Home / Kryeartikull / Shqiptarët dhe politika klanore

Shqiptarët dhe politika klanore

NDUE DEDAJ

Ndue-DedajSkaneri ynë politik paraqitet me dritëhijet e veta, ku e ku dhe me njolla të murrme. Marrëdhënia e shqiptarëve me politikën jo rrallë ka qenë laramane dhe e dyshimtë: më shumë marrëdhënie ideologjike, utilitare (përfituese), klanore dhe më pak për shkak të idealeve. Në të kaluarën moniste, njerëzit hynin në parti për të qenë më pranë “rezës së visë”, siç thoshin. Si mund të përqafohej ideali marksist në fshatrat e malësive shqiptare me shumicën e banorëve analfabetë apo në kovaçhanat e varfra qytetëse, në vitet tridhjetë të shekullit XX? “Kapitali” i Marksit dhe nëse mbërrinte deri atje, do të rrinte me kapakë të mbyllur, pasi kush mund ta zbërthente kuptimin e mbivlerës etj. Por kjo nuk do t’i pengonte më pas militantët e sertë komunistë të ishin arrivistë, pasi iu vinte përshtat për të sunduar mbi të tjerët e përfituar favore përmes pushtetit. Sundimi ishte një pasion i hershëm sulltanor, që u përvetësua aq mirë nga udhëheqësit komunistë të vendeve të Lindjes, të cilët e realizuan atë përmes luftës së klasave dhe kurrë nuk i lëshuan karriget, deri sa i shkuli prej fronit pranvera demokratike.

Në shekullin XX, pluralizmi politik solli parti me ideale demokratike, laburiste, republikane, demokristiane, ekologjiste etj., dhe trasetë e politikës partiake nisën të shtroheshin drejt, përmes alternativave dhe konkurrimit. Kurse në Shqipëri pati një traditë fillestare debati politik në vitet ’20 të shekullit të kaluar, por që u fashit me triumfin e Mbretit dhe u asgjësua me Partinë Komuniste (1941); pati sërish idealistë dhe ideale demokratike në ’90-n, por që nuk u finalizuan siç duhej, ndaj dhe pas 25 vitesh dhjetoristët flasin me nostalgji po për ato ideale dhe pse bota moderne ka shkuar një çerekshekulli përpara. Historia e re politike ka qenë kacafytëse, gojëkeqe, akuzuese, ku politikanët e urtë kanë qenë sa gishtat e dorës, të tipit Arbnori, Godo, Agolli etj., njerëz të letrave para se të politikës. Politika e tashme duhej të kishte mbërritur të tjera standarde, të mos ishte as sjellja e vrazhdë, deri agresive e pozitës ndaj opozitës, as bojkoti i kësaj të fundit si “bllokazh” i kundërshtarit. Dhe pse dëshiron të jetë ndryshe, politika ende shihet si e përcaktuar (nuk po themi e privatizuar) nga klanet e lidershipeve. Nëse do të vazhdonte të ishte në udhëheqje të PS-së kryetari i parë i saj, tjetër do të kishte qenë kupola e qeverisë dhe panorama qeverisëse mbase më gjithëpërfshirëse. Edhe në partinë simotër të demokratëve jo pak nga zërat kundër janë në stolin rezervë, ose kanë dalë nga shtëpia politike që i dhanë jo pak energji dhe pozitivitet. Ky është një problem jo i vogël, pasi kemi të bëjmë me individë që kanë investuar në politikë dhe nuk është e mundur të formohen politikanë në çdo stinë. Sado çudi të duket, edhe në demokraci, më të palëkundurit, më të pathyeshmit, janë ata me origjinë nga e djeshmja puniste. Dikur thuhej se nuk ka kala që nuk marrin komunistët, në periudhën e mëpasme çerekshekullore kjo mund të modifikohet disi, nuk ka më të zotët për të mbijetuar në tranzicion se njerëzit me mendësi moniste, paçka partive ku bëjnë pjesë. Se sa e pandershme është politika në këtë vend e sheh dhe në profilin e disa njerëzve që nuk janë angazhuar në politikë, të cilët janë mënjanuar e harruar krejtësisht, artistë, shkrimtarë, profesorë, ekspertë të njohur etj., për të cilët politika kujtohet vetëm kur ata ndërrojnë jetë dhe politikanët rendin pranë tyre për homazhe, me nga një formulë kortezie nën gjuhë. Duke parë këtë orientim të një rangu të ulët të politikës, i janë qepur asaj me shkop e me trastë një kategori mediokrish, dhe pse nuk kanë lexuar pesë libra në jetë. Nuk bëjnë pa të, kandidojnë për çdo “vrimë” pushteti që hapet dhe shpesh ia dalin, falë miqësive për llogari elektorale me pushtetarët. Shembujt janë të pafundmë të një shtirje politike, për përfitim, për karrierë, për interesa meskine. Ka një përshtatshmëri, herë me njërin e herë me tjetrin krah politik. Na tregonte një kolegu ynë i një forumi social-kulturor: “Para tri vitesh qëlloi të kërkonim drejtoreshën e një shkolle, për të folur rreth analfabetizmit funksional dhe ajo na tha se ishte në mbledhjen e seksionit të PD-së. E solli përsëri rasti pas 23 qershorit të venim atje, për të njëjtën problematikë, por ajo tashmë thoshte se “ne, socialistët, po kryejmë reforma në arsim” etj. Po përse ta kërkosh shembullin “jetik” të mbijetesës politike në një zyrë të thjeshtë si ajo e drejtorit të shkollës apo atë të një zyrtari të mesëm, kur dy e trefytyrësinë politike e ke në Parlament, me deputetë që kanë kaluar sa majtas, djathtas dhe e kundërta pa vrarje të ndërgjegjes, sa kjo gjë tashmë është bërë bajate. Tipike si dje, si pardje, bile dhe më keq. Edhe pse kanë kaluar njëzet e pesë vjet nga ’90-a, ende kujtohen disa kuadro të PP-së që ndërruan pllakën dhe iu përshtatën regjimit të ri thjesht duke ndërruar këmishën dhe kollaren. Shkon asokohe në një rreth, i deleguar për shpërndarjen e pasurisë së kooperativave bujqësore, një ish-funksionar i Komitetit Ekzekutiv. Situata bëhet komike kur nga salla njëri nga pjesëmarrësit i drejtohet zotërisë së konvertuar në demokrat: “Ne të mbajmë mend se si ti vije për të ngritur kooperativat! Prapë ti u gjete për t’i prishur ato!?” Funksionarë të lartë të regjimit të kaluar, që kishin drejtuar ekonominë e centralizuar, shpesh me fanatizëm bolshevik, u kthyen në pushtet për të bërë tashmë reformat e ekonomisë së tregut. Kështu kanë rrjedhur punët në këtë vend dhe idealistët e kohërave kanë ngecur shpejt në rrjetën e kulisave e dredhive, le të kishin qenë të shkolluar e të zotët për punët e shtetit. Ata dëgjohen pak e më pak, nuk përfillen më as nga mediat, pasi po nuk të deshi “perëndia”, nuk të duan as ekranet dhe shtyllat e gazetave, jo pak të përdorura nga politika që e ka të vështirë ta bëjë pasaportën e vet të pastër, të kalueshme për në Europë.

Janë institucionet europiane që na thonë të bëjmë dekriminalizimin e politikës, nga nivelet më të larta tek ato poshtë. Por a do të mund t’ia dalim? A ka vullnet të mjaftueshëm për këtë? Është një kambanë që bie fort, por që ende nuk dimë nëse ka rënë dhe në veshët e atyre që e kanë në dorë këtë punë, kryetarët e tri partive kryesore. A do të munden ata të iniciojnë nisma për këtë qëllim, kur ende mbështetësit e tyre, ku më pak e ku më shumë, janë mësuar me hilen e votës, shitjen dhe blerjen e saj, atje ku vëzhguesit e OSBE-së nuk e kanë gjithnjë të lehtë të venë. A do të munden, pra, forumet e PS-së, PD-së, LSI-së të vendosin rregulla të reja loje, në radhë të parë me vetveten, në fushatën zgjedhore më të afërt? Tani që po afrojnë zgjedhjet vendore shumëkush po lobon për individë që ia lypin interesat vetjake e jo ato komunitare, se ky apo ai kandidat, kur të bëhet kryetar, do të më fusë në punë djalin e vajzën, hallën e tezen, do të më japë tenderë etj. Qeveria i ka hyrë vendçe punës së testimeve në radhët e profesionistëve, mësuesve, mjekëve, më pas dhe të tjerëve, pavarësisht klasit të tyre universitar e pasuniversitar të njëllojtë me atë të qeveritarëve, por dy partitë në pushtet nuk ka të dhëna se do të bëjnë pikë së pari “testimin” e njerëzve që i votojnë, për të parë nëse ata do të të sillen me dinjitet me votën apo do të bëjnë zakonin e vjetër të kurthit të saj. Por as opozita nuk ngjan të jetë unike në shpalimin opozitar drejt zgjedhjeve, ka dhe aty karshillëk të grupeve të vogla ndaj njëri-tjetrit. Copëzimi i aksionit opozitar vetëm sa e përforcon idenë e klanizmit politik, që nuk synon drejt individëve përfaqësues për zgjedhjet vendore, por shokut e mikut, atij që më shërben mua nesër. Është tani rasti që të nisë “demontimi” i shkollës së vjetër të manipulimit politik.

Shekulli XXI ka krijuar standarde të reja në politikë, nuk mund të sillesh pafundësisht, diku me hatër e diku me inat. Patjetër që ka pjesëmarrje në politikë për të fituar kapital politik e moral, por asnjëherë për përfitim material e favoresh të tjera! Kjo është demokracia politike në Gjermani, që e kemi përzemër, po dhe në Itali, ku politikani i karrierës burrështetas, siç e merr me përgjegjshmëri postin e kreut të shtetit, ashtu dhe dorëhiqet prej tij kur e do puna. Modelet europeiste janë, por nuk është e lehtë t’i pranojmë.

Leave a Reply

%d bloggers like this: