Opinion

Pema e Krishtlindjeve

NDUE DEDAJ

Ndue-DedajNë vitet ’70, në Mirditë, kur ishim ende fëmijë apo të rinj, Viti i Ri ishte e vetmja festë, ndaj camërdhokët dhe vajzat e shtëpisë nxitonin të përgatiteshin për ritualin festiv, që nuk i përmbante Kërshëndellat e ndaluara (ani se gjyshet i zinin në gojë pa e vrarë fort mendjen), por prej tyre ishte huajtur vetëm pema …

E pema ishte një dëllinjë që e prisnim në shpatin gjithë cicërima zogjsh, andej nga Qafë-Rrasa, e sillnim në shtëpi, e vinim në çardak dhe e zbukuronim si të mundnim, pasi nuk kishte zbukurime dhe ndoshta mirë që nuk kishte, pasi ashtu pema ishte me gjithë freskinë dhe aromën e malit. Nuk e di pse e kam dashur këtë dru, dëllinjën, paçka se “gjethet” e saj ishin krece që të thernin duart, ndoshta për kokrrat e kuqe e të zeza si margaritarë të vegjël fantastikë, ndoshta se poshtë kurorave të tyre ngrinim rrasa për të zënë mëllenja; po dhe rakia e dëllinjës ishte me një shije të veçantë aromatike, kur e pinim ndonjë herë në klubin e minierës.

Tani e kuptojmë sa e brishtë dhe e zhveshur (nga konteksti) ishte festa jonë, ku derri i prerë (në mënyrë rituale) ishte thuajse i gjithë kuptimi i festës, jo se nuk dihej emri i gjeldetit të Vitit të Ri, po ai për hir të së vërtetës ishte një vizitor tepër i rrallë në anët tona. Po të kishte rënë borë, festa e fitonte magjinë, burrat e lagjes dilnin për të zënë shqez nëpër korrotiqa lisash, pasi lëkura e shqarthit kushtonte shtrenjtë e shkonte për eksport, për palltot e gëzofta të zonjave të kapitalizmit …

Ishte koha kur ende nuk ishte shuar plotësisht rituali pagan i Buzmit Bujar, një inskenim i rrallë teatror, që praktikohej në çdo familje e që lidhej me lutjet dhe gjestet njerëzore për mbarësinë e bimëve dhe pjellorinë e tufave gjatë vitit që po hynte, çka do të kishte qenë fort bukur ta shihnim të improvizuar në Festivalin Folklorik Kombëtar që do të zhvillohet gjatë 2015-s.

Por të mos ikim nga pema simbolike. Njëzet vite më vonë, tashmë në qytet, kur afrohej Viti i Ri, rrëshenasit rrëmbenin nga një sakicë dhe dilnin andej nga kodrat e Gëziqit apo merrnin teposhtës së Rubikut, kësaj here jo më për dëllinja, por për pisha hollake. Gjyshet kishin vdekur, kurse Kërshëndellat ishin ringjallur. Pema tashmë ishte në vendin dhe emrin e vet, e Krishtlindjeve, por që kuptohet priste e përcillte dhe Vitin e Ri.

Ka vazhduar kështu disa vite, derisa nuk ishte më e nevojshme sëpata, pasi tregtarët do të na sajdisnin me pemë të gatshme pa “gjak” në deje, pemë sintetike, gjithë xhi(stri)ngla – mingla. Nuk i dua aspak pemë të tilla, por i pranoj vetëm kur mendoj se më mirë ato për dy javë sesa të na laskarohet pylli dhe më shumë, drurët e të cilit nuk rritën me vite.

Veç kjo nuk më pengon të përcjell një urim të dëlirë si krojet e Munellës për të gjithë Ju, miq, dashamirë, të njohur e të panjohur, në këtë të kremte Kërshëndellash, brenda dhe jashtë Atmesë së mbarëtrojeve. Për shumë vjet!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button