Politika

Shqipëria 2014: Papa, bashkëpunimi, dhuna, bojkoti…

Ndër ngjarjet më të jashtëzakonshme për Shqipërinë në vitin 2014 ishte vizita e Papa Françeskut më 21 shtator. Ai vlerësoi atmosferën e tolerancës dhe harmonisë fetare. Por ka pasur dhe shumë ngjarje të tjera.

Shqipëria afrohet me BE
Shqipëria afrohet me BE

Papa nënvizoi se regjimi komunist eksperimentoi mes të tjerave dhe ateizmin, duke prishur e rrënuar objektet e kultit, duke burgosur, internuar dhe ekzekutuar klerikët nga të gjitha besimet. Mesazhi i Papës ishte i qartë, kur ju drejtua dhjetramijë pelegrinëve dhe qytetarëve që e shoqëruan plot vëmendje vizitën e tij në Tiranë: “Erdha për t’iu inkurajuar që të rritet shpresa brenda dhe mes jush. Uroj që shqiponja, që keni në flamurin tuaj, të mbajë gjithmonë shpresën te Zoti që nuk zhgënjen e qëndron pranë në momente të vështira”.

Papa në Shqipëri
Papa në Shqipëri (21 shtator)

Viti nisi me një ogur

2014-a nisi me një ogur të mirë në raportet mes Tiranës dhe Prishtinës, kur dy qeveritë, e Shqipërisë dhe të Kosovës, zhvilluan më 11 janar një mbledhje të përbashkët. Ato bënë disa nisma konkrete, për intesifikimin e marrëdhënieve me projekte të përbashkëta në ekonomi, tregëti, arsim, kulturë dhe fusha të tjera me interes reciprok, një agjendë që do të ndiqet në mënyrë periodike nga trupa ekzekutive e të dy shteteve.

Konferenca në Berlin - Rama, Merkel dhe Barroso
Konferenca në Berlin – Rama, Merkel dhe Barroso

Bashkëpunimi dhe bashkërendimi në nivel rajonal, ka qenë një prej trendeve më të rëndësishme të vitit 2014, kur në fund të gushtit u organizua në Berlin Konferenca për Ballkanin Perëndimor, e cila ishte një konfirmim i qartë i angazhimit të drejtëpërdrejtë të Gjermanisë dhe BE-së në të paktën dy aspekte kryesore: avancimin e kooperimit mes shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe akselerimin e procesit të integrimit të tyre drejt anëtarësimit me të drejta të plota në familjen europiane. Sipas iniciatores së Konferencës, kancelares gjermane Merkel: “Ka shumë gjëra që mund të bëhen bashkërisht. Nevojitet intensifikim i marrëdhënieve mes vendeve tona.” Por nga ana tjetër ajo ishte e drejtëpërdrejtë dhe në nevojën e reformave të besueshme, pasi “qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor janë të mërzitur me korrupsionin dhe nuk duan më gjykatat, që nuk funksionojnë mirë. Keqmenaxhimi, kriminaliteti i organizuar dhe ekonomia informale është në të gjitha vendet një problem i vazhdueshëm, po ashtu edhe niveli i lartë i papunësisë së të rinjve. Prandaj çdo vend duhet të krijojë premisat për pranimin në Bashkimin Evropian në sektorët e sundimit të ligjit dhe punën efikase të administratës”.

Vizita e Ramës në Beograd dhe statusi i kandidates

Drona që shtyu vizitën e Ramës në Beograd
Droni që shtyu vizitën e Ramës në Beograd

Marrëdhëniet mes vendeve të rajonit lipset të tejkalojnë dhe hije nga e kaluara. Kjo u tregua dhe ndeshja e 14 tetorit 2014 mes kombëtares së Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd, një përballje që u kaplua nga stresi dhe tensioni i përzjerë me nota nacionaliste dhe urrejtjeje frenetike nga turmat e tifozëve në shkallët e stadiumit, që prodhoi më pas një shfaqje të shëmtuar dhe në fushën e blertë, ku lojtarët harruan topin për t’u përfishirë në xheste dhe reagime me nuanca politike. Atmosfera kontraverse e kësaj ndeshjeje futbolli infektoi dhe vizitën e kryeministrit Edi Rama 4 javë më vonë po në Beograd, duke kompleksuar bisedimet dhe deklarimet mes tij dhe homologut serb Aleksandër Vuçiç.

Rama dhe Vuçiç u takuan, por plasi sherri rreth Kosovës
Rama dhe Vuçiç u takuan, por plasi sherri rreth Kosovës

2014-a patjetër që do të mbahet mend dhe për realizimin e një objektivi strategjik të Shqipërisë në procesin e integrimit europian: marrjen e statusit të vendit kandidat, një verdikt që u refuzua disa herë më parë nga Brukseli. Ndërmarrja e reformave thelbësore nga qeveria e kryeministrit Rama, klima politike dhe inkursioni i pashembullt policor për t’u ndeshur me grupet kriminale të kultivimit dhe trafikut të lëndëve narkotike në Lazarat dhe në rajone të tjera të vendit- duken se inkurajuan Komisionin Europian për një “PO” në marrjen e statusit të vendit kandidat.

Vrasja e Santos dhe dhuna në parlament

Por se sa i brishtë është progresi në Shqipëri këtë e tregoi vrasja të nesërmen e këtij vendimi historik e bankierit të njohur Artan Santo, një ekzekutim tipik mafioz, në mes të Tiranës, vetëm pak metra nga zyra e tij, për të cilën ende nuk ka gjurmë të autorëve të dyshuar. Gjithashtu vetëm dy javë më pas, dhuna e ushtruar në ambjentet e parlamentit në Tiranë, ndaj një deputeti të opozitës, solli vendimin ekstrem të PD për të bojkotuar aktivitetin e organit ligjëvënës, duke provokuar dhe debatin mbi çështjen e dekriminalizimit të parlamentit nga anëtarë me të kaluar të

Parlamenti
Parlamenti

dyshimtë dhe të penalizuar nga organet e drejtësisë. Rezistenca e deputetëve të opozitës në kauzën e tyre të bojkotit zgjati deri në limitin e djegies së mandateve, një proces që u shpëtua nga ndërhyrja energjike e grupeve kryesore në Parlamentin Europian, të cilët u investuan përmes dy të dërguarve të tyre si negociatorë në Tiranë, Eduard Kukan nga të djathtët dhe Knut Flenckeinstein nga të majtët. Marrëveshja e 24 dhjetorit mazhorancë – opozitë me “bekimin” e Kukan – Flenckeinstein, që plotësoi vendet e mbetura bosh për 6 muaj në parlament, ishte si një “dhuratë” e krishtlindjeve, e cila mbetet për t’u parë në jetëgjatësinë dhe vërtësinë e saj. Mbetet për të verifikuar gatishmërinë e angazhimit të krahëve të politikës shqiptare në bashkëpunimin për çështje me interes për publikun dhe për vendin. Nëse fryma e padurueshme konfliktuale dhe bojkotuese do të mbeten thjesht në inventar të 2014-s, apo do të fanepsen dhe në 2015-n e më pas.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button