Kryeartikull

Pasuria e shenjtë e varferisë

ANDREA STEFANI

Andrea-Stefani-Një video tronditëse ka qarkulluar këto ditë në faqet e internetit. Por edhe më shokues është fakti se ajo ka tërhequr shumë pak vëmendjen e publikut shqiptar, që nuk ndien lodhje së debatuari për krime, skandale apo seks. Mos po shtazërohemi ndërsa shfaqemi të pandjeshëm kur duhet të derdhim lot, ndërsa zgërdhihemi atëherë kur duhet të mendohemi, ndërsa tallemi kur duhet të turpërohemi? Ku po shkojmë?

***

Videoja në fjalë, shkas i këtij refleksioni, është prodhuar nga Josh Paler Lin, producent i njohur në internet. Këtë herë, diku në një qytet të SHBA-së, ai ka dashur të zbulojë se çfarë mund të bëjë një lypës me lëmoshat që arrin të mbledhë. Vallë do i shpërdorojë për alkool apo drogë? Një kuriozitet a dyshim që rëndom e ruajmë të gjithë, madje që edhe na frenon të japim lëmoshë duke qenë shpesh, në të vërtetë, një racionalizim i mjerë, me të cilin rrekemi t’i fshehim vetes kurnacërinë. Dhe mungesën e empatisë që është mungesë e dashurisë për njeriun.

***

tomas_1Përvoja e Lin, e faktuar në videon në fjalë, provon krejt të kundërtën. Provon se në këtë botë të përmbytur nga dallgët e egotizmit, ambicies apo urrejtjes, mbijeton ende mrekullia e altruizmit dhe e dashurisë! Shikojmë në video si Lin i drejtohet një lypësi dhe i jep 100 USD. Shuma është e pazakontë për një “biznes” të tillë sa lypësi i shkretë shtanget. Madje aq shumë, sa e pyet bamirësin nëse është i sigurt për një dhurim të tillë. Dhe kur bindet për vendosmërinë e tij, nuk di si ta falënderojë veçse duke i ofruar një përqafim. Nuk më ka ndodhur kurrë në jetë një gjë e tillë – shton i mrekulluar Tomasi. Kështu quhej lypësi. Pa e ditur se mrekullia është ai vetë dhe ajo që ai do të bëjë pak më vonë.

***

Lin ndjek me kamera Tomasin. Nga do ia mbajë dhe ç’do të bëjë me paratë? Dhe për një moment u duk sikur do të ndodhte e dyshuara. Tomasi hyri në një dyqan ku shiteshin edhe pije alkoolike. Dhe del prej andej me nja dy qese në duar që më pas i fut në torbën e madhe që e hedh në shpinë. Dhe niset. Po për ku? Kamera e ndjek nga pas. Ec e ec dhe shohim që i afrohet një çifti, me sa duket i pastrehë, që po rri në stolat e një lulishteje. Shkarkon torbën nga krahu, përkulet, e hap dhe u zgjat atyre një rrotullame të madhe buke. Nuk mundemi të dëgjojmë se çfarë i thonë njëri-tjetrit. Por e shohim të hedhë torbën në krahë dhe të niset përsëri për diku. Si një Santa Krishtlindjesh. Dhe ndërsa ikën, lë prapa bukën e rrumbullakët, si një diell dashurie që ngroh. A nuk është ky një atribut prej perëndie?!

***

Ecën, ecën dhe përsëri i afrohet një tjetër grupi të skamurish. Përsëri shkarkon torbën, e hap dhe nis t’u zgjasë ushqimet që i ka blerë në market me 100 dollarëshin që sapo i kanë dhuruar. Është momenti kur edhe autori i videos nuk mund ta zgjasë më sekretin. I afrohet dhe i shpjegon Tomasit se po e ndiqte me kamera. Ndoshta mendove se do t’i shpenzoja paratë për alkool – nuk i lë kohë të shpjegohet Tomasi. Dhe në përgjigje të habisë së Lin i shpjegon misterin e asaj që ka ndodhur: I rrëfen se ka mbetur i papunë ngaqë i është dashur të kujdeset për prindërit që, për fat të keq, i vdiqën njëri pas tjetrit brenda pak muajsh. Për këtë shkak humbi edhe shtëpinë, duke mos mundur të shlyejë dot kredinë. Nisur nga kjo përvojë fatale shpjegon se ka njerëz që mbeten të pastrehë jo se janë përtacë apo me vese, por për shkak rrethanash fatale si sëmundja, divorci apo papunësia. Dhe sqaron: “Ka gjëra që nuk blihen dot me para dhe unë ndihem i lumtur me këtë që po bëj!”.

***

Ka humbur prindërit, shtëpinë, gjithçka që ne e quajmë të shtrenjtë për jetën. Por nuk ka humbur aftësinë për të kërkuar lumturinë, bekimin për të qenë i lumtur. I flakur nga bota e materialitetit në trotuaret e mjerimit, mbetet i aftë të falë lumturi! Si është e mundur një e tillë mrekulli?! Si është e mundur që nuk egërsohet me botën, me njerëzit, me shoqërinë dhe shtetin që janë treguar aq, në mos të pamëshirshëm, të shurdhër ndaj jetës së tij? Si nuk iu drejtua për shpëtim alkoolit, për t’u arratisur nga kjo botë me anë të avujve të tij?! Si nuk iu drejtua vjedhjes si hakmarrje për indiferencë ndaj fatit të njeriut, krimit si hakmarrje ndaj cinizmit çnjerëzor të njerëzve?! Janë këto pyetje që bëjmë për të kuptuar atë që mbetet thuajse e parrokshme nga mendësia e luftës së përditshme, cinike dhe të egër, nga mendësia e kacafytjes sonë për mbijetesën. Të kuptojmë si nga mjerimi lindka edhe bamirësia, nga vuajtja edhe dashuria, nga fataliteti edhe mirësia.

***

E pra si? E gjitha shpjegohet vetëm me cirkonvolucionet e ndërlikuara të shpirtit njerëzor. Me gjymtimet e tij, por edhe aftësinë që ka për sublimim apo ringjallje. Përgjithësisht prirja jonë është të marrim dhe jo të japim. Besojmë se sa më shumë që të marrim aq më të lumtur do të jemi. Kjo na vendos edhe në anën e gabuar në raport me dashurinë. Duam që të na duan, por nuk dimë të japim dashuri, nuk njohim artin e të dashuruarit. Jetojmë në mes të orgjisë materiale të rrëmbimit pa qenë të ndërgjegjshëm se jemi fatalisht të dënuar të zhgënjehemi. Sepse lumturia është të japësh, dashuria është të japësh!

***

Dhe atë që nuk janë në gjendje ta bëjnë dot shumica e njerëzimit, që nuk e bëjnë dot as të famshmit e kësaj bote, as presidentë, artistë madje as edhe papët, e kryejnë njerëz të vobektë si Tomasi. Të vobektë materialisht, por me pasuri të pamat të shpirtit, me zemrën sa vetë bota që u ka kthyer shpinën. Një i varfër, një i pastrehë që lyp bukën e përditshme dhe kur e gjen, e ndan më të tjerë bashkëvuajtës! Është vërtet një mrekulli e shpirtit njerëzor, në të cilën qëndron shpresa e njerëzimit. Sepse nuk fal një thërrime nga mirëqenia që rëndom lëshojmë si qindarkë në duart e zgjatura të mjerimit. Fali kafshatën e bukës, kafshatën që mund të mos e këtë nesër. Ajo bukë e falur është trupi i atij që fal, është jeta e tij që i dhurohet tjetrit. Egoizmi ka vdekur. Është egotizmi i varrosur. Dashuria për veten është barazuar me atë për tjetrin si vetja, është sublimuar në dashurinë për njeriun! Fale gjithçka ke i tha Krishti të pasurit dhe eja pas meje! I pasuri nuk e ndoqi dot. Gravitacioni i kamjes dhe parasë është një prangë e ftohtë për shpirtin. Por një prangë që ndodh të këputet ose nga fuqia shpirtërore ose edhe nga fataliteti që rëndom bashkëshoqëron botën e materialitetit. Dhe pastaj shpirti fiton lirinë për të bërë atë që mund ta bëjë vetëm një shenjt. Për t’u falur gjithçka njerëzve. Edhe bukën e gojës. Ashtu siç sapo bëri edhe një Shën Tomas i kohës sonë!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button