Kronika

Lejet e drejtimit, policia ndryshon udhëzimin

Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri me propozim të Drejtorisë së Policisë Rrugore ka miratuar një ndryshim në Udhëzimin “Për mënyrën e evidentimit dhe shqyrtimit të kundërvajtjeve administrative, procedurat që ndiqen për masat administrative plotësuese, administrimi i gjobave dhe pasqyrat statistikore në fushën e qarkullimit rrugor”.

Makina-Tirane-NOA_1-320x203Ky ndryshim lehtëson procedurat e marrjes së lejes së drejtimit pas përfundimit të afatit të pezullimit, për qytetarët që nuk jetojnë në Shqipëri, thekson Ministria e Punëve të Brendshme me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook”.

Pak ditë më parë qytetari E.R. nga Elbasani, por që ka emigruar dhe aktualisht jeton në Greqi i është drejtuar Ministrit të Brendshëm me një mesazh telefonik, duke i kërkuar ndihmë për të zgjidhur problemin e lejes së tij të drejtimit të pezulluar nga Prefekti i Qarkut Tiranë për një periudhë 6-mujore pas konstatimit të shkeljes së Kodit Rrugor nga ana e shërbimit te Policisë Rrugore Tiranë.

Kërkesa e qytetarit konsistonte në faktin se ai e kishte të vështirë të ndiqte rrugën institucionale për të tërhequr lejen e drejtimit pas përfundimit të afatit të pezullimit.

Ministri Tahiri ka urdhëruar Drejtorinë e Policisë Rrugore që të shqyrtojë kërkesën e qytetarit dhe në të njëjtën kohë të reflektojë problematikën e ngritur edhe për rastet e tjera të ngjashme me të.

Drejtoria e Policisë Rrugore ka marrë në shqyrtim legjislacionin aktual dhe ka vendosur të propozojë ndryshimin e Udhëzimit që rregullon ligjërisht këtë situatë të krijuar. Ndryshimi u krijon mundësi qytetarëve, që në momentin e pezullimit të lejes së drejtimit të deklarojnë vetë se ku dëshirojnë që ta tërheqin lejen e drejtimit kur të përfundojë sanksioni ligjor.

Deri tani të gjitha lejet e drejtimit të pezulluara të qytetarëve me banim jashtë Shqipërisë, pas përfundimit të afatit të pezullimit u dërgoheshin qytetarëve nëpërmjet kanaleve diplomatike në vendin e tyre të banimit. Me ndryshimin e udhëzimit qytetarët do të vendosin vetë se ku duan që ta tërheqin lejen e drejtimit, në Shqipëri, apo në vendet ku ata jetojnë.

Ministria e Punëve të Brendshme njofton se do të vijojë edhe në të ardhmen që të lehtësojë procedurat e ndryshme, duke u dhënë mundësi qytetarëve që të marrin një shërbim sa më të shpejtë dhe cilësor pranë Policisë së Shtetit. Në këtë kontekst të gjithë qytetarët janë të ftuar të kontaktojnë me MPB dhe Policinë e Shtetit duke bërë propozimet përkatëse të cilat do të shqyrtohen me seriozitetin e duhur.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button