Politika

Ambasadori Lu prezantohet tek Nishani: Ambasadorët ndryshojnë, por jo politika amerikane

Ambasadori i ri amerikan Donald Lu i ka paraqitur sot Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, letrat kredenciale. Duke u shprehur me një shqipe të saktë dhe të kujdesshme, z.Lu ka treguar për familjen e tij, duke nisur nga prindërit që jetojnë në Kaliforni, më pas për bashkëshorten dhe fëmijët që e shoqërojnë në Tiranë e në përfundim, ka treguar tre prioritetet e misionit të tij në Shqipëri.

donald lu“Gjatë kohës së pritjes mësova shqip, – tha Lu, – ndaj më lini t’ju tregoj pak për veten dhe familjen time dhe pastaj do të flas për prioritetet e Uashingtonit për Shqipërinë.

Së pari, jam rritur në një qytet bregdetar në jug të Kalifornisë, që është i njohur në Amerikë si qyteti i serfit. Ky qytet është multietnik e ku shumë njerëz, edhe nga Shqipëria, vijnë për të gjetur mundësi të reja për veten dhe familjet e tyre.

Babi im erdhi nga Kina; ai ishte një inxhinier i sukseshëm dhe kishte “hoby”, makinat e vjetra. Nëna ishte lindur në atë qytet nga prindër, gjithashtu, emigrantë; pasi mbaroi universitetin, ajo u bë presidente e një kompanie kompjuterash. Prindërit kursyen paratë e tyre për të na dhënë arsim të mirë.

E gjithë familja ime jeton në Kaliforni, kurse bashkëshortja ime e dashur është me mua këtu dhe është specialiste e shëndetit publik. Ne kemi dy fëmijë: Allia, 9 vjeçe dhe Kip, 13 vjeç, që janë super të zgjuar dhe shumë të lumtur që janë në Shqipëri.

Prioritet e mia janë tre: Integrimi i Shqipërisë në BE, në strukturat euro-atlantike dhe forcimi i institucioneve demokratike.

Marrja e statusit kandidat është një arritje e pamatë, për të cilën shqiptarët duhet të jenë shumë krenarë. Ne mbështesim integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë në NATO dhe BE. Kjo mbështetje është nxitje e përpjekjeve të Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Të jeni të sigurtë se ne do të jemi miq të të gjithë shqiptarëve. Ambasadorët ndryshojnë, por politika amerikane nuk ndryshon,” – theksoi ai.

I pyetur nga gazetarët për sulmet në Francë, Donald Lu vërejti se në kuadrin e masave kundër terrorizmit, “SHBA janë të shqetësuar për luftëtarët e huaj që marrin pjesë në luftimet në Siri dhe paraqesin kërcënime kur kthehen në vendet e tyre. Ndaj, ne po punojmë me Shqipërinë dhe vendet e tjera partnere për të zbutur këtë kërcënim.”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button