri të madh koncertesh në disa Teatro në Shtetet e Bashkuara dhe fama e fituar për saktësinë dhe ekspresivitetin e punës së tij bëri që Lano të ftohej për të dirigjuar koncerte të Alban Bergs’ Wozzeck me orkestrën simfonike të Montréal-it, për të cilin u nderua me çmimin OPUS si koncerti më i mirë i sezonit të vitit 2002. Po me këtë çmim, ai është vlerësuar për koncertet Bacchus et Ariane nga Roussel dhe Bluebeard‘s Castle nga Bartok. Në nëntor të vitit 2009 ai dirigjon Orkestrën Amerikane të Kompozitorëve dhe falë ftesës së drejtorit artistik, Juozas Domarkas, ai dirigjoi premierën e tij Simfonia n.3 me orkestrën simfonike të Lituanisë dhe për momentin është duke kompozuar simfoninë e tij nr. 4. Që prej vitit 2007, është i ftuar i përhershëm në Teatrin e Operës në Dresden. Lano është që prej vitit 2012 dirigjent i Orkestrës Simfonike të Uruguay (SODRE) në Montevideo, ku puna e tij me orkestrën është vlerësuar maksimalisht si për cilësinë e shfaqjeve, ashtu edhe për programin inovativ. Në shkurt të vitit 2013, ai dirigjoi një produksion të ri të Tristan and Isolde në Teatrin e Operës Göteborg në Suedi, vlerësuar ky si një prej varianteve më sinjifikative të kohëve të fundit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.