Ekonomia

Ekonomia rritet 3.3%, tregtia dhe shërbimet në ngjitje, bien transportet

Prodhimi i Brendshëm Bruto në tremujorin e tretë 2014, u ngrit dukshëm krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2013, duke arritur 3.3%. Sipas INSTAT, ndikimin kryesor pozitiv e dhanë tregtia, hoteleria dhe shërbimet.

Nga Zamir Alushi

ekonomiaNdërkohë, mesatarja e nëntëmujorit arriti 1.38%, duke u përmirësuar dhe afruar vlerës së objektivit 2%, të cilin e ka parashikuar qeveria, FMN dhe Banka Botërore. Ministria e Ekonomisë thotë se shifrat e publikuara nga INSTAT garantojnë objektivin vjetor mbi 2% të rritjes ekonomike, siç është parashikuar edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar. “Kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë degët e ekonomisë, si: Tregtia e hoteleri-restorantet me 1,73 për qind; shërbime të tjera me 0,9 për qind; ndërtimi me 0.81 për qind; industria me 0.37 për qind; bujqësia, gjuetia dhe pyjet me 0.24 pikë përqindjeje; postë-komunikacioni me 0,15 pikë përqindjeje. Ndërsa dega që ka kontribuuar negativisht në ritmikën e rritjes vjetore të treguesit të vlerës së shtuar bruto të tremujorit në fjalë është Transporti me -1,05 pikë përqindjeje”, deklaroi Gjergj Filipi, drejtor i Institutit të Statistikave. Sipas INSTAT, sektori me kontributin më të madh në rritjen e prodhimit kombëtar ishte tregtia, e cila gjatë tremujorit të tretë ka dhënë më shumë se gjysmën e rritjes totale të ekonomisë.

Rritja ekonomike sipas sektorëve

Aktiviteti bujqësor në tremujorin e tretë të vitit 2014 krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë pati rritje prej 1,19%. Industria llogaritet të ketë rritje 2,45% në tremujorin e tretë të vitit 2014 krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2013. Në këtë grup, industria nxjerrëse dha ndikimin më të madh pozitiv me një rritje prej 4,53%, ndërsa industria përpunuese u rrit me vetëm 0,93% e ndikuar negativisht nga energjia elektrike, prodhimi i së cilës pati një rënie me 30,15%. Aktiviteti i ndërtimit në tremujorin e tretë të vitit 2014 pati rritje prej 7,53% krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2013. Grupi i degëve tregti, hotele dhe restorante pati një rritje prej 10,41% në tremujorin e tretë të vitit 2014 krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Në këtë grup, tregtia u rrit 11,11% ndërsa hotele dhe restorante u ngritën 5,75%. Kurse aktiviteti i transportit ka shënuar një rënie prej 24,07% në tremujorin e tretë të vitit 2014 krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë.

Grupi posta dhe komunikacioni u shfaq me një rritje prej 5,39% në tremujorin e tretë të vitit 2014 përkundrejt tremujorit të tretë të vitit 2013. Edhe shërbimet të tjera në tremujorin e tretë të vitit 2014 patën rritje me 3,76% kundrejt tremujorit

të tretë të vitit 2013. Në këtë grup, ndikim pozitiv dhanë  sektorët  si: administrata publike, shëndetësia dhe aktivitetet e tjera të shërbimit kolektiv, social, kulturor etj. Ndërsa me rënie u shfaq arsimi, sektori financiar dhe sektori i pasurive të patundshme, rentës dhe aktiviteteve ndihmëse të biznesit (aktivitete ligjore, të arkitekturës, inxhinierike, si dhe konsulenca financiare, komerciale etj).

Ndryshimi tremujor

Sa u përket ndryshimeve në krahasim me tremujorin paraardhës, treguesi i Vlerës së Shtuar Bruto vlerësohet me një rritje prej 0,68%. Aktiviteti bujqësor në tremujorin e tretë të vitit 2014 krahasuar me tremujorin paraardhës u ul me 0,96%. Gjithashtu grupi i industrive u ul me 2,13% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2014. Por aktiviteti i ndërtimit në tremujorin e tretë të vitit 2014 shënoi rritje me 7,52% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 201

Bujqësia

Bujqësia në tremujorin e tretë 2014 krahasuar me tremujorin e dytë u ul me 0,96%.

Industria në tremujorin e tretë 2014 krahasuar me tremujorin e dytë u ul me 2.13%.

Industria në tremujorin e tretë 2014 krahasuar me tremujorin e dytë u rrit me 7.52%.

Ministria e Ekonomisë

Mete: Po shkojmë drejt objektivit vjetor 2%

“Shifrat e rritjes ekonomike publikuar nga INSTAT për tremujorin e tretë 2014 dhe Vlerën e Shtuar Bruto, tregojnë për një rritje të kënaqshme dhe shkojnë drejt garantimit të objektivit vjetor mbi 2% të rritjes ekonomike, siç është parashikuar edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar”, deklaroi dje zëvendësministri i Ekonomisë, Ervin Mete. Kjo rritje sipas Metes, është mbështetur nga një ngritje cilësore në sektorët e tregtisë, hotelerisë, industrisë përpunuese, ndërtimit dhe shërbimeve. “Reformat e qeverisë në energji, në financat publike, në shlyerjen e detyrimeve të prapambetura; paketat mbështetëse të manifakturës, të bujqësisë dhe së shpejti edhe të plastikës; reforma e pensioneve, reforma territoriale, dhe në tërësi, zbatueshmëria e ligjit – janë arsyeja e kësaj rritjeje, por mbi të gjitha janë dhe  garantuesi i një rritjeje cilësore dhe të qëndrueshme ekonomike në vazhdimësi”, tha Mete. Ndërsa ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, shkroi në Facebook se, “Ky është tregues i qartë i funksionimit të modelit të ri ekonomik dhe të ndikimit që reformat e thella të qeverisë, po japin në ekonominë e vendit’.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button