Politika

Hapja e dosjeve, nis shqyrtimi i p/ligjit me fillimin e sesionit

Projektligji “për hapjen e dosjeve”, i propozuar nga qeveria, do të nisë të shqyrtohet në Kuvend me fillimin e sesionit të ri parlamentar në fund të janarit.

dosjetNë mbyllje të vitit të kaluar qeveria miratoi projektin e saj ndërsa për të njëjtën çështje, më herët, shoqëria civile ka propozuar një draft të mbështetur nga dy deputetë të opozitës, Mesila Doda (PD) dhe Shpëtim Idrizi (PDIU).
Drafti i qeverisë parashikon që procesi të bëhet nga Autoriteti i Informimit Publik, një strukturë me pesë anëtarë, që do të jetë në varësi të Kuvendit. Shqipëria në këtë proces parashikon të ndjekë modelin gjerman, i cili ka rezultuar i suksesshëm. Pr/ligji merr parasysh vendimet e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje dhe është në respekt të plotë të parimeve të Komisionit të Venecias.
Ligji i ri ka fushë veprimi hapjen e dosjeve për periudhën nga 29 nëntor 1944, kur u çlirua Shqipëria dhe deri më 21 mars 1991, kur u mbajtën zgjedhjet e para pluraliste në vend.
Drafti, që synon transparencën në këtë proces, përcakton se nuk do të ketë dënime kolektive, e shpallur kjo si antikushtetuese nga gjykata. Shqipëria, që është e fundit në këtë proces nga vendet e Lindjes, me këtë tentativë që nuk është e para beson se do t’i japë fund njëherë e mirë këtij procesi që ka shërbyer më së shumti për të shantazhuar kundërshtarët në të kaluarën.
Pr/ligji i miratuar nga Këshilli i Ministrave pason nismën e shoqërisë civile, e mbështetur edhe nga dy deputetë të opozitës. Kjo nismë e fundit rregullon hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe procesin e lustracionit përmes ruajtjes, përpunimit, administrimit dhe përdorimit të të dhënave të arkivave të ish-Sigurimit.
Drafti parashikon të vërë në dispozicion të publikut dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit gjatë periudhës së regjimit komunist 24 tetor 1944-31 mars 1991, për t’iu mundësuar atyre informacionin e plotë mbi ndikimin që kjo strukturë ka pasur mbi fatet e tyre.
Po ashtu, ai synon të garantojë aksesin individual në të dhënat personale, të cilat ish-Shërbimi i Sigurimit të Shtetit mblidhte e arkivonte për personin, për të njohur qëndrimin e gjykimin për të dhe pasojat; të sigurojë mbrojtjen e personit nga dëmtimi i së drejtës për privatësi të shkaktuar nga përdorimi i të dhënave personale të ruajtura; të sigurojë dhe të nxjerrë në pah aktivitetin e plotë historik, politik dhe juridik të ish-Sigurimit të Shtetit dhe ta verë atë në funksion të nevojave publike studimore dhe edukuese.
Nisma e shoqërisë civile përcakton gjithashtu rregullat e lustracionit në politikëbërje duke kontrolluar pastërtinë e figurës së çdo funksionari publik të zgjedhur apo të emëruar për periudhën 24 tetor 1944-31 mars 1991, lidhur me pjesëmarrjen e tij në strukturat politikëbërëse dhe zbatuese të diktaturës së proletariatit, si dhe drejtues apo punonjës operativ i ligjshëm ose i fshehtë, apo bashkëpunëtor sekret i ish-Sigurimit të Shtetit, deri më 2 korrik 1991 kur u krijua Shërbimi Informativ Kombëtar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button