Arte

Ministria e Kulturës nis vitin 2015 në një ndërtesë të re

Ish-Kinostudio, tashmë Ministri Kulture

Ministria e Kultures ish Kinostudio (2)Ministria e Kulturës më në fund ka një strehëz të re. Ish-godina e Kinostudios, aty ku për dekada të tëra u ngrit historia e filmit shqiptar gjatë periudhës së diktaturës, prej ditës së djeshme do të nisë një tjetër histori. Nën rikonstruktim të plotë, godina e cila të josh nga larg prej arkitekturës do të jetë streha e re e Ministrisë së Kulturës. Pas vitesh orvatje nga një vend në tjetër duket se kjo hapësirë do të jetë stacioni i fundit ku do të ndalet Ministria e Kulturës. Transferimi i të gjitha zyrave është bërë përgjatë dy ditëve, dhe dje dukej sikur pjesa më e madhe kishin marrë formë për të nisur punën. Në faqen e saj në Facebook, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka hedhur foton e godinës së re, me moton “energji dhe ide të reja”. Transferimi i Ministrisë në këtë godinë erdhi pas vendimit të ministrave, më 30 korrik 2014, ku u vendos kalimi në përgjegjësi administrimi te Ministria e Kulturës, të pasurisë “Godina 4-katëshe, magazina e kostumografisë”, në ish-Kinostudio, sipas planimetrive që i bashkëlidhen këtij vendimi. Me rikonstruktimin e godinës është marrë arkitekt Artan Shkreli. Në brendi godina ka ruajtur autencitetin e ndërtimit dhe fizionominë që ka pasur përpara se të shkatërrohej. Investime janë bërë në fasadë, çka bie në sy për kompozimin që i ka dhënë një tjetër imazh ndërtesës. Gati 7 vjet më parë Ministria e Kulturës u vendos te godina e njohur si Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Për gati 100 ditë para se ministria të vendosej aty, kjo godinë iu nënshtrua një rikonstruksioni, pasi mendohej se ky transferim do të ishte përfundimtar për strehën e kulturës. Pavarësisht debateve publike në duhej të shndërrohej në një institucion kjo strehë që prej viteve ’70 kishte shërbyer si streha e letrave shqipe, ajo duket se mori formën e një institucioni kushtuar vendimmarrjeve në kulturë. Në konceptimin e ri që kishte marrë kjo godinë ishin kompozuar dhe 4 salla që shërbenin për ekspozita, biseda e diskutime mes artistësh, apo dy tarracat ajo që mbante emrin e “Vëllezërve Lymier” dhe shkrimtarit “Gjergj Fishta”. Ministria e Kultures ish Kinostudio (1)Tashmë godina që mban firmën e arkitektit Dhimitër Dhespoti, inxhinier i xhenios në ushtrinë shqiptare të kohës së Zogut është e boshatisur drejt një fati të ri. Mbart gjithnjë kuriozitet fakti se cili do të jetë misioni i ri i Godinës ku dikur shkrimtarët kalonin orët e gjata të ditës, dhe në kafenenë poshtë saj është ngritur gjithë historia e letërsisë shqipe.

Por ndërsa këto ditë kanë qenë të zëna me angazhimet e një transferimi për në “shtëpi të re”, pritet që viti 2015 të jetë një vit me reforma konkrete në fushën e kulturës, ashtu siç është parashikuar në programin e shpalosur nga ministrja Kumbaro kur mori këtë detyrë. Trashëgimia kulturore edhe pse ka një plan strategjik me 17 pika të hartuar nga Kumbaro është një hapësirë që duket se do të dojë shumë punë për të mbërritur deri te disa prej atyre pikave. Po kështu programi i kulturës i parashikuar deri në vitin 2017 duhet të sjellë produktet e para. Të shpresojmë që “shtëpia e re” do të jetë me fat për të ardhmen e kulturës në vend.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button