Kronika

Pogradec, të ngujuarit lënë banesën, arrestohet avokati Altin Goxhaj

Aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje në bregun liqenor në Udënisht të Pogradecit ka vijuar edhe gjatë ditës së sotme. Njëzet pjesëtarët e familjes Brahaj, të ngujuar prej ditës së hënë në Bar-Restorant “Kukësi” që shërbente edhe si hotel, e liruan objektin pas negociatave me drejtuesit e Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar.

pogradec

Arritja e negociatave mes INUK dhe pronarit, Azem Brahajt ka qenë e vështirë, pasi familjarët pretendojnë se kompensimi që u është ofruar është shumë i ulët. Në debat është përfshirë edhe avokati i familjes, Altin Goxhaj, i cili ka pretenduar se Inspektoriati nuk ka një dokument me vendim për prishjen e godinës. Ndërsa lidhur me orenditë, sipas tij, pronarët nuk kanë marrë një letër të protokolluar për lirimin e godinës. Mirëpo, sipas INUK-ut, palët kanë rënë dakord me vlerën e dëmshpërblimit dhe familjes i është lënë kohë të nxjerrë nga banesa materialet dhe orenditë.

Përplasja mes punonjësve të policisë dhe banorëve ndodhi rreth orës 14:00, pasi këta të fundit nuk pranonin të hapnin dyert e hotelit. U desh ndërhyrja e forcave të rendit, që banorët të dilnin dhe rreth orës 16:30 nisi shembja e godinës. Ndërkaq, policia shoqëroi edhe avokatin e familjes, Altin Goxhaj, pasi fyeu verbalisht punonjësit e Inspektoriatit.

Pas incidentit, INUK vijoi normalisht punën për shembjen e objektit. Vetëm dje, u shembën pesë objekte, ndërsa mësohet se do të jenë tre ose katër godina të tilla që do të shemben me shpërthim të kontrolluar në këtë zonë. Aksioni i INUK-ut nisi prej orës 10:00 të mëngjesit. Inspektoriati e nisi në të kundërt pjesën e prishjes së ndërtimeve. Nëse më parë vinte nga Lini në Pogradec, e nisi nga qyteti në drejtim të Linit.

Megjithëse aksionet në Udënisht janë kundërshtuar nga banorë të zonës dhe përfaqësues lokalë e vendorë të Partisë Demokratike, INUK shprehet i vendosur për vijimin e aksionit për lirimin e hapësirave publike nga 20 objekte të jashtëligjshme përgjatë vijës liqenore, brenda 10 ditësh.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button