Kryeartikull

Shqipëria – 2015, pengohet prej vetes , favorizohet nga vështirsitë e botës

ALEKSANDËR ÇIPA

Aleksander CipaTranzicioni, trashëgimia dhe ndërgjegjja në raportet: individi me shtetin dhe shteti ndaj individit, janë përcaktuesit që nuk na japin besim se viti 2015 do të jetë i ndryshëm politikisht nga pararendësi i tij, 2014-a. Politika në Shqipëri ka pak kohë që e ka humbur aftësinë për të udhëtuar në periudhë ndryshuese për mirë. Në pesë vitet e fundit, madje ajo konsumon kohë dhe ditë me zhvillime retrograde. Qeveria e Kryeministrit Edi Rama kaloi një vit politik shumë të vështirë. Të tillë e kaloi për disa arsye: trashëgoi një fond financiar të zhdukur në një gropë të cilën e kishte mbuluar diabolikisht qeveria pararendëse. Një gropë që nuk dihej vetëm si bilanc financiar apo borxhesh shumëplanëshe, por edhe si gjendje monetare. Gropa monetare ka mbetur e paqartë edhe më tepër, pas zbulimit të dyshuar prej skandalit të vjedhjes fizike nga thesari i Bankës së Shqipërisë. Në këto kushte, qeveria e zotit Rama po shfaqet dhe vepron si një kabinet me energji goditëse ndaj së paligjshmes dhe informalitetit. Ky i fundit, pra informaliteti, përbën realitetin dominant të së shkuarës me emrin tranzicion dhe me trashëgimi të thellë në ndërgjegjen masive të qytetarëve. Ky sistem informaliteti e ka mbajtur shtetin të dobët, të dhunuar dhe shpërfillur, të kapur dhe në gjendjen e një demokracie hibride të pakrahasueshme me dikënd tjetër në rajon apo gjetkë. Karakterizimin më të mirë të tablosë së Shqipërisë së 2014-s do ta realizonte një koleg i amerikanes “New York Times”: Ekziston një vend në Ballkan, i cili kufizohet me vetveten. Ku të papunët më së shumti punojnë. Ku të gjithë nxitojnë për në punë, dhe askush nuk arrin në kohë. Aty ku 8-orëshi i punës zgjat 12 orë. Aty ku shëndetësia është pa pagesë, ndërsa shërimi i shtrenjtë. Ku gazetarët janë të lirë të shkruajnë çdo gjë që ju urdhërohet. Ku sekretet shtetërore janë publike. Aty ku historia përsëritet çdo ditë. Ku më të pasurit janë njerëzit, të cilët kurrë nuk kanë punuar. Aty ku përdoret valuta e huaj. Aty ku të mençurit i deklarojnë të çmendur, dhe të çmendurit të aftë. Aty ku analfabetët e shkruajnë historinë. Aty ku ligjet janë të paligjshme, ndërsa anarkia gjendje normale. Aty ku jetohet për të ardhmen sepse për të tashmen nuk kemi të drejtë. Aty ku çdokush e përqesh tjetrin dhe askush askujt nuk ia dëshiron të mirën. Aty ku proceset gjyqësore zgjasin më shumë se jeta. Ku përmbytjet janë e vetmja mënyrë për ujitje. Ku konsiderojnë se vendi do të përparojë më shumë nëse xhiron gjithnjë e më tepër. Ku normalët nuk janë të nevojshëm, dhe punësohen të papërshtatshmit e jo të aftët. Është në Ballkan një vend ku me ndershmëri, sinqeritet dhe zell kurrë nuk do të arrish qëllimin e dëshiruar …!”

Kjo Shqipëri e absurdit për vitin 2015 ka paracaktuar një palë zgjedhjesh vendore dhe disa paqartësi politike. Zgjedhjet lidhen me një konkurrim mes partive që parathotë pabarazi. Ndarja e re territoriale apo administrative, siç njihet ndryshe, duket se është skema që favorizon koalicionin e majtë në pushtet. PS dhe LSI si partnerët qeverisës, dyshohet se kanë pasur gjithë mundësinë për mishërimin e një skeme favorizuese për marrjen e qeverisjes në shumicën e njësive vendore të vendit.

Opozita e zotit Lulzim Basha, që pason udhëheqësin historik të së djathtës së tranzicionit postkomunist, zotin Sali Berisha, ka hyrë në kohën e provës së përballjes së vetëreformimit. Pushteti tetëvjeçar e konsumoi në shumë aspekte, por edhe koha e gjatë e jetesës në tranzicion të tejzgjatur për shkak të vetes, i ka krijuar raport të vështirë me qytetarët dhe sidomos mbështetësit e vet djathtistë.

Të dyja partitë kryesore në vend jetojnë një kohë zhgënjimi dhe pakënaqësie, e cila është faktori që fsheh për kushedi se kur, sfida dhe surpriza elektorale. Koha e këtij besimi në bjerrje ka favorizuar forcën e tretë, të dyshuarën dhe me perceptimin e të qenët me korrupsionin më të lartë, LSI-në.

Zgjedhjet vendore të 2015-s paraprihen nga dyshimi për skemën favorizuese të koalicionit qeverisës PS-SLI, por edhe prej dilemës për një bojkot të mundshëm nga opozita që udhëheqës ka simpatikun pa karizëm Basha dhe mendje udhëruese të vjetrin Berisha. Një skemë e mundshme, por e vështirësuar për t’u përdorur pas mbylljes së bojkotit disamujor parlamentar falë një ndërhyrjeje nga BE dhe nënshkrimit të një marrëveshjeje me ndërmjetësim ndërkombëtar. Nëse nuk ripërsëritet bojkoti i plotë i PD-së në zgjedhjet e pritshme vendore, së paku pashmangshmërisht diçka tjetër do të gjenerohet prej mendjes së zotit Berisha. Aq më tepër që edhe pse është larguar nga mandatet udhëheqëse, nuk braktis rolin aktiv të udhëheqësit historik brenda saj. Mes tij dhe qeverisë Rama-Meta po riciklohet dhe mbahet në fuqi një frymë dhe linjë e egër konfliktualiteti, prej së cilës imponohet e inspirohet edhe qëndrimi zyrtar i PD-së për çdo gjë e në shumëçka. Në konflikt dhe në krizë ai luan më zotësisht, sepse imponohet nga pozita e ankimtarit dhe e të dhunuarit të dhunshëm.

Por sidoqoftë, mes kreut të PD-së Basha dhe kryeministrit socialist Rama, ka kohë dhe momente politike që mbartin reminishencë të plotë. Mandati i zotit Basha si kryebashkiak aktual i Tiranës është i krahasueshëm me mandatin e fundit të ish-kryebashkiakut Rama. Periudhat e të qenët në kohë të ndryshme si kryetarë opozite, janë po aq të përngjashme dhe me brendi tërësisht të krahasueshme. Absurdi i politik i njërit brenda mandatit, po ripërsëritet si absurd në kohën tjetër politike, të tjetrit. Në këtë mënyrë, edhe në rast se zoti Basha do të humbasë zgjedhjet vendore si kryetar opozite, nuk parashikoj si ndëshkim adekuat dorëheqjen e tij nga kreu i PD-së, por një skenar të përngjashëm me atë që ndoqi zoti Rama kur humbi mandatin e kryebashkiakut, duke qenë kryetar opozite.

Opozita, në muajt e parë të vitit 2015, ka paralajmëruar protesta masive dhe opozitarizëm të ashpër. Kjo devizë e saj përkon edhe me një frymë pakënaqësish brenda socialistëve të cilët, jetojnë kohën e një mandati që nuk i ka përfshirë të gjithë dhe që brenda partisë, udhëheqësia e re në raport me të vjetrit, jetojnë pakënaqësinë e heshtur.

Koha e qeverisjes e mbërritur në vitin e dytë të saj është e paqetë. Po ngjet përkeqësimi, përkundër premtimit për një qetim social dhe energjizëm në tregun e punës dhe atë të lehtësimit të shtrëngesës ekonomiko-financiare për qytetarët në nevojë. Forca vepruese e Kryeministrit Rama, përkon me nevojën për të fituar betejën për instalimin e shtetit ligjor, por nuk korrespondon në çdo gjë, me shtetin e së drejtës. Mirëpo efekti i pritshëm pas masave drastike kundër ndërtimeve të paligjshme, (ose asaj që ndryshe njihet si barbaria urbane në krejt vendin), triumfi i ligjzbatimit si frymë vepruese si dhe disa masa të tjera, mund të jenë arsye krenimi në fund të mandatit qeverisës së Kryeministrit Rama. Mirëpo opozita, këtë kohë, po e llogarit ndryshe dhe me skemën e vet. Pakënaqësinë e heshtur brenda PS-së dhe diferencën e korrupsionit mes dy partnerëve në qeverisjen e majtë, kërkon ta përdorë politikisht, duke reaguar me populizëm dhe pse jo, duke fituar aleancën me kategoritë e ndryshme të të pakënaqurve. Kostoja politike e kësi aleancash dhe tubimesh prej të pakënaqurve, gjithmonë peshon e rëndon mbi qeverinë. Qeverisë “Rama” veç kësaj përballjeje, i kanoset edhe përballja me një kohë të vështirë, me një periudhë të krizës së thellë financiare dhe të një realiteti rajonal e global të zhytur në paqartësi e të ardhme të turbullt ekonomike e financiare.

Qeveria e zotit Rama, për vitin 2015, e ka të mirëpërcaktuar vijueshmërinë e diplomacisë së 2014-s. Në planin rajonal ajo spikati gjatë vitit që lamë pas, për kalimin nga pozita e një qeverie që rikonfirmonte intensivisht qëndrimet dhe kontributin konstruktiv, në momentin dhe kohën e një qeverie me pretendime udhëheqësimi rajonal. Samiti i Berlinit e konfirmoi këtë edhe në planin institucional ndërkombëtar. Takimet në Vjenë gjithashtu. Diplomacia e Kryeministrit Rama, e shprehur dhe realizuar në vizitat e aq debatueshme dhe nën një klimë tensioni etnik në Beograd, i shtuan perceptimet publike për rolin paritar dhe gjestet supremative të saj. Diçka e tillë mishërohet edhe në relacionet apo axhendën e shkëmbimeve me Greqinë fqinje apo Maqedoninë. Brenda hapësirës shqiptare, Kryeministri Rama ka shfaqur dhe ka dëshmuar një protagonizëm që nuk ka shkaktuar krisje apo teka politike shqiptare.

Ndërsa në lidhje me kalendarin e paracaktuar për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, mendoj se Shqipëria po dëshmon ndjekjen e një strategjie me thelb jo lutës, por paralajmërues. Koha e vështirë gjeopolitike që rëndon në hapësirën ndërkombëtare, e tillë e paralajmëruar edhe në kontinentin tonë dhe sidomos, tangjentet gjeodiplomatike që lëvrijnë në klimën e riftohjes globale, janë një avantazh indirekt për ambicien shqiptare të anëtarësimit në BE. Arritja ose jo e këtij objektivi në 2015, mendoj se nuk ka protagonist të parë politikën e shqiptarëve brenda Shqipërisë, por kontekstet dhe zhvillimet së pari, brenda BE-së dhe së dyti, në raport me Ballkanin.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button