Opinion

Efekti i sistemit dhe politikave fiskale mbi bizneset e reja

EDUART GJOKUTAJ

Eduart GjokutajPër të komunikuar mendimet e mia në lidhje me temën unë do t’u jap përgjigje disa pyetjeve.

Së pari, taksa të larta apo taksa të ulëta? Po për bizneset e reja?

Perceptimi i qytetarëve dhe bizneseve shqiptare për një ekonomi dhe sistem fiskal funksional mbështetet kryesisht te realiteti i sotëm në vendet e Europës Perëndimore, por dhe vende të tjera të zhvilluara. Megjithëse në këto vende barra fiskale është e lartë, ajo konsiderohet si një barrë e shpërndarë në mënyrë të drejtë dhe të barabartë për të gjithë popullsinë. Por, ne e perceptojmë edhe se atje, qytetarët dhe bizneset gëzojnë të drejtat e plota të një mirëqenie më të mirë se në Shqipëri apo edhe vendet e rajonit. Po t’i shikojmë sistemet fiskale të tyre me “syrin” e një eksperti, ato janë të afërt dhe zbatojnë politika fiskale me të njëjtin mision: të ardhura më të mëdha, për politika sociale dhe investime sa më cilësore. Pra, aty ku ka taksa të larta ka edhe mirëqenie të lartë. Por a është vetëm kaq?

Qytetarët europianë-perëndimorë dhe ata të vendeve industriale të zhvilluara jetojnë në standarde të larta jetese jo vetëm për shkak të taksave të larta. Në fakt, kjo është një arsye. Por mbi të gjitha, ata e gëzojnë këtë mirëqenie, sepse kanë ditur të përshtatin ekonominë me sistemin fiskal. Në kohën kur vendet e tyre patën zhvillimin ekonomik me ritme të larta, taksat e tyre ishin shumë më të ulëta sesa janë sot për bizneset, madje dhe më të ulëta dhe nga ato që janë duke u aplikuar sot në Shqipëri dhe në vendet e rajonit. Barra e taksave u rrit gradualisht dhe natyrshëm me kalimin e dekadave në vendet nordike. Nga 16% që ishte mesatarisht kjo barrë në vitet ’40 – ‘50, sot është midis 37% deri në 52%. Një politikë fiskale me lehtësim të barrës për një pjesë të popullsisë dhe bizneseve të vogla dhe me rritje të barrës për të pasurit ka ndjekur edhe qeveria e ish-presidentit të SHBA, Reagan, dhe kryesisht qeveria e ish-presidentit të SHBA, Clinton. Kjo do të ndodhë edhe te ne pas një strukturimi të ekonomisë dhe biznesit, sipas shkallës së evoluimit të marrëdhënieve ekonomike.

Është një fakt mbarëbotëror se sistemi tatimor me taksa të ulëta shërben si nxitje për regjistrimet e bizneseve. Inkurajimin më të madh e kanë bizneset kufitare, por edhe biznese që janë në kërkim të oportuniteteve të reja për fitime të larta. Por, nga ana tjetër, e njëjta politikë është provuar se nuk inkurajon bizneset informale, pasi nuk mjafton vetëm politika fiskale për formalizimin e ekonomisë. Nevojiten si masat antievazion, por edhe krijimi i kushteve për të bërë biznes. Megjithatë, nëse do të inkurajohej rritja e numrit të bizneseve të reja (baza e taksimit), ekonomia do të kishte një përfitim me efekt zinxhir. Në momentin kur krijohet një rritje e bizneseve ngushtohet informaliteti dhe klima fiskale ofron kushte barazie në tregun e brendshëm. Efekti pasues fillon dhe rrit pjesëmarrjen e biznesit në krijimin e grupeve të interesit për të ushtruar presionin normal ndaj qeverisë për politika më efikase për uljen e barrierave dhe lehtësimin e kostos administrative.

Së dyti, a kemi kuadër rregullator të plotë dhe nxitës për bizneset shqiptare?

Në historikun e të bërit biznes në Shqipëri, për të paktën 20 vitet e fundit janë ndërmarrë nisma ligjore për lehtësim të kritereve për hapjen e bizneseve të reja dhe stimulimin e sektorëve prodhues dhe hyrjen e kapitaleve të huaja. Në disa raste, lehtësirat, p.sh për sektorin e prodhimit kanë stimuluar përkohësisht segmente të tij, por janë përdorur edhe si streha të evazionit, pasi kanë mbetur të shkëputura nga qëllimi i politikës dhe të pashoqëruara me masa të plota.

Një, qasje që ndryshoi rutinën e vjetër për stimulimin e bizneseve të reja janë dy ligjet e rëndësishme për sipërmarrjen shqiptare: Ligji për shoqëritë tregtare, si dhe ligji për regjistrimin dhe procedurat për regjistrin tregtar të përfshira brenda institucionit të QKR. Të dy këto ligje në vitet që janë miratuar kanë dhënë rezultat në zhvillimin e biznesit duke rritur kulturën administrative, fokusimin drejt qeverisjes së bizneseve dhe strukturimit organizativ, si një komunitet i organizuar dhe burimi i energjisë ekonomike të vendit. Ndërsa, në drejtim të politikave fiskale miratimi i ligjit të procedurave dhe forcimi i përvojave administrative prej vitit 2008 ka rritur mundësitë për ndihmë në procedurat e biznesit lidhur me regjistrimin dhe çregjistrimin në administratën tatimore, të drejtat dhe detyrimet, si dhe krijimin e strukturave në ndihmë të tij si Avokati i Biznesit. Nga përvoja ime në administrimin tatimor konstatoj me kënaqësi se kemi një kuadër rregullator konkurrues me rajonin e Ballkanit, por edhe në përshtatje të pandërprerë me parimet e administrimit të BE. Në vendin tonë sistemi fiskal është duke e modeluar administrimin drejt a) zgjerimit të bazës së taksapaguesve për çdo tatim dhe segment, b) përshtatjes së legjislacionit me kërkesat e biznesit dhe kushtet ekonomike; c) forcimin e kapaciteteve të administratës tatimore duke luftuar fenomenin negativ të korrupsionit.

Sugjerimi im, në lidhje me reflektimin e qeverisë në rrugën drejt përmirësimit të kuadrit rregullator lidhet me reagimin ndaj sugjerimeve të asistencave të huaja. Këshillat dhe përvojat duhet të dëgjohen dhe përvetësohen për të përfituar optimalen e asistencave teknike, por duke i kaluar më përpara në “laboratorët” ekonomikë dhe financiarë të qeverisë dhe sipërmarrjes. Është e vlefshme që për këtë qëllim të fillohet një rimodelim i administratës publike sipas organizatave private. Një risi nga qeveria do të ishte bërja pjesë të strukturave të institucioneve qendrore njësi të kërkimit dhe zhvillimit ( R&D njësoj si veprojnë kompanitë e mëdha dhe inovatore që studiojnë dhe testojnë zhvillimet e reja).

Së treti, sa ndikon politika te një biznes dhe konkurrueshmëria në tregun shqiptar?

Në këto vite, krahas efektit të rritjes së performancës së administrimit kanë ecur në favor të shtetasve dhe një varg lehtësirash fiskale, të tilla si: uljet dhe eliminimet e tarifave doganore, heqjet e disa tatimeve për sektorë ekonomike dhe aktivitete sociale (heqja e TVSH-së për arsim jopublik, për tregtimin e barnave mjekësore, për pajisjet dhe makineritë për investime), zvogëlimet e shkallës tatimore për tatimin e thjeshtuar mbi fitimin, si dhe lehtësia tjetër fiskale për heqjen e akcizës dhe taksës së qarkullimit të karburantit për aktivitetin bujqësor. Në vazhdën e reformimit fiskal përveç lehtësirave për sektorët prioritarë si arsimi dhe shëndetësia u panë dhe lehtësimet e funksionimit të skemës së rimbursimit tatimor për aktivitetet që i japin jetë ekonomisë së vendit, ato që eksportojnë prodhime vendase dhe ato që rieksportojnë. Të dyja këto kategori biznesesh janë qendra e gravitetit të politikës së rimbursimeve duke i bërë më konkurruese në tregun rajonal nëpërmjet “kreditimit” duke u rimbursuar TVSH-në e blerjeve që kanë paguar gjithë këto vite.

Por, përveç lehtësirave të heqjes apo uljes së shkallës tatimore ka pasur edhe rritje të diferencuar të tyre, si rasti i tatimit proporcional mbi të ardhurat personale dhe kapitalet. Ky modelim fiskal konsiderohet si pjesë e një sistemi të ri, që mbështetet në principin se kush fiton më shumë, paguan më shumë. Nëse taksat janë çmimi që ne po paguajmë për zhvillimin e ekonomisë, atëherë progresiviteti i tyre po përcakton se si ndryshon çmimi i taksave midis taksapaguesve.

Së fundmi, a po e dekurajon administrata me performancën e saj biznesin e ri dhe ekonominë?

Qeveria ka nevojë që tatimet të mblidhen pasi duhen kryer shërbimet publike që ka planifikuar. Por, administrata aktuale, jo më shumë për faj të saj, konsiderohet ende në perceptimet publike si institucion, i cili ende nuk i shërben biznesit, sipas nevojave të tij. Natyrshëm që qeverisë i nevojitet të modelojë një sistem fiskal, që të përqendrohet në shërbimet ndaj bizneseve nisur nga një tipar kryesor: thjeshtësinë në të kuptuar dhe në zbatim. Thjeshtësi dhe forcim të bashkëpunimit mes tyre.

Sfida e sistemit fiskal në Shqipëri mbetet transformimi i administratës fiskale në efikase duke zbatuar norma administrative moderne dhe me një rritje të kulturës fiskale për bizneset.

Më pëlqen t’i mbledh mendimet për bizneset e reja me urimin:

Drejt që nga fillimi!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button