Home / Kryeartikull / Donald Lu, jo si paraardhësit e tu!

Donald Lu, jo si paraardhësit e tu!

ARBEN MANAJ

Arben ManajMesazhi “mesianik” në video i ambasadorit të ri amerikan Lu më la një shije të hidhur dhe ma fiku deri diku shpresën, ndoshta naive, të një Donald Lu ndryshe! Është i paprecedentë ky prezantim mediatik dhe ndoshta unikal.

Dikush mund të jetë ekzaltuar nga shqipja e diplomatit amerikan, çka mua nuk më habit dhe aq, pasi është normale që ta dish ose të kesh filluar të mësosh gjuhën e vendit ku akreditohesh, siç bëjnë rëndom edhe diplomatët britanikë, për shembull kur vijnë në Shqipëri.

Të vetëdijshëm se nga vijnë, ç’përfaqësojnë, sa ndikim do kenë dhe sesi do të trajtohen nga vendasit, përgjithësisht ambasadorët amerikanë të post-komunizmit në Shqipëri, ashtu si edhe ata sovjetikë në dekadat e para të pas Luftës së Dytë Botërore, janë sjellë dhe parë si guvernatorë të pazgjedhur.

Duke shkelur haptazi edhe etikën diplomatike, por edhe rregullat e paracaktuara nga Konventa e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike e vitit 1961, këta ambasadorë si dhe jo pak ambasadorë të tjerë perëndimorë në Shqipëri, sillen sikur të kenë marrë jo aprovimin e Kongresit Amerikan apo parlamenteve respektive, por mandatin e deputetit të Parlamentit Shqiptar, atij të Kosovës a ndonjë shteti tjetër ballkanik.

Të gjendur nën përkëdheljen e politikës së kompleksuar dhe mëkatare shqiptare, por edhe fatkeqësisht nën dritën e mbulimit mediatik tipik, por edhe shpesh servil për demokracitë e reja, këta ambasadorë jo vetëm janë në qoshet e çdo ode vendimmarrëse politike, por edhe i imponohen pa elegancë politikës dhe publikut, për të thënë dhe dhënë inputin e tyre politik për çdo hall dhe problem, që mund të ketë demokracia e brishtë shqiptare.

Praktikisht kjo lloj sjellje jodiplomatike nuk është tipar spikatës vetëm në Shqipëri, por atë e gjen edhe në Maqedoni, në Kosovë, e në shumë vende të tjera ku ambasadorët amerikanë, thonë shpesh fjalën e fundit, (siç së fundmi ishte rasti i krizës qeveritare në Kosovë p.sh.).

Rotacioni normal diplomatik amerikan në Tiranë, edhe pse i vonuar në kohë, ndodhi pas një episodi politik të paprecedentë në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, pas çështjes së demontimit, ose më saktë, dështimit për demontim të armëve kimike në Shqipëri, episod që pati atë prolog që tashmë e dimë të gjithë.

Hije dyshimi u hodhën në atë kohë për vokacionin proamerikan të shqiptarëve, që rezultoi sipas të gjitha gjasave dhe treguesve, jo realist.

Por vetë fakti që pati zhgënjim amerikan kur shqiptarëve nga ish-ambasadori amerikan u ishte kërkuar shpesh dhe me ngulm profetik të zgjoheshin dhe të “Vepronin Tani”, (Act Now), gjë që ata e bënë për atë çështje, përkundër zhgënjimit të nënkuptuar zyrtar, dëshmoi se shqiptarët nuk janë më të përgatitur të kapërdijnë gjithçka amerikane pa e përtypur më parë.

Ky episod nuk ishte në fakt përmbyllja ideale e misionit diplomatik për një ambasador amerikan si Arvizu.

Ai ka qenë shumë kontrovers në misionin e tij shqiptar, ku herë ka qarë, e herë ka kërkuar falje publike, herë ka hequr xhaketën e herë ka përfunduar në retorikën e nivelit tashmë të njohur për një politikan tipik shqiptar.

Padyshim, zyrtarisht ai përfaqësonte zërin dhe opinionin zyrtar të Uashingtonit dhe Presidentit amerikan të ditës, Obamës në rastin konkret, por shpesh, siç vihet re, ka një marzh personal sjelljeje nga diplomatët amerikanë, pasi është e paimagjinueshme që çdo fjalë e fjali e nxjerrë nga goja e ambasadorit është e filtruar dhe diktuar në detajet më të imta, sipas kabllogrameve dhe komunikimeve diplomatike nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Kjo është e pamundur në kohë reale.

Për mendimin tim, është e pamundur që Arvizu të përgjigjej dhe të hynte në replikë me një deputet të opozitës kur i përmend se çfarë bëri me Komisionin e 21 Janarit të apo atij “Burri të Shtetit”, cilësim piramidal i nxjerrë dhe që i atribuohet vetëm Arvizusë.

Edhe çështja me gazetën “Shekulli”, siç edhe e pranoi vetë së fundmi, në një dalje lamtumire, ishte kritikuar nga Uashingtoni.

Dhe pikërisht katandisje të tilla diplomatike në nivele replikash tipike shqiptare, është ajo që një përfaqësues i nderuar dhe i respektuar si ambasadori amerikan, do të duhej ta shmangte me çdo çmim, për shkak të staturës dhe peshës politike në një vend si Shqipëria.

Arvizu ka bërë shumë punë të mira në Shqipëri, të mos keqkuptohemi, por ka ardhur koha që pasuesi i tij, Donald Lu, të ofrojë një mënyrë akoma më dinjitoze të performancës diplomatike për të pasur impakt maksimal dhe atë ndikim absolut amerikan, si vendi më demokratik dhe më me influencë në botë, për çdo rehabilitim politik të çdo aksidenti demokratik në kontekstin shqiptar.

Ka ardhur koha që diplomati amerikan të mos bëjë në daljet televizive atë që bënte Xhulian Asanzh, duke nxjerrë në fund të misionit diplomatik detaje të komunikimeve diplomatike me aktorë të rëndësishëm të politikës, që dikur i ka quajtur “yll në ngjitje” të politikës shqiptare apo “burrë shteti” e t’i përgjigjet ndonjë politikani vendas, siç i ka hije t’i përgjigjet politikisht brenda çdo të drejte në retorikën parlamentare ndonjë eksponent tjetër i spikatur politik në vend.

Arvizu nuk është se ka qenë i adhuruari i të gjithë krahëve të politikës shqiptare në çdo kohë. Qëndrimi ndaj tij ka ndryshuar në varësi të zhvillimeve politike dhe prononcimeve të tij politike, dikur në dashuri politike me “burrin e shtetit” dhe policinë e 21 Janarit, e tani i dashuruar dhe vlerësuar nga ata që kanë turfulluar me prononcimet e tij pas asaj ngjarjeje, e që tashmë kanë ardhur në pushtet, dhe i ofruan mikpritjen shqiptare derisa të kishte frymën gjallë.

Dikush mund të argumentojë se në ato momente politike ashtu i është dashur të veprojë politikisht, gjë që në një analizë edhe mund të mbajë ujë si argument. Por ka pasur shumë raste të tjera, ku dhe kur ambasadorit amerikan i është dashur të mbajë qëndrim shumë më të ashpër parimor me çdo trazovaç të politikës shqiptare, duke toleruar qëndrime tejet kontroverse, si ato pas zgjedhjeve lokale apo ngjarjeve të 21 Janarit, ku edhe ekspertiza amerikane e FBI-së u injorua.

Kujtoj se, nëse ambasadori amerikan do të ishte shumë më i prerë dhe i vendosur në qëndrimet që i vijnë nga Uashingtoni zyrtar dhe jo ai lobist, edhe Berisha që lëpihej pas Podestës, do mendohej mirë. Ka një fakt të pamohueshëm që shqiptarët e thjeshtë, por edhe një pjesë jo e vogël e atyre të sofistikuar, mendojnë se DASH-i në Uashington e hap dhe e mbyll ditën me ngjarjet në Shqipëri.

Ky naivitet politik i vjen përshtat sjelljes prej guvernatori të diplomatëve amerikanë, që nuk kanë akses mediatik dhe politik, kaq publik në vende të zhvilluara dhe të pasura, sa kanë në Shqipëri.

Por çdo ditë që kalon, shqiptarët latohen si perëndimorë në mentalitet dhe reagimet e tyre. Në rastin fatkeq, kur ata do të preferonin si më intriguese dhe relaksuese “të shikonin sesi rritet bari”, sesa të dëgjonin porositë dhe mesazhet frymëzuese për demokracinë nga përfaqësuesit e një vendi të nderuar dhe mik të shqiptarëve, pa mëdyshje që një faj do ta kenë edhe përfaqësuesit zyrtarë të Uashingtonit në Tiranë.

Të qenët më pak aparent në publik, dhe shembulli i ambasadorëve britanikë dhe gjermanë, mund të vijë në ndihmë, kur mesazhet dhe ndikimet mund t’i japin shumë më mirë pas kuintave, do të ishte padyshim më rezultative për imazhin e tyre si faktor absolut dhe tejet të rëndësishëm për shtytjen e politikës shqiptare drejt rrjedhave perëndimore dhe europiane.

Sfida për të shmangur nevojat meskine lokale për një vizë amerikane, tanimë edhe trevjeçare, apo vanitetin e të parit i ftuar në një pritje të ambasadorit amerikan si një pasaportë e besimit të Uashingtonit për eksponentë politikë, mediatikë apo të shoqërisë civile shqiptare, është më e lehtë se të “nxjerrësh gjak prej gurit”, siç thotë një shprehje e njohur në anglisht.

Kjo do të shmangë edhe defektin e prishjes dritëshkurtër të ekuilibrave në marrëdhëniet formale me faktorët politikë relevantë vendas, që janë pjesë e pamohueshme e ekuacionit dhe konfigurimit politik, me të cilët, edhe si pjesë e “job description”-it diplomatik, do të duhet të sillesh me shumë diplomaci, edhe kur ata janë në pushtet, por edhe kur janë në opozitë.

Në rast të moskuptimit se shqiptari i thjeshtë në një fshat të Tepelenës apo të Kukësit, nuk voton më për atë të cilit i shkel syrin Arvizu apo Donald Lu, por për atë nga i cili nuhat se përfiton më shumë, amerikanët sërish do mbeten ende të preferuarit e parë të shqiptarëve, për ato arsye dhe borxhe morale të ditura, por jo si në këto 20 vjetët e fundit.

Të humbasësh kuotat e mbështetjes dhe adhurimit në radhët e popullit më proamerikan në Ballkan dhe Europë, padyshim që në një sens mund të rezultojë një nënprodukt i emancipimit politik të pritshëm të një kombi që del nga izolimi dhe paragjykimet komuniste dhe krijon ndjesi moderne siç kanë britanikët apo francezët ndaj amerikanëve dhe politikës së tyre globale. Por nëse nuk menaxhohet me sensitivitetet dhe delikatesën specifike, s’ka sesi të mos jetë edhe përgjegjësi e përfaqësuesve diplomatikë të Uashingtonit në Tiranë.

Leave a Reply

%d bloggers like this: