Home / Kryeartikull / Një ballo që nuk mund t’i lajë dot mëkatet

Një ballo që nuk mund t’i lajë dot mëkatet

ILIR YZEIRI

Ilir YzeiriFundi i një viti ka në qendër të tij Krishtlindjet, sidomos. Vendet perëndimore të krishtera e presin çdo fundvit të tillë me një ceremoni të veçantë dhe Viti i Ri që vjen më pas ka brenda edhe gëzimin, por edhe një trishtim të lehtë, për shkak të kohës njerëzore që kalon dhe për shkak të pamundësisë për t’u përballur me kohën universale. Gjithnjë e më shumë, sidomos këto vitet e fundit, qoftë Krishtlindjet, qoftë Viti i Ri, e kanë humbur shkëlqimin e dikurshëm dhe janë bërë përherë e më shumë çaste refleksioni të thella, për shkak të krizës që ka përfshirë botën në tërësi. Me këtë rast, politikanët e lartë të të gjitha vendeve serioze tregohen shumë të kujdesshëm që të mos manifestojnë asnjë shenjë protagonizmi, por zgjedhin me shumë kujdes ato mënyra për t’u shfaqur në publik që të tregohen të përunjur, kinse të trishtuar, madje edhe vërtet të menduar, për shkak se në një mënyrë apo në një tjetër, politikanët e përgjegjshëm dhe liderët seriozë e ndiejnë veten fajtorë pse vendet e tyre nuk po përparojnë dhe pse kriza globale nuk po përballet. Në këtë fundviti, liderët e mëdhenj dhe politikanët e përgjegjshëm mendojnë që të realizojnë ndonjë projekt serioz dhe u bëjnë dhuratë bashkëkombësve të tyre zgjidhje apo projekte që shënjohen me një simbolikë të veçantë. I tillë ishte vendimi i Obamës për të hapur një kapitull të ri, me Kubën fjala vjen. Mirëpo ka edhe vende ku liderët dhe politikanët e lartë shndërrohen në karikatura dhe kryejnë veprimtari të tilla që lënë me gojë hapur të madh e të vogël. E tillë ishte mbrëmja gala e organizuar nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Në njoftimin që ka lëshuar për shtypin, Presidenca njofton se është organizuar “Balloja presidenciale shqiptare” dhe këtë ngjarje ajo e quan një ndodhi të rëndësishme, sepse është një traditë që paska filluar që në vitet ’30. Ballot, qoftë ato me maska qoftë ato pa maska, janë një shenjë e jetës vanitoze të një aristokracie të caktuar dhe qoftë në atë kohë qoftë, por edhe sot, janë spektakle ku pasunarët e një vendi parakalojnë për të treguar veshjet e shtrenjta, parfumet, bizhutë dhe klasin e lartë. Vende të pasura e të zhvilluara, ato që i kanë shpikur këto spektakle thuajse nuk i përdorin më, sepse përballë varfërisë që po thellohet me shpejtësi në pjesë të mëdha të popullsive të Europës, një spektakël i tillë tingëllon arrogant dhe karikaturor. Mirëpo, në Shqipëri, Presidenti i Republikës, njeriu që simbolizon unitetin e një prej kombeve më të varfra të Europës, bëhet qesharak dhe kurdis një ndodhi që të bën të shkulesh gazit e të trishtohesh njëkohësisht. Ballon presidenciale, më së shumti, e populluan të rrëzuarit nga pushteti, opozita e sotme dhe familja Berisha kryesisht. Në atë ballo ishte edhe i pandehuri Fullani, guvernatori që akuzohet se ka shpërdoruar detyrën dhe se në kohën që ai drejtonte, nga Banka e Shqipërisë u vodhën miliarda lekë. Ana qesharake e këtij spektakli nuk qëndron vetëm në atë që ky spektakël shfaq nga jashtë, por në atë që kjo ndodhi e trishtuar ka në përmbajtje. Fjalimi që ka mbajtur në atë ballo presidenciale, Presidenti i vendit i ngjet një hartimi të mjeruar për plagët që ka një shoqëri në tranzicion, si mjerimi, varfëria, sëmundjet, skamja. Mirëpo e bukura është se nuk kuptohet kujt ia reciton atë tekst Presidenti i vendit, sepse njerëzit që ishin mbledhur aty, janë pasunarët e këtij vendi dhe qëllimi i Ballos nuk merret vesh se cili është. Askush nuk e mori vesh se sa para u mblodhën nga kjo veprimtari dhe ku shkuan ato. Në qoftë se Balloja ishte konceptuar si një mbrëmje bamirësie dhe pjesëmarrësit sillnin vlera të caktuara të hollash, organizatorët duhet t’i kishin bërë transparente ato të holla menjëherë, madje dhe burimin e tyre. Mirëpo këtë askush nuk e mori vesh. Aty më së shumti, politikanët e opozitës dhe familja Berisha, që nga një pjesë e popullit shqiptar përçmohet më shumë se familja e Çausheskut prej rumunëve, ishin për t’i bërë karshillëk popullit shqiptar dhe për t’u treguar të gjithëve se ata janë ende në pushtet, se mund të jetojnë si aristokratë dhe se zbavitjet e tyre u ngjajnë atyre kalorësiake me emra të huazuara prej tyre si ballo apo gala. Është e paimagjinueshme se si Presidenti i një prej vendeve më të varfra të Europës ka kurajë dhe e provokon këtë vend me spektakle të neveritshme si ajo që ai e quan “Ballo presidenciale”. Në fakt, qysh në emërtim ka një shenjueshmëri keqësuese dhe komike gjithashtu. Presidenca nuk mund të jetë një skenë vallëzimi apo një tapet i kuq mode, presidenca nuk është vendi ku njerëzit ushtrohen për të luajtur tango apo vals, presidenca e një vendi të varfër siç jemi ne, do të duhej të ishte një vend pelegrinazhi për njerëzit virtuozë të këtij vendi, që do të duhej të shkonin aty kokulur për të ushqyer të parin e vendit me ide për pajtimin e shqiptarëve dhe jo ta nxisnin atë që të bëhej klouni i një balloje që do të ishte mirë të organizohej me maska. Kështu nuk do t’ua shihnim surratin atyre që ia nxinë fytyrën këtij vendi, duke e vjedhur dhe vrarë.

Leave a Reply

%d bloggers like this: