Presidenciale

Nishani vlerëson kontributin e Presidentit Napolitano në krye të Italisë

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i ka dërguar një mesazh Presidentit Xhorxho Napolitano ku vlerëson maksimalisht bashkëpunimin me të dhe kontributin e tij gjatë kohës që ishte në krye të Republikës italiane.

Giorgio-Napolitano (1)“I nderuar Shkëlqesi President. Pas lajmit të dorëheqjes tuaj nga detyra e Presidentit të Republikës italiane, të cilin jam i bindur se e keni marrë jo pa vështirësi, por me ndjenjën e përgjegjësisë më të lartë shtetërore, dëshiroj t’ju përcjell vlerësimin dhe kënaqësinë maksimale që pata në bashkëpunimin me ju gjatë kohës në detyrë.

Ju garantoj se do të mbeteni gjatë e pashlyeshëm jo vetëm në historinë politike të vendit e popullit tuaj si një personalitet peshërëndë e shkëlqimplotë, me kontribut dhe ndikim të madh në politikë  në përballimin e kohëve të vështira e sfidave reale për Italinë, por edhe për shtetin e popullin shqiptar, fqinjët e partnerët tuaj strategjikë.

I kam ende të gjalla mbresat e vizitës tuaj shumë të suksesshme në Shqipëri, që zhvilluat në mars të vitit të kaluar, dhe mesazhet kuptimplota e inkurajuese në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, dhe veçanërisht premtimin se së bashku do të fitojmë kauzën për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Me këtë rast, dëshiroj edhe një herë t’ju përcjell vlerësimin maksimal për mbështetjen që ju dhe vendi juaj i keni dhënë Shqipërisë e popullit shqiptar gjatë kësaj kohe, për realizimin e reformave demokratike, për avokaturën e zëshme për integrimin euro-atlantik dhe evropian të Shqipërisë, si dhe për pritjen bujare e dinjitoze të emigrantëve e studentëve shqiptarë në Itali.

Duke ju uruar shëndet të plotë dhe çdo të mirë në jetën tuaj private, më lejoni i dashur mik, t’ju përcjell sigurimet e konsideratës sime më të lartë.” – përmbyllet mesazhi i Presidentit të Republikës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button