Libri

Erika Jong: “Frika e Fluturimit” dhe zbulimi i vetes

Përkthyer nga Irena Dono*

Erika Jong, shkrimtare amerikane me origjinë hebreje, e shkroi këtë libër dhe e botoi kur ishte njëzetenëntë vjeç. Ishte romani i saj i parë pas botimit të dy librave me poezi erotike. Qysh atëherë e deri më sot, ajo ka botuar mbi njëzet libra dhe ka marrë shumë çmime.

Erica-jong_1Romani ka në qendër aventurat dhe fantazitë seksuale të një vajze njëzetenëntëvjeçare, Izadora Uing, e cila përshkruhet nga autorja si e egër dhe inteligjente, neurotike dhe e paqëndrueshme, e çiltër dhe e hapur të rrëfejë mëkatet e saj deri në detajet më të imta dhe skutat më të fshehta ku fshihen ndjenjat dhe mendimet e gruas. Ajo gërmon dhe gërmon, aty ku pena e shkrimtarëve të tjerë nuk guxon të hyjë, bashkon realitetin me fantazinë, e le fantazinë të ndërhyjë nganjëherë brutalisht në realitetin jetësor duke mos vënë madje kufi ndarës. Ajo bën një përmbledhje të lidhjeve të saj dashurore dhe seksuale duke i përshkruar në një mënyrë që tregon se ajo nuk është aspak krenare për veten. Ajo e fshikullon veten orë e çast që vepron ashtu, por është e sigurt që thotë të vërtetën dhe nuk fshihet pas artificeve letrare. Dhe kjo e bën heroinën më të besueshme dhe më njerëzore. Ndoshta nga standardet e një pjese të shoqërisë ajo mund të quhet “putanë”, “e shthurur”. Por, prapëseprapë, ajo është aq njerëzore dhe e vërtetë! Ajo nuk shtiret, ajo i thotë hapur ato që mendon dhe lufton të gjejë vendin e saj në jetë. Çfarë mendon dhe çfarë do ajo? Kjo ndryshon nga kapitulli në kapitull dhe, madje, nga një faqe në tjetrën. Ajo aty dëshiron të rrijë me njerëz të tjerë, pastaj do të rrijë vetëm, kërkon më pas të ndërmarrë risqe që do ta ndryshojnë jetën e saj, do të jetë e sigurt, do të jetë e pavarur, por do të jetë nganjëherë edhe shtëpiake e devotshme. Ky duket se është edhe një nga mesazhet kyçe të Erika Jongut në këtë roman: ndjenjat e tërheqjes dhe dëshira janë nga natyra e tyre në një gjendje konstante fluksi. Të përpiqesh të diagnostikosh Izadorën, ta analizosh atë, ta kategorizosh atë, do të ishte e kotë. Jongu ironizon me gjithë psikiatrit që përpiqen ta bëjnë këtë dhe madje e quan se edhe teoritë e Frojdit janë gjysmake dhe të thjeshtëzuara. Në një nga kapitujt e romanit, Erika Jong citon se: “Gjërat për gratë janë të vështira, sepse atyre u duhet gjithnjë që ta përshtatin veten me teoritë e krijuara nga burrat për gratë”. Izadora është thjesht Izadora, nuk e gjen si personazh askund gjetkë. Erika Jong na jep një karakterizim të thukët të saj, përthithës dhe mbresëlënës. Është përshkrimi që bën një grua për gruan. Lexuesi e njeh më mirë heroinën kur mbërrin në gjysmë të librit, atëherë kur fillojnë dilemat dhe vartësitë e saj. Ajo është konfuze, kërkon për diçka më të mirë në jetë, shpalos ambicien e saj për t’u bërë shkrimtare, por ka frikë nga gjithçka në jetë, madje tmerrohet edhe të dërgojë shkrimet e saj te botuesit. Rrëfimi i Izadorës rrjedh energjikisht, çka ajo mendon dhe dëshiron është më e rëndësishme nga ajo çka bën. Në fillim filozofimet e Erika Jongut duken didaktike, por shpejt lexuesi e kupton se ato janë një atribut thelbësor i mënyrës së të shkruarit së saj. Dhe në përsiatjet e personazhit gjejmë plot sentenca filozofike interesante që kanë vlerë universale. “Frika e Fluturimit” është një roman që fokusohet në temën e zbulimit të vetes e kërkimit brenda vetes, e cila kalon përmes një lufte të brendshme dhe analizash të forta. Erika Jong e paraqet jetën e Izadorës duke e kaluar në sitën e psikanalizës. Qëllimi i Izadorës është të zbulojë kuptimin e inteligjencës së saj dhe eksperiencave si grua. Brenda këtij konteksti, Jongu injekton atë që mund të vlerësohet si stimul për rrugën e ndjekur nga Izadora në zbulimin e vetes. Izadora ka frikë nga fluturimi, ka frikë se humb kontrollin dhe e le timonin e jetës së saj të drejtohet nga të tjerët. Por nga fundi i romanit protagonistja reflekton mbi jetën dhe historitë e shkuara dhe ndjenjat e revoltës, shtypjes, zemërimit dhe pikëpamjet e saj feministe bashkohen dhe i paraprijnë ndryshimeve substanciale në jetën e saj. Frika e fluturimit është një metaforë për të gjitha frikërat që ka njeriu gjatë rritjes dhe moshimit. Sado që Erika Jong është një feministe e thekur dhe i shpalos idetë dhe filozofinë e saj feministe në shumë penelata të hedhura aty-këtu, prapëseprapë romani të bën të mendosh se, megjithëse ekziston lufta midis sekseve, feminizmi nuk është zgjidhja për atë që ndihet e tradhtuar, e mashtruar ose inferiore ndaj seksit të kundërt. Në fund të fundit, të gjithë kemi nevojë për njëri-tjetrin për t’ia dalë mbanë në jetë. Dhe përtej mesazheve që përcjell ky libër, nuk mund të mos vë në dukje komicitetin me të cilin mbështillen ngjarjet, përshkrimet e situatave dhe sidomos lëvizjet e personazhit kryesor, Izadorës, te të cilat seriozja, naivja dhe komikja shkrihen në një. Kjo e bën romanin zbavitës, madje edhe në përshkrime nganjëherë të vrazhda, të thëna shqeto të jetës, edhe në gjëra të rënda, serioze që duken sikur “zbuten” nga ngjyrimi me këto nota komike. Duke shkuar më tej në analizën e romanit, vërej se ky nuk është një roman tipik klasik, ka thyerje e përthyerje që kalojnë nga situatat përshkruese, të cilat kanë ngjyresën dhe forcën e një proze të mirëfilltë në dialogë nganjëherë të zvargur psikanalitikë, të cilët bëhen të lodhshëm për lexuesin, apo kthehen në banalitete dhe teprime. Këtu proza bëhet e rëndomtë, nuk e ka tharmin e tregimtarisë së mirë dhe i largohet humorit. Por, megjithatë, të lë pa mend inteligjenca, kultura e gjerë e shkrimtares, leximet e saj të pafundme dhe deduksionet logjike që ajo nxjerr nga veprat e shkrimtarëve të shquar që ka lexuar. Erica Jong është një romanciere, poete dhe eseiste që e ka shkrirë talentin e saj për t’i pajisur gratë me një zë të fuqishëm, racional në kalitjen e vetëdijes femininiste të grave. Siç thotë shkrimtarja, “në kohën që u botua romani, nuk kishte pasur ende një libër që të thoshte se gratë janë romantike, gratë janë intelektuale, gratë janë seksuale, të gjitha këto të sjella së bashku”. “Frika e Fluturimit” ishte libri që i përmblodhi këto”. Botimi i tij më 1973 përfaqëson një moment vendimtar jo vetëm për prozën e grave, por për tërë lëvizjen liberale të grave dhe pati një ndikim të madh në terrenin nacional dhe internacional për pavarësinë dhe seksualitetin femëror. Libri sfidoi të menduarit konvencional për gratë, martesën dhe botën femërore. Shumë gjëra kanë ndryshuar qysh atëherë në botën e grave. Këtë e pranon edhe E. Jong në intervista të viteve të fundit. Megjithatë ajo ngul këmbë se feminizëm do të thotë sot që gratë të përdorin të gjitha dhuntitë e tyre, talentet e tyre dhe të mos gjykohen në mënyrë të pjesshme. Shkurt, feminizëm do të thotë që gratë të gëzojnë të gjitha të drejtat dhe të jenë të plotësuara si qenie njerëzore. Ajo nënvizon faktin se ky libër i dha asaj një platformë për të folur kudo për feminizmin. Ajo dëshiron t’i ndihmojë gratë e reja të kuptojnë se duhet të kontrollojnë trupin e tyre, shëndetin e tyre dhe ky është një nga mesazhet që përcjell edhe protagonistja e romanit. “Frika e Fluturimit” është quajtur si një vepër përfaqësuese që i dha hov valës së dytë të lëvizjes feministe të viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar. U quajt një vepër kontroversiale për ndershmërinë me të cilën autorja flet për dilemat ekzistenciale dhe ndjenjat e brendshme seksuale të gruas. Kritikët e konsiderojnë romanin si një mbështetje të fuqishme për principet feministe. Askurrë më parë nuk ishte shkruar kështu për jetën e grave, psikologjinë dhe seksualitetin. Erika Jong ishte një pioniere për këtë. Kur u ula të shkruaja këto shënime, isha ende nën trysninë e të qenët përkthyese e librit. Por le të mundohem ta lë mënjanë këtë dhembshuri dhe të them disa fjalë për Erika Jongun dhe librin e saj të parë në prozë “Frika e Fluturimit”, të cilin “Bota Shqiptare” ma besoi ta sillja në shqip. Një përkthyes e do krijesën e vet, se aty ka derdhur mundin, talentin, kulturën dhe njohuritë e tij dhe kjo e bën ta shohë atë me përkëdheli si fëmijën, ta dojë krijesën e vet dhe t’i bëjë parapritë shigjetave që mund të hedhin njerëzit që e lexojnë veprën.

*Përkthyes e Erika Jong në shqip

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button