Opinion

Liria e shprehjes vlen më shumë se të gjithë librat e shenjtë

MUSTAFA NANO

Mustafa Nano_1Kush ka mundur, apo dashur, të ndjekë reagimet në botën islame e arabe ndaj masakrës së kryer në redaksinë e së përjavshmes satirike franceze ‘Charlie Hebdo’, me siguri që ka mundur të dallojë se të shumtat e këtyre reagimeve në shtyp e në botën e web-it, në rastin më të mirë, përshkohen nga ideja se “terroristët kanë gabuar, por edhe gazetarët e revistës satirike e kanë bërë baltë, për të mos thënë që e kanë merituar ndëshkimin”. Të kuptohemi, atyre anëve ka pasur sa të duash edhe njerëz që s’e kanë pasur për gjë ta dënojnë haptazi atë që ka ndodhur, e të mos e shohin fare si alibi faktin që në ‘Charlie Hebdo’ janë publikuar karikatura përqeshëse për Islamin apo Muhametin (Sa për ilustrim, egjiptiani Makhlouf u drejtohej terroristëve, nëpërmjet një karikature, me fjalët: “Ju terroristë idiotë me maskë, bëni mirë ta dini që ne nuk kemi nevojë për më shumë viktima për të kuptuar se ju jeni ca palo burracakë”), por skena ka qenë dominuar nga ata që nuk pranojnë idenë e satirizimit të Islamit apo të profetit Muhamet, s’ka gjë se një pjesë e të njëjtëve njerëz distancohen nga terroristët.

Ka pasur edhe në Europë ndonjë zë që, nën zë, ka mbrojtur tezën se “gazetarët e Charlie-it duhet të kishin bërë kujdes me mesazhet që kanë përcjellë, e duhet të mos kishin fyer ndjenjat e myslimanëve të botës”. Dhe me këtë kanë dashur të thonë se liria e shtypit, apo e shprehjes, apo e satirës e ka një kufi. Cili është kufiri? Po ja, me librat e shenjtë, e me ata që besojnë këta libra të shenjtë, nuk bëhet shaka.

Kjo është një gjë që s’ta mbush mendjen, dhe teksa them këtë nuk kam në mendje faktin që shumëkush i sheh librat e shenjtë thjesht si libra, madje si libra plot kontradikta, kundërthënie, gjepura, pohime fëminore, të vërteta banale, në mos si libra që përcjellin tek-tuk mesazhe të intolerancës e të dhunës (Në Testamentin e Vjetër e në atë të Ri, më shumë në të Vjetrin se në të Riun, mesazhe të tilla janë të shumta. Për Kuranin, ca më tepër, mund të thuhet e njëjta gjë). Jo, kam në mendje që liria e shprehjes dhe kritika ndaj një mesazhi, ndaj një libri, ndaj një doktrine, ndaj një autoriteti, apo ku di unë, nuk ka fare lidhje me faktin që këto, d.m.th mesazhi, libri, doktrina, autoriteti, janë sakralë apo profanë. Dhe në këto rrethana të vjen keq që ka njerëz që, pas masakrash të tilla, zënë e lëkunden përballë pyetjes: A ka kuptim që të vazhdosh “lojën” e karikaturave ndaj Islamit e Muhametit në rrethanat që myslimanët e shohin këtë gjë si të papranueshme, si një mëkat të rëndë? Sipas meje, kjo pyetje as që duhet shtruar. Nëse ka një gjë që s’duhet vënë në diskutim, kjo është liria e shprehjes. Në këtë kuptim, të vetmit që duhen dënuar pas asaj që ndodhi janë terroristët. Duhen dënuar pa “por”  e pa “në qoftë se”. Ajo që kanë bërë gazetarët e Charlie-it, apo edhe të tjerë në vende të tjera, mund të jetë e diskutueshme, mund të jetë edhe e pakëshillueshme, mund të jetë dhe qartazi e gabuar, por liria e shprehjes ka më së shumti kuptim, e duhet mbrojtur, pikërisht si garant i së drejtës për të thënë e mbrojtur ide të diskutueshme e të pakëshillueshme. Po të ishte puna për të vërteta konsensuale e të mú-mú-shme, as që do shtrohej nevoja për liri të shprehjes.

Kjo vlen në këtë rast, siç vlen për çdo rast, për myslimanët e për jo myslimanët. Nuk ka diskutim që myslimanët shohin te Muhameti profetin e tyre, lajmëtarin e Zotit. Nuk ka diskutim që askush nuk duhet ta çojë nëpër mendje që t’i pengojë ata që ta besojnë këtë gjë. Por – këtu po që ka një “por” – myslimanët vetë po njësoj duhet të pajtohen paqësisht së pari me idenë që në këtë botë ka dhe njerëz të tjerë, të cilët besojnë në profetë të tjerë apo nuk besojnë fare te ndonjë profet dhe së dyti, me faktin që në këtë botë ka njerëz që besojnë te liria, që është edhe liri e myslimanëve për të besuar aty ku ata duan, edhe liri e të tjerëve për të përqeshur besimin e myslimanëve e besimin e kujtdo tjetër, përfshirë dhe besimin e vet. Janë të pafundme në perëndim botimet e filmat që kanë denigruar, tallur, denoncuar e vënë në dyshim Krishterimin e Krishtin dhe u bë kohë tanimë që besimtarët në këtë fe monoteiste nuk e bëjnë për të madhe këtë punë; nuk e bëjnë për të madhe, jo ngaqë kanë zënë të mendojnë se Krishti e Krishterimi janë një sendërgji e njerëzimit, por ngaqë kanë rënë dakord se sakrale nuk janë vetëm bindjet e tyre, por është, madje ca më shumë, liria e secilit për të besuar, për të mos besuar, e në përgjithësi për t’u shprehur. Kjo është një arritje e jashtëzakonshme e njerëzimit, e nuk ka pse të vihet në diskutim prej një pjese njerëzish të kësaj bote që, përveçse i kanë mbushur mendjen vetes se feja e tyre është e vetmja fe e vërtetë, dhe se profeti i tyre është i fundit, dhe më i madhi, mbi tokë (kjo është një e drejtë e tyre që duhet respektuar pa një, pa dy; madje dhe duhet mbrojtur, sepse kështu mbrohet vetë arritja në fjalë, d.m.th liria), duan që edhe pjesa tjetër e botës t’u shkojë pas midesë. Në këtë kuptim, duhet thënë se problemi nuk janë ata që “lëndojnë ndjenjat fetare të të tjerëve”, por ata që, për shkak të fanatizmit të tyre nuk dinë të bëjnë gjë tjetër, veçse të lëndohen, apo ata që nuk janë në gjendje të bien dakord se më poshtëruese se qesëndisja e një Profeti është një plojë që bëhet – ky është pretendimi, në fakt shajnía, e terroristëve – në emër të të njëjtit Profet”.

Nuk lipset ndonjë inteligjencë e madhe për të kuptuar se të parët që e pësojnë nga akte të tilla terrorizmi janë vetë myslimanët, që mbeten prore objekt paragjykimesh. Po kështu dhe feja e tyre. Reagimet apatike, në mos të hareshme, të një pjese myslimanësh pas ngjarjesh të tilla i bëjnë të tjerët të mendojnë se problemi nuk janë ekstremistët e terroristët, por është vetë Islami. Dhe kjo gjë nuk është se është thjesht e gabuar. Kjo është edhe e rrezikshme. E rrezikshme për të gjithë.

Ky duhet të jetë dhe shqetësimi i myslimanëve shqiptarë, mirëpo këta të fundit – është e dhimbshme dhe e trishtuar kjo gjë – nuk janë duke marrë pjesë në diskutimin publik që ka lindur pas aktit terrorist të Parisit. Është lëshuar vetëm një deklaratë nga ana e Komunitetit Mysliman (duhet thënë se ish një deklaratë e qartë), dhe kaq. Intelektualët e besimit mysliman, ndërsa nuk i zë gjumi pa reaguar edhe kur, fjala vjen, dikush nuk bie dakord me praninë e simboleve fetare në mjedise publike, këtë herë nuk e panë të udhës të bënin qoftë dhe një belbëzim (në ‘Ezanin e Naltë’, një website i myslimanëve të moderuar të Tiranës, nuk është publikuar deri më sot asnjë shkrim lidhur me këtë ngjarje). Dhe përsëris: Duhet të ishin të parët që duhet ta ngrinin zërin e ta thoshin të tyren.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button