Intervista

‘Charlie Hebdo do të jetojë’

A ndodhet revista satirike “Charlie Hebdo” para mbylljes pas atentatit që u ndërmorr kundër redaksisë? Jo, thotë Antoine Héry nga Reporterët pa kufij në Paris. Ekziston një mbështetje shumë e madhe për vazhdimin e punës.

Antoine Héry nga Reporterët pa kufij në Paris.
Antoine Héry nga Reporterët pa kufij në Paris.

Deutsche Welle: Zoti Héry, thuajse nga e gjithë bota e kanë shprehur njerëzit solidaritetin e tyre me revistën e satirës Charlie Hebdo. A ka marrë redaksia e gazetës edhe mbështetje financiare pas atentatit?

Antoine Héry: Shtypi ndërkombëtar dhe ai francez kanë reaguar në mënyrë shumë të mirë. Solidariteti e kalon tepër masën simbolike. Gazeta “Liberation” e pranoi në ambientet e saj redaksinë e “Charlie Hebdo”-së. Me këtë bëhet e mundur që revista satirike të botohet sërish që javën që vjen – me një tirazh prej 1 milionë kopjesh. Botues të tjerë do të japin mbështetje financiare.

Çfarë bën organizata “Reporterë pa kufi” për kolegët?

Ne kemi nisur një aksion për mbledhje ndihmash se bashku me fondin “Presse et Pluralisme”, ku bëjnë pjesë shumë medie franceze. Ka solidaritet të vërtetë dhe bashkëpunim të vërtetë në shtypin francez.

A ka edhe mbështetje nga shteti për Charlie Hebdo?

Fleur Pellerin, ministrja e Kulturës ka bërë të ditur se do të vërë në dispozicion para në shumën prej 1 milionë eurosh për Charlie Hebdo. Ky është një hap i mirë, që ne e përshëndesim.

Para atentatit Charlie Hebdo ndodhej para falimentimit financiar…

E sigurtë. Charlie Hebdo do të vazhdojë të jetojë. Revista nuk ka vdekur asnjëherë. Mendoj se të ardhurat do të vërshojnë. Do të jenë të rëndësishme donacionet dhe ndihmat shtetërore, por jam i sigurtë se Charlie Hebdo do të ketë siguri financiare për një kohë të gjatë.

Po fryma e gazetës, a do të vazhdojë të jetojë?

Fryma, shpirti i gazetës është fryma e lirisë. Kjo është një vlerë që ka rëndësi të madhe për ne në Francë, në Evropë, në të gjithë botën. Kjo frymë nuk do të jetë e mundur të shuhet. 7 janari do të jetë një ditë e zezë për shtypin francez dhe për lirinë e mendimit. Por kjo liri u trazua fare shkurt. Për disa minuta të përgjakshme.

A ekziston frikë në redaksitë franceze?

Për momentin ajo që ndiej unë është para së gjithash solidariteti. Njerëzit janë ndërgjegjësuar se liria, e cila konsiderohej e pavdekshme është e brishtë. Asaj mund t’i vihet pikëpyetje me sot, me nesër. Tetë gazetarë i vranë, sepse mbronin të drejtat e lirisë së tyre. Mediet franceze duhet të reagojnë pa frikë. Përkundrazi, ato duhet t’i përmbahen edhe më lirshëm se kurrë detyrimit të tyre për informim. Edhe në emër të redaksisë së Charlie Hebdo.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button