Opinion

Një kartolinë pa urim dhe pa mesazh

ILIR YZEIRI

Ilir YzeiriPërdëllimi, përkushtimi i tepruar, zelli deri në vetësakrifikim janë cilësi të një personaliteti të butë dhe të mpirë që pret çdo zgjidhje nga Perëndia, nga Udhëheqësi, nga fati apo që e shpjegon jetën e vet si korkolepsje rastësish të paravendosura. Shqiptarët kanë kaluar tani nga jeta e fiksuar në një idhull, në jetën e shthurur, ku të gjithë e ndiejnë veten magjistarë. Viti që shkoi ua hoqi deri diku magjinë për të bërë gjithçka në këtë vend dhe beteja që nisi qeveria e re pas 23 qershorit u përjetua më shumë si një luftë mes dy pushtuesish. Nga njëra anë ishin shqiptarët pa idhuj e pa krena që e kanë pushtuar këtë vend dhe sillen me të ashtu si çdo i huaj, duke mos paguar energji, duke mos paguar taksa, duke zaptuar territore dhe nga ana tjetër, një pushtues i ri, qeveria, që po përpiqej të hidhte në det këtë rrumpallë. Askush nuk e mori vesh sesa biznese të paligjshme u prishën, sa lidhje të paligjshme u ndërprenë, sa troje u liruan. Shqiptarët mbetën po njësoj dhe në jetën e tyre ekonomike nuk ndryshoi asgjë. Në anën tjetër të lumit qëndron një pushtues i ri, opozita që ndër dhjetë fjalë ka zgjedhur të përdorë tre. Ajo duke parë me dylbi atë që ndodh në fushëbetejën mes dy pushtuesve dërgon herë pas here një dervish që shpërndan kumte të zymta që përmblidhen në tri fjalë: qeveria e vajmedetit, zullum dhe sapun për djathë. Në gjithë këtë rrëmujë, dikush kujtohet të nxjerrë nga gjoksi një parzmore folklorike me teknologjinë më të përparuar. Droni i lëshuar mbi Beograd u kujtoi shqiptarëve se janë një popull që, siç thonë imamët e opozitës, nuk e ha sapunin për djathë dhe që sensin e humorit dhe të provokimit historik e kanë më të lartë se cilido tjetër ballkanas. Fjala “provokacija” iu shtua fjalorit të rrudhur dhe me ashkla druri që shqiptarët e përdorin tash njëzetë e ca vjet. Pas dronit, një tjetër ballonë e gjatë u bë objekt debati europian. Edi Rama hyri në historinë e marrëdhënieve me Serbinë, ashtu si Ballist Morina. Që të dy, njëri nga ajri dhe tjetri nga toka e çliruan territorin e ligjërimit folklorik serb dhe e minuan atë me disa ashkla të reja fjalësh, si Kosovë e pavarur, Europë dhe paqe. Duke e shpallur veten luftëtare e së resë dhe ngadhënjimtare mbi botën e vjetër, qeveria e re u shpalli luftë të gjithëve dhe premtoi se do të çlironte trojet arbërore nga pushtimi i gjatë i armikut. Nisën betejat për të shpëtuar shëndetësinë, arsimin, ekonominë dhe të gjithë u bënë gati që të shihnin mrekullinë që vjen pas një pushtimi të gjatë. Mirëpo, ashtu siç ndodh shpesh me betejat e mëdha, jo gjithmonë fundi mund të parashikohet. Ajo që dihet qysh më parë është fillimi. Dhe çdo betejë është joshëse në fillim. Nisja e luftës ka shumë pasion, ka shumë erotizëm. Të ngre mishtë përpjetë, por kur ajo nis me të vërtetë, atëherë fillon të shfaqet me gjithë mizorinë e saj, proza e mërzitshme e betejave, dështimet spektakolare të akisoneve dhe betejat e humbura bëhen gjithnjë e më të prekshme. Mileti i gjorë del në ballkon dhe sheh se nga beteja në shëndetësi ka mbetur vetëm imazhi i ministrit që tha se do të heqim kioskat nga spitali “Nënë Tereza”, se do të rregullojmë parkingun e makinave të spitalit dhe se do të vëmë matës për makinat që hyjnë në spital, në mënyrë që parkingu të jetë model. Ky që deklaronte këtë hata ishte ministri i Shëndetësisë. Nga ajo kohë e deri sot askush nuk kujtohet se çfarë ka ndodhur në atë sektor, por të gjithë e ndiejnë afshin e rëndë të gjumit që ka përfshirë atë. Për të mos folur pastaj për ekonominë. Ky sektor do të mbahet mend vetëm për çmimet e bletëve që iu dhanë disa biznesmenëve, të cilët, asnjëherë nuk u shfaqën hapur dhe mileti i gjorë nuk e kuptoi kurrë se ku e bëjnë mjaltin ato biznese. Nëse ka një sektor që meriton të përshëndetet dhe që do të mbahet mend nga të gjithë, ai është Rendi Publik. Sajmir Tahiri, përtej ironisë që po përdor në këtë kartolinë pa mesazh, është i vetmi shtetar në këta njëzetë e ca vjet që ka shënuar një sukses të matshëm. Ndërsa kur sjell ndër mend rrugët në Shqipëri dhe ministrin e Transporteve, më merr të qeshurit dhe të qarët. Ne po harrojmë, por për gjashtë muaj kjo qeveri po e kalon gjysmën e mandatit dhe në këtë gjysmë mandati nuk ka arritur të mbyllë punët e hapura nga qeveria e mëparshme. Grotesku i dështimit me rrugët është kodra e Ibës që u shemb bash atëherë kur ministri i rrugëve mund të dilte dhe të na thoshte sukseset në këtë lëmë. Mirëpo ajo që e bën të trishtuar këtë fundviti është segmenti nga Vora në Tiranë që po i dënon shqiptarët me terror psikologjik. Si ka mundësi që edhe pas njëzetë e katër vjetësh, ne nuk arrijmë të kryejmë shpejt një punë të rëndësishme që prek aortën e Shqipërisë? Si ka mundësi që u dashkan gjashtë muaj për të bërë një rregullim në 7 km rrugë? Është e paimagjinueshme kjo që po ndodh në këtë fundviti me segmentin nga Dogana deri në kthesën për në Rinas. Torturë, mërzi, lodhje dhe dy makina e dy punëtorë që kanë bllokuar 5 km rrugë për të bërë një ndarëse në mes dhe për të shtruar ca metra kabllo. Pikërisht tani që shumë shqiptarë kthehen nga jashtë vendit, pikërisht tani ata duhet të masakrohen në rrugën për të hyrë në Tiranë, ku disa policë të rraskapitur e të lagur në shi herë të drejtojnë në Kashar, herë në Yrshek e herë tjetër nuk e di se ku. Jemi ndoshta vendi më fatkeq në botë që në këta njëzetekatër vjet rrugët nga Tirana deri në Durrës, në Shkodër apo në Vlorë apo edhe në Elbasan nuk i kemi pasur kurrë të përfunduara. Gjithmonë nga një segment ka qenë i bllokuar si për të na kujtuar se nuk e meritojmë të udhëtojmë si njerëz. Dhe si për ta mbyllur gjithë këtë histori, kryeministri i vendit nuk jep Ballo Presidenciale siç bën Presidenti, po bën një estradë me 250 gazetarë të zgjedhur nga Endri Fuga, këshilltari i Kryeministrit që fut në sherr gjysmën e gazetarëve, sepse e heq veten si mazhordom oborri dhe meqenëse njohuritë i ka me kursim nuk e ka për gjë që të shpallë gazetarë atë që do ai dhe atë që di ai. Po kjo është një histori tjetër. Kryeministri ynë nuk shqetësohet shumë për perimetrin e njohurive të mazhordomit të tij, sepse falë Zotit ai shumë punë nuk i merr seriozisht. Që në titull të shkrimit e kam përcaktuar se kjo është një kartolinë urimi po pa adresë dhe pa asnjë mesazh. Ndaj askujt nuk kam pse t’i them “Gëzuar!”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button