Opinion

Kur antishteti na bën thirrje të ndalim shtetin !

ANDREA STEFANI

Andrea-Stefani-Ta ndalim të keqen! – bën thirrje çifti Berisha-Basha. Në të vërtetë e keqja janë ata vetë. Janë e keqja që thërret ndaleni të keqen ashtu si rëndom hajduti bërtet kapeni hajdutin. Janë antishteti që i maskuar me merakun për “lirinë dhe demokracinë” kërkon të ndalë rikthimin e shtetit në Shqipëri.

***

Berishizmi është praktika e rrumpallës dhe e pasurimit të një klani politik në kurriz të shtetit. Dhe meqenëse shteti presupozohet se janë anëtarët e një shoqërie, atëherë ky pasurim është kryer në kurriz të shqiptarëve. Pas më shumë se dy dekadave shohim sesi ky klan dhe krerët e tij janë ndarë si me humnerë nga shteti shqiptar që mbetet, si në fillimet e tranzicionit, ndër më të varfrit dhe me të dobëtit në botë. Ata janë pasuruar, shteti ka mbetur i varfër. Të mos harrojmë se në 22 vjet tranzicion, berishizmi ka “qeverisur” për 14 vjet, ndërkohë që në pjesën tjetër ka qenë një opozitë destruktive që ka ndërmarrë edhe puçe të armatosura kundër shtetit.

***

Në 14 vjet “qeverisje”, berishizmi qe një katastrofë e vërtetë që u ka hapur shtegun gjithë shkatërrimeve që kanë ndodhur. Dhe meqenëse një fillim i mbarë është gjysma e një pune të mirë, fillimi i keq është edhe më shumë se gjysma e një pune të keqe. Prandaj themi se, berishizmi ka qenë pionieri i shkatërrimit të shtetit.

***

E nisi me shkatërrimin e të gjithë industrisë dhe hekurudhave që u trashëguan nga diktatura komuniste. Kryesisht me anë të një procesi “privatizimi” që u zhvillua aventurisht dhe korruptivisht, pikërisht që të pasurohej klani berishist, si në asnjë vend tjetër të Lindjes. Në fakt, shumica e fabrikave nuk u privatizuan, por u shkatërruan. Ishte krimi i parë i antishtetit që kish ardhur në pushtet i maskuar me sloganet liri-demokraci!

***

Praktika rrumpallë e antishtetit vazhdoi me tolerimin e piramidave financiare, të një veprimtarie mashtruese që çdo pushtet do ta ndalonte menjëherë në emër të mbrojtjes së shtetit, pra të mbrojtjes së interesave të qytetarëve. Por antishteti e kish mendjen te mbajtja me çdo kusht e pushtetit dhe euforia e skemave piramidale, e “pasurimit” parazitar të shqiptarëve i duhej për këtë. Prandaj e toleroi mashtrimin e fajdeve që do të sillnin pak më vonë rrënimin e shtetit.

***

Si praktikë e tolerimit të aktiviteteve të paligjshme antishtet, berishizmi nuk mund të mos toleronte dhe llojet e ndryshme të kontrabandës, nga ajo e naftës me Milosheviçin e deri tek ajo e armëve dhe e drogës. Në vitin 1996, qeveria e Berishës denoncohej në shtypin perëndimor si një qeveri gangsterësh që trafikonte armë. Një korrupsion dhe trafik ky që i mbetur pa ndëshkuar pas ardhjes në fuqi të socialistëve të Fatos Nanos, do të rimerrej përsëri nga pushteti berishist në vitin 2005 për të kulmuar me shpërthimin e përgjakshëm në Gërdec. Ndërsa lidhjen e vet me kontrabandën e drogës, antishteti e tregoi te tolerimi i kultivimit të kanabisit që në nisje të tranzicionit e më pas edhe duke mbrojtur, si për shembull elektoratin “demokrat” të Lazaratit nga “diktatura komuniste”, derisa Shqipëria mori nam si Kolumbi e Ballkanit!

***

Krahas fajdeve dhe kontrabandës së naftës e të armëve, lulëzoi kiosk-ekonomia, një shpikje berishiste që do të thoshte të ndërtoje rrumpallisht kioska pa leje në çdo pëllëmbë trotuari apo lulishteje të qyteteve. E propaganduar si gjetje dhe mrekulli ekonomike, kiosk-ekonomia u bë praktika pioniere e kancerit antishtet të ndërtimeve pa leje, metastazat e të cilit do të pushtonin gjithë shtetin për të mos u pastruar dot edhe sot e kësaj dite. Por bashkë me tolerimin e kioskave pa leje u hap rruga për të tjera iniciativa antishtet. Kioskat u shndërruan në ndërtime disakatëshe pa leje e më pas, në pallate pa leje që pushtuan qytetet dhe betonizuan edhe bregdetin. Ekzistonte në fakt, që nga koha e Zogut, një ligj i shtetit që nuk lejonte ndërtime deri 300 metra nga buza e detit, por antishteti nuk pyet për ligj. Veçanërisht kur është fjala për të mbajtur sa më gjatë pushtetin.

***

Dhe shtjella e anarkisë të ndërtimeve pa leje nuk kish si të mos nxiste, të tjera krime antishtet. Sepse pushteti e kish asfiksuar shtetin për qëllimet e veta. Kështu nisi aktiviteti shkatërrues i prerjes së pyjeve pa leje apo i gërmimit pa leje të lumenjve. Shteti i degraduar në antishtet nuk mbronte më as edhe pasuritë e veta natyrore. Bilanci i antishtetit është aty edhe sot: pyje të rrafshuara, lumenj të gërryer nga ekskavatorët dhe erozioni, plazhe të varrosura nën beton.

***

Por antishteti është një kancer që nuk ngopet së gllabëruari shtetin. Aq më tepër kur është një kancer në pushtet. Vesi i ndërtimeve pa i dhënë llogari kurrkujt, nuk mund të mos pasohej nga vesi antishtet i vjedhjes së shtetit në formën e mospagimit të energjisë elektrike. I toleruar nga antishteti në pushtet për qëllime elektorale, ky është një nga krimet më të mëdha, sepse ka çuar në degradimin e frymës së shtetit, duke rreshtuar në falangat e antishtetit, që mund të ngrihen në çdo kohë kundër shtetit, një pjesë të konsiderueshme të popullsisë.

***

Krimi më makabër dhe prova më demaskuese e antishtetit në pushtet, qe masakra e 21 janarit, vrasja me plumba luftarakë nga gardistë të Kryeministrit Berisha dhe ministrit të Brendshëm Basha, të katër protestuesve dhe plagosja e shumë të tjerëve. Sepse vrasja e qytetarëve me armët e pushtetit, është e kundërta e asaj që duhet të bëjë shteti, i cili ngrihet dhe financohet nga qytetarët që të mbrojë në radhë të parë jetët e tyre. Protestuesit u vranë nga gardistë të financuar me taksat e protestuesve, me fishekë të blerë me taksat e protestuesve dhe me urdhër të zyrtarëve që marrin rrogën nga paratë e mbledhura prej taksave të protestuesve. Ndërsa binte regjimi komunist, Ramiz Alia, që trashëgoi pushtetin e diktatorit Enver Hoxha, iu kundërvu linjës së ashpër të fanatikëve që donte të qëllohej mbi turmat e protestuesve, duke thënë se po u qëllua mbi popullin nuk ka më pushtet popullor. Atë që nuk e bëri trashëgimtari i diktaturës Alia, e bëri sjellësi i “demokracisë”, Berisha! Antishteti është edhe më i keq se diktatura. Dhe jo rastësisht, jo pak shqiptarë, kanë nisur të kenë nostalgji për diktaturën!

***

Ka thuajse një vit që një pushtet i ri po përpiqet të rikthejë shtetin e nëpërkëmbur nga antishteti. Por ky i fundit, tashmë në opozitë, bën thirrje që ky aksion të ndalet. Sepse shteti, ligji, janë armiku i tij kryesor. Ai është zhvilluar e rritur mbi 20 vjet duke ngrënë shtetin, prandaj rikthimi i shtetit është fundi i tij. Prandaj thërret të ndalet shteti duke e etiketuar atë që është e keqja më e madhe për të, si të keqen më të madhe të shqiptarëve. Shpif, shfryn dhe një shtet që mezi mbahet ende në këmbë, e stigmatizon si “shtet policor” e deri edhe diktaturë që u dashka përmbysur me revolucion! I del në mbrojtje atyre që e përjetojnë pagesën e energjisë si ndëshkim nga shteti, duke thënë se nuk kanë para pra, duke manipuluar me varfërinë, që është më së shumti rrjedhojë e keqqeverisjes së vet shumëvjeçare. E keqja thërret të ndalim të keqen, duke manipuluar me të gjitha të këqijat antishtet, mendore dhe materiale, që ka mbjellë në këto dy dekada. Por shpëtimi i shqiptarëve nuk është të ndalin shtetin por antishtetin. Duhet të ndalin pikërisht ata që pasi shkatërruan shtetin sa ishin në pushtet, sot bëjnë thirrje që të ndalet shteti!

Related Articles

Nje koment

  1. Zoti Stefani. GJithmone jeni i mrekullushem, por me shkrimin e sotem, meritoni cmim specjal. Ju lumte dora dhe mendja. Paci shendet dhe gezime personale e famljare. Per Sali Satanin kam pare, lezuar e degjuar se cfar krimesh i ka bere ati vendi e populli gjate 24 vjeteve te ashtuquajtures demokraci. Esht ky antishtet me eksperimentet dhe marezit e tija qe e katandisi shqiperine ne gjendjen qe esht sot, qe nuke ka ku ta zesh e ku ta lesh. Ky katil e rezil qe ja ndjeu lezetin pushtetit per vehte dhe te afermit e tij, plus llumit qe i thur lavde keti katili e antishqiptari kerkon me cdo kusht te rimare pushtetin e humbur. Ne emer te fakireve dhe te atyre qe humben priviligjet, atyre qe rrembyen cfar munden nga prona publike apo qe ndertuan ku te mundnin, qe vodhen e spaguanin energjinene elektrike, kerkon me cdo kusht te ndale rreformat nepermjet destabilizimit te vendit, deri edhe ngritjen ne protesta masive per rrezimin me force te qeveris aktuale. M jere populli qe se kupton kete satan sulltan.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button