Arte

Inva Mula, mbretëresha e fundvitit në Operën e Marsejës

Sopranoja e njohur shqiptare do të interpretojë në “L’elisir d’amore” mbrëmjen e fundit të 2014-s, në teatrin e madh

invaSopranoja e njohur shqiptare Inva Mula, është zgjedhur si mbretëresha e fundvitit për Teatrin e Operës së Marsejës. Më 31 dhjetor, ajo do të ngjitet në skenën e këtij teatri e veshur si Adina, në komedinë gazmore “L’elisir d’amore” (Eliksiri i dashurisë), nën muzikën e Roberto Rizzi Brignoli dhe orkestrën e këtij teatri. Diva shqiptare do të interpretojë përkrah Jennifer Michel, Paolo Fanale, Armando Noguera, Paolo Bordogna. Vepra, e cila ka pasur premierën më 23 dhjetor, është dhënë sërish për publikun më datën 27 të këtij muaji, për t’u ngjitur përsëri ditën e nesërme, si zgjedhja e këtij teatri për të mbyllur një vit të suksesshëm siç ishte 2014 për Operën e Marsejës. Interpretimi i artistes shqiptare është pritur mirë nga kritika dhe spektatori. Komedia e Gaetano Donizetti-t, e cila vazhdon të magjepsë spektatorët në çdo teatër në botë, ku kjo vepër interpretohet, do të ngjitet sërish në skenën e teatrit dhe në ditët e para të vitit 2015, 2 dhe 4 janar.

Inva Mula është shfaqur e jashtëzakonshme nën veshjen e Adinës, këtij personazhi kaq të dashur për publikun. E ndjeshme dhe me zërin që e bënte të paharrueshme performancën e saj skenike, ajo ka bërë që shfaqja të shihet me aq dëshirë. Ajo ishte vajza kapriçioze përballë dëshirave të një djaloshi të ndrojtur ndaj dashurisë për të. E veshur me fustanin e gjatë të bardhë të Adinës, Inva ka qenë mbretëresha e mbrëmjes. Fotografitë gjatë shfaqjes së sopranos shqiptare janë vënë në faqen zyrtare të Operës së Marsejës. Adina duket një rol i dashur për artisten, e cila i ka dhënë jetë asaj në skena të ndryshme të botës. Në vitin 2007, ajo interpretoi Adinën në Toulouse të Francës. Një vit më vonë, më 2008-n, ajo do të shkëlqente në këtë rol në San Francisko. “Me fytyrën e saj vajzërore dhe me një vokal të plotë, Inva ishte një Adinë e shkëlqyer”, shkruante shtypi 6 vjet më parë. “Me flokët e saj të verdhë, elegante dhe me zë të dashur, sopranoja shqiptare, Inva Mula (Adina), duket dashuria ideale për Nemorinon. Ndërsa ajo lexon librin, fshatari i varfër Nemorino e vështron dhe bindet gjithnjë e më shumë se e dashuron, edhe pse e di se nuk mund ta bëjë për vete. Fshatarët i kërkojnë që Adina të lexojë me zë të lartë dhe ajo u tregon atyre se si Tristani, i cili është i dashuruar me mbretëreshën Izota, gjen një filtër magjik që e ndihmon për ta bërë për vete. Ndërsa Nemorino ëndërron të gjejë këtë eliksir të dashurisë, në vend vjen rreshteri Belcore. Ai miklon Adinën dhe i propozon për martesë. Por Adina ka një teori të vetën për dashurinë: ajo thotë se dashuria besnike dhe e qëndrueshme nuk është për të. Nemorino i kërkon doktor Dulcamara-s nëse e ka eliksirin që të bëjë për vete Adinën. Doktori sharlatan i ofron një shishe vere ‘Bordeaux’, duke e siguruar se efekti do të nisë menjëherë. Nemorino pi eliksirin dhe dehet. Kjo e bën të ndihet ndryshe, madje fillon të sillet edhe indiferent ndaj Adinës, e cila ishte mësuar të ndihej e dëshiruar prej tij. Për t‘u hakmarrë ndaj kësaj indiference të Nemorinos, ajo pranon të martohet me rreshterin. Nemorino mundohet më kot të bindë Adinën të presë edhe një ditë, por ajo largohet me Belcore-n. Papritmas përhapet lajmi se Nemorino ka trashëguar një pasuri të madhe. Adina kupton se sa shumë e dashuron ai dhe, ndërsa Nemorino përpiqet të largohet nga vendi, ajo deklaron se e dashuron. Doktor Dulcamara largohet triumfues për suksesin e eliksirit të tij”, shkruante shtypi për Adinën shqiptare vite më parë. Por vepra e njohur e kompozitorit italian Donizetti, vazhdon të emocionojë, pavarësisht viteve kur është shkruar. Opera e Marsejës e zgjedh si shfaqjen e fundvitit, ndërsa sopranoja shqiptare, Inva Mula, vazhdon të jetë një Adinë e mrekullueshme, ashtu si Donizetti e kishte përfytyruar kohë më parë. Ky vit ka qenë i suksesshëm për Inva Mulën, e cila ka pasur shfaqje në teatro të ndryshme në botë. “L’elisir d’amore” ka qenë opera më e shfaqur në Itali në vitet 1838-1848 dhe është pjesë e repertorit botëror të operave. Opera përfshin arien e njohur “Una furtive lagrima”. Premiera e “L’elisir d’amore” është shfaqur në Milano më 12 maj 1838.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button