Ekonomia

Doganat, “privilegje” për tregtarët e rregullt

Shpallen kriteret. Më pak kontrolle për mbajtësit e certifikatës së Operatorit Ekonomik të Autorizuar

Nga Zamir Alushi

Dogana shqiptareShpallen kriteret për të përfituar certifikatën e Operatorit Ekonomik të Autorizuar (OEA), e cila favorizon tregtarët e kualifikuar në kryerjen e veprimeve doganore. “Certifikata OEA” hyn në fuqi në ditën e dhjetë pas datës së lëshimit të saj, ndërsa afati i vlefshmërisë është i pakufizuar. Hyrja në fuqi e Kodit të ri Doganor më 1 janar 2015, është shoqëruar menjëherë me vendimin e qeverisë në zbatim të ligjit. Në këtë dokument publikohen kushtet për të aplikuar dhe marrë një certifikatë OEA.

Kushtet dhe kriteret

Një aplikues nuk është i nevojshëm të jetë i vendosur në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë vetëm kur ka një marrëveshje ndërkombëtare të njohjes reciproke të certifikatave OEA me një vend tjetër. Fillimisht Drejtoria e Doganave kontrollon pajtueshmërinë e të dhënave me kërkesat doganore dhe tatimore. Ato konsiderohen si të përshtatshme në qoftë se gjatë tri viteve të fundit, përpara dorëzimit të aplikimit, kompania nuk ka kryer shkelje të rënda ose të përsëritura të legjislacionit doganor e tatimor, si dhe nuk është proceduar penalisht për vepra penale që lidhen me aktivitetin ekonomik të aplikuesit. Këtu përfshihen personat e ngarkuar të shoqërisë aplikuese ose që ushtrojnë kontroll mbi menaxhimin e saj, si dhe përfaqësuesi ligjor i aplikuesit në çështjet doganore. Për të marrë certifikatën OEA, duhet që ndërmarrja të ketë një sistem kontabilizimi në përputhje me ligjin dhe që do të lehtësojë kontrollet doganore me bazë auditi. Subjekti duhet t’u lejojë autoriteteve doganore akses fizik ose elektronik në regjistrimet e tij doganore dhe, kur është e nevojshme, në regjistrimet e transportit. Operatori duhet të ketë një sistem logjistik, i cili të mundësojë dallimin ndërmjet mallrave shqiptare dhe joshqiptare.

Siguria

Kriter është edhe që kompania të ketë kontroll të brendshëm për zbulimin e transaksioneve të paligjshme ose të parregullta. Po ashtu, kërkohet të ketë procedura të pranueshme për arkivimin e regjistrimeve dhe informacionit të operatorit ekonomik dhe për mbrojtjen nga humbja e informacionit. Në këtë kuadër duhet që operatori të sigurojë që punonjësit të jenë të ndërgjegjshëm, të ketë masa sigurie të përshtatshme të teknologjisë së informacionit për të mbrojtur sistemin kompjuterik të aplikuesit nga hyrje të paautorizuara. Kriteret në lidhje me aftësinë paguese të aplikuesit konsiderohen se janë përmbushur nëse operatori e provon me pagesat që ka kryer për tri vitet e fundit. Me “aftësi paguese” nënkuptohet një gjendje e mirë financiare, e cila është e mjaftueshme për të plotësuar detyrimet e aplikuesit sipas llojit të aktivitetit të biznesit të interesuar. Ndërkaq, kriteret që kanë të bëjnë me standardet praktike të kompetencës ose kualifikimeve profesionale të lidhura direkt me aktivitetin e kryer, konsiderohen si të plotësuara nga aplikuesi në qoftë se për kualifikimet profesionale ka bërë trajnim dhe ka kaluar një provim, në përputhje me nivelin e përfshirjes së tij në aktivitete doganore që mbulon legjislacioni doganor, të mbajtura nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, ose një qendër e njohur prej saj. Gjithashtu për këtë kriter është i mjaftueshëm një minimum prej 3 vjetësh eksperiencë praktike në çështje doganore. Standardet e sigurisë dhe mbrojtjes plotësohen nëse ndërtesat që përdoren për operacionet e mbuluara nga certifikata, janë ndërtuar me materiale, të cilat i rezistojnë hyrjes së paligjshme dhe që sigurojnë mbrojtje. Gjithashtu kërkohet që të jenë vendosur masa të duhura kontrolli për të parandaluar hyrje të paautorizuara në zyra, zonat e ngarkimit, doket e ngarkimit, zonat e kargove dhe në vende të tjera ku operon ndërmarrja e interesuar. Sipas vendimit të qeverisë, aplikuesi kryen kontrolle sigurie për transparencën e punonjësve të ardhshëm që do të punojnë në pozicione sensitive sigurie dhe kryen kontrolle periodike të punonjësve ekzistues.

Lehtësitë

Më pak kontrolle nëse operatori ka certifikatën OEA

Mbajtësit e një certifikate OEA që importojnë ose eksportojnë mallra, si dhe agjentët doganorë dhe transportuesit OEA, mund të depozitojnë deklaratat përmbledhëse që përmbajnë kërkesat më të reduktuara të të dhënave. OEA u nënshtrohet më pak kontrolleve fizike dhe verifikimit të dokumenteve sesa operatorët e tjerë.

Autoritetet doganore mund të vendosin ndryshe kur vlerësojnë prezencën e ndonjë kërcënimi të veçantë. Kur, pas analizave të riskut, një dërgesë e mbuluar nga një deklarim përmbledhës ose nga një deklarim doganor të depozituar nga një OEA përzgjidhet për shqyrtim të mëtejshëm, autoriteti doganor kompetent, duhet të kryejë kontrollet e nevojshme me përparësi. Sipas vendimit të qeverisë, në qoftë se OEA e kërkon dhe merr miratimin e autoritetit doganor, këto kontrolle mund të kryhen në një vend të ndryshëm nga vendi i zyrës doganore të përfshirë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button