Home / Arte / Libri / Goditja ishte e rëndë, dramatike

Goditja ishte e rëndë, dramatike

Një shkrim i Kadaresë për gazetën e sotme “Le Monde”

eiffel-tower-paris-2-1050x700_1Goditja ishte e rëndë, dramatike. Ishte më e pakta gjë që mund të thuhej. Fjalët se Europa ishte goditur mu në zemër të saj nuk mungonin pothuajse në asnjë formulim lajmesh. Kishte në to befasim, dhembje, tmerr, si për diçka që ndodhte për herë të parë. Pavarësisht prej hijes së saj prej zonje të rëndë, Europa nuk ka qenë e pagoditshme. Madje kishte ndodhur që dy nga katër gadishujt e saj, ai Iberik dhe ai Ballkanik, ia kishin shkëputur me forcë shekuj më parë. I përkas njërit prej popujve ballkanas, që e ka humbur dy herë Europën: në shekullin XV dhe atë XX, në komunizëm. Mendoj se popujve që u ka rënë një fat i tillë, kanë një qasje të veçantë, tepër të ndjeshme për atë që ndodhi. Ndonëse e përsëritur, tragjedia jepte, siç u tha, përshtypjen e diçkaje të re, të panjohur. Nën ndriçimin e saj, u qartësua befas edhe njëherë, raporti i kontinentit europian me krejt globin tokësor. Është e vërtetë se ky konsiderohet si kontinenti më shumë se kushdo që ka përfituar prej planetit Tokë, por ndërkaq është po ai që më shumë se kushdo i ka dhënë këtij planeti. Ajo çka Europa ka dhënë, i përket një sfere të epërme, asaj të vlerave shpirtërore: mendim, art, letërsi, demokraci, deri te liria e shprehjes, për të cilën u godit.

Ismail-Kadare-shkrimtariTipari i parë i këtyre vlerave bën pjesë në aktet më sublime të njeriut. Ndryshe nga pasuritë lëndore tokësore, ndryshe nga pyjet, nafta, bankat, që secili vend i gëzon për vete, vlerat shpirtërore u nënshtrohen ligjeve të tjera. Asnjë popull ose familje popujsh nuk i krijon ato vetëm për vete, por njëherësh, aty për aty, qysh në ditën e parë të krijimit të tyre, natyrshëm ua fal, pra ua dhuron tërë popujve. Kështu Europa krijoi Danten, Shekspirin, Bethovenin, vetë Parisin, për vete dhe për krejt botën. Ky ka qenë, me sa dukej, ai zbulim që u qartësua befasisht, si nën ndriçimin e një rrufeje: mirënjohja planetare për Europën, kontinentin e goditur. Bashkë me mesazhin se Europa është e shtrenjtë për krejt njerëzimin, ndaj ajo jo vetëm ka të drejtë, por e ka për detyrë të mbrohet. Për vete dhe për të gjithë.

Ismail Kadare

Leave a Reply

Your email address will not be published.