ParlamentarePolitika

Nis sot sesioni i ri parlamentar

 Sot nis sesioni i ri parlamentar. Ndryshe nga sesioni i shkuar ku opozita nuk u bë pjesë, prej bojkotit mbi 5-mujor, në orën 17:00 të ditës së sotme deputetët e majtë dhe të djathtë do të jenë së bashku në sallën e Kuvendit për të diskutuar dhe miratuar kalendarin tre-javor të punimeve të Kuvendit të Shqipërisë.

parlamentNë draft-programin tre javor është parashikuar të jetë në axhendën e Kuvendit akti-normativ për buxhetin e vitit 2014 dhe dekreti i Presidentit Bujar Nishani për Gjykatën e Lartë.

Kalendari tre-javor përfshin edhe diskutimet për dekretin e presidentit për guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Gent Sejkon, si edhe për ligjin për Forcat e Armatosura, i ndryshuar.

Por në fokus të punës së Kuvendit për këtë sesion do të jetë reforma në drejtësi, e konsideruar një prioritet parësor i ekzekutivit dhe një nga kërkesat e Bashkimit Evropian për Shqipërinë.

Komisioni i posaçëm parlamentar i konstituuar në fund të dhjetorit, të cilit pritet t’i bashkohet dhe opozita, konsiderohet si hapi i parë në përmbushjen e pritshmërive të larta për reformimin e sistemit të drejtësisë në vend. Nga ana tjetër, Partia Demokratike ka njoftuar madje edhe ka dorëzuar në Kuvend kërkesat për ngritjen e dy komisioneve, ajo e dekriminalizimit të politikës si edhe komisioni për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Duke qenë se tashmë Shqipëria ka hyrë në vit zgjedhor, puna e Kuvendit do të fokusohet edhe në këtë çështje si plotësimi i vendeve vakante në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve apo edhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ky i fundit mjaft i rëndësishëm për mbajtjen e zgjedhjeve lokale.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button