Opinion

Mes historikes dhe normales

SKËNDER MINXHOZI

Skender MinxhoziTë gjithë thirrën “fitore” në momentin kur u bë publike se pozita dhe opozita kishin arritur një marrëveshje për kthimin e kësaj të fundit në Kuvend, pas gjashtë muajsh bojkoti. Brenda logjikës së të bërit propagandë me çdo gjë që u bie në dorë, dy partitë e mëdha e lexuan në mënyra të kundërta kompromisin e arritur me ndërmjetësimin e fuqishëm europian. Opozita e quajti historike marrëveshjen, pasi sipas saj u arrit të ndalet procesi i kriminalizimit të Parlamentit, si dhe u ra dakord që të zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese(!) dhe të barazohet koha e Kryeministrit me atë të kreut të grupit parlamentar ose dikujt tjetër të caktuar prej tij (kupto Berisha). I gjithë dispozitivi politik dhe mediatik rrotull opozitës, u angazhua që t’i japë kompromisit mes palëve, përmasat e paqena të një suksesi historik për të gjithë shqiptarët!

Nga ana e saj, pozita refuzoi të ndryshojë axhendën e ditës, në seancën kur opozita u kthye në Kuvend, si dhe u shpreh me cinizëm dhe ironi ndaj ekzaltimit të demokratëve. Sipas disa prej deputetëve të mazhorancës, shumica pranoi të bëjë një hap përpara, për t’i shpëtuar imazhin opozitës dhe për ta ndihmuar atë të kapërcejë kolapsin e krijuar prej bojkotit. Dikush u shpreh madje se e majta e shpëtoi PD nga çarja që do të prodhonte qëndrimi jashtë Parlamentit.

Këto qasje kanë brenda ngjyrimet dhe interesat e kampeve përkatëse. Që të dyja me racionalitetin dhe ekzagjerimin përkatës. Së pari, mund të thuhet se qe një sukses i vogël për demokracinë shqiptare, që më në fund opozita pranoi të marrë vendet që i takojnë në Parlament. Themi sukses i vogël, pasi energjia që u shpenzua, imazhi që krijuam edhe një herë përballë europianëve, ishte ai i një demokracie të dobët, plot politikanë sherrxhinj e të paaftë për të ndërtuar, por vetëm për të prishur. Aq sa njëri nga negociatorët, europarlamentari Fleckenstein, deklaronte dje me të drejtë se “keni bërë mjaftueshëm bojkote për këtë shekull”.

Së dyti, vetë marrëveshja është dëshmia më flagrante sesa anakronik dhe qesharak bëhet sistemi ynë politik, kur futet në krizë. Të shkruash se ramë dakord të zbatojmë vendimet e Kushtetueses, është njëlloj si të thuash se u ra dakord që Toka është e rrumbullakët. Ndërkaq, koncepti i dekriminalizimit të Kuvendit, është një tjetër element sa i dyshimtë, aq edhe hipokrit. Deputetët që sot akuzohen për lidhje me krimin, kanë qenë aty qysh ditën kur partia e tyre i paraqiti në KQZ si kandidatë. Askush nuk tha një fjalë për akuzat që ngrihen sot. Kundërshtarët i konsideruan si rivalë në garë, ata morën mandatin në zgjedhje dhe sërish opozita nuk ngriti valën e akuzave që po dëgjohen sot. Përtej së vërtetës së madhe se mekanizmi elektoral aktual u lejon partive të fusin “derrin dhe dosën” në Parlament, fushata e akuzave ndaj një liste të zgjedhurish tingëllon e vonuar dhe për pasojë e pasinqertë. Pasi ata duheshin ndalur kur kandiduan, jo tani që janë në Kuvend.

Nga ana tjetër, të pastrosh Parlamentin nga lidhjet me krimin, me anë të një marrëveshjeje partiake, është njëlloj si të ndalosh diellin me shoshë. Lidhjet e politikës me krimin në këtë vend, majtas dhe djathtas, janë kaq të vjetra dhe solide, saqë nuk ka kompromis që i lëviz nga vendi. Duhet vullnet politik i qartë dhe reforma të dhimbshme, e jo gjeste hipokrite që shërbejnë vetëm për të kamufluar daljen nga kriza të njërës apo tjetrës palë.

Opozita ndien se ka arritur një fitore, me kthimin në Parlament. Që ajo ka evituar një çarje të mundshme brenda vetes dhe që ka shmangur djegien e mandateve të saj, kjo është vërtet diçka e mirë. Por fakti që këtë e ka bërë, pasi këtë ia kanë kërkuar me javë e me muaj thuajse të gjithë miqtë, partnerët dhe institucionet europiane, kjo nuk lë shumë vend për entuziazëm. Ashtu siç nuk e përmirëson as pozitën e Bashës në parti, në një moment delikat për të, si kryetar i një force politike që duhet ringritur.

Dy kanë qenë rastet historike, kur njëra palë ka ushtruar presion, apo edhe ka marrë peng palën tjetër, me anë të bojkoteve të Parlamentit. Rasti i parë, ai i numrave të pamjaftueshëm për të votuar një dekret a ligj konkret. Ka qenë pikërisht ky precedenti i tre ligjeve të famshme që kërkonin 3/5 e votave në Kuvend, që i pamundësuan Berishës votimin, për shkak se nuk kishte votat. Asokohe opozita e majtë, mbajti peng statusin e nëpunësit civil, Gjykatën e Lartë dhe reformën parlamentare.

Ndërsa rasti i dytë, po aq i përdorur sa i pari, është ai i një kalendari kushtëzues, në raport me integrimin europian. E thënë ndryshe, opozita vendos të “bëjë zhurmë” me anë protestash apo bojkotimi të Parlamentit, duke u përpjekur të dëmtojë shanset e vendit për të nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme, a për të nisur një marrëdhënie të re me Brukselin. Ka qenë rasti i marrjes së statusit të vendit kandidat, por edhe i shumë raporteve të tjera me Europën e Bashkuar apo edhe institucione të tjera ndërkombëtare, të cilat janë dëmtuar për shkak të destabilizimit politik në Shqipëri.

Për fatin e keq të opozitës, asnjëra nga këto rrethana nuk është e pranishme sot në panoramën politike të vendit tonë. Statusin e morëm në verë, e kjo shënoi objektivin më të lartë të mundshëm, që shqiptarët mund të synojnë në rrugën e integrimit europian në planin afatmesëm. Në horizont nuk duket asnjë shënjestër tjetër e afërt, nëse analizojmë shanset reale dhe performancën tonë si shtet.

Sa për shifrat, opozita aktuale ndodhet sot në njërën prej pozitave më të pafavorshme që është ndodhur ndonjëherë pakica parlamentare, që nga rënia e komunizmit. Me kapjen e kuotës shifrore që i lejon miratimin e ligjeve me tre të pestat, mazhoranca aktuale ndihet tërësisht e imunizuar nga rreziku i bllokimit në Kuvend. Për pasojë, obstruksioni parlamentar është sot një ndër sfidat më të vështira për t’u fituar, përballë një supermazhorance si kjo që po qeveris.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button