Home / Kryeartikull / Konica do thoshte: Shpirtrobër, edhe unë jam Charlie!

Konica do thoshte: Shpirtrobër, edhe unë jam Charlie!

ANDREA STEFANI

 1421671463andreastefaniJo vetëm vrasja e gazetarëve të revistës “Charlie Hebdo”, por edhe debati që po vijon tregon sesa të vështirë e kanë një pjesë e njerëzve të rrokin mendësinë e lirisë.

Deri edhe Papa Françesku u dorëzua dhe deklaroi se kur vjen puna te besimi fetar, liria e fjalës ka limitet e veta. Edhe liri edhe e kufizuar?! Kundërthënia në përkufizim është evidente. Është njësoj si të thuash: Mëkati ka virtytin e vet! Por, qenka e vështirë për t’u kuptuar se liria ose është ose nuk është dhe se po i vure kufij, ajo nuk është më liri. Përjashtim nuk bëjnë as ca shqiptarë që hedhin vickla dhe nisin e numërojnë si kufij të lirisë, ligjin, moralin apo të mirën e të drejtën. Nuk arrijnë të kuptojnë se vetëm në liri dhe me anën e lirisë janë të mundshme ligje të mira, moral i shëndetshëm, drejtësia dhe mirësia. Se ligjet e mira krijohen vetëm në liri dhe për të mbrojtur e jo kufizuar lirinë. Por këtë gjë e kish kuptuar më shumë se një shekull më parë, Faik Konica, një nga shqiptarët më të kulturuar në historinë e shqiptarëve. Mjerisht, e përflasim si shumë të zgjuar Konicën, por mësimet “Mbi lirinë” nuk duam t’ia dëgjojmë këtij Milli a Berlini të Shqipërisë. E pra, po të ishte sot mes nesh, Konica do të thoshte pa asnjë mëdyshje: “Unë jam Charlie”! Dhe ja sepse:

***

Duket Konica ka qenë shumë i frustruar nga fakti që shqiptarët, shpirtrobër siç i quan, këmbëngulnin të mos kuptonin fare se ç’është liria. Në artikullin “Ç’është liria?”, botuar në gazetën “Albania” në 1897, shfryn rëndë (sot dikush mund ta akuzonte për fyerje) gjithë inatin mbi shqiptarët truri i të cilëve ishte tepër i ndrydhur për të rrokur mendësinë e lirisë: “Më mbetet pak kohë akoma. Dua të marr shpatën, t’u çanj kokën gomarëve, dhe, në vend të tmerrit, të këllas këtë: ç’është liria? Të mos e kisha këtë fletën (vaftë në djall) s’do të humbja kokën time të mësonj gomarëve ç’është liria… tani jam lodhur nga shkaku i gomarëve… Janë nj’a 50 shqiptarë që e kuptojnë ç’është liria: ata nuk më shkrojtin gomarërira se e dinë që është i lirë njeriu të thotë si e ka në fund të shpirtit. Po të tjerët janë gomarë, dhe, si të shtyp 12 numëra;…a e dini ç’kam për të bërë? Qibarët le të mbyllin veshët: kam niet të vete të shes mut, në vënt që të mbanj të përkohëshmen; më mirë të shes mut njeriu, se të shkrojë për shqipëtarët”.

***

Konica nuk kish provuar gjë. Ndonjë llaf që i binte në vesh a ndonjë letër në redaksi janë një hiç krahasuar me korin e gomarëve “profesorë” që të hidhen në shpinë nëpër forume interneti a gazeta dhe të bëjnë leckë në emër të moralit, edukatës apo fesë! Mirë që rrojti atëherë kur s’kish internet se do e kish pasur shumë të rëndë barrën e mbrojtjes së lirisë. E megjithëse i zemëruar me shqiptarët, Konica nuk dorëzohej. Nuk do dorëzohemi edhe ne duke thirrur në ndihmë një aleat të fuqishëm si Konica: “Gomarëve pra le të përpiqem akoma njëherë t’u mbush kokën me këtë: Ç’është liria? Liria është të mundet njeriu: 1) Të besojë ç’i do zëmbëra; 2) të thotë ç’i do zëmbëra; 3) të shkrojë ç’i do zëmbëra, veç ato që janë kundër lirisë tjatëri njeriu”.

***

Konica e dinte sesa e rëndësishme qe kuptimi i lirisë edhe në raport me besimet fetare, se për lirinë nuk mund të kishte kufij apo tabura edhe në raport me to. Për Konicën liria për të besuar në fe qe po aq e shenjtë për lirinë vetë sa edhe liria për të kritikuar besimet fetare. Dhe shkruan për shqiptarët besimtarë: “Ata janë të lirë të kenë fe, janë të lirë të thonë që kanë fe, janë të lirë të shkrojnë që feja ësht’ e mirë, janë të lirë të bëjnë ç’urdhëron feja”; dhe kur më dërgojnë artikëlla për të lëvduar ferat, i shtyp pa besuar, se s’kam të drejtë t’u pres lirinë e fjalës. Por kur unë besonj, thom, shkronj që më vjen për të vjellur për çdo fe, ata shpirtrobër më thërresin: “S’të lëshojmë lirinë të na shaç ferat”! S’më lëshoni të shaj ferat? Po unë shpirtrobër, pse u lëshonj t’i lëvdoni ferat ato? A kini, në mos filozofi, pakëzë mënt për të kuptuar që fjala juaj është fjalë gomari?” Kështu shkruante dhe pyeste me revoltë Konica. Prandaj themi me bindje se ai do thoshte sot pa ju dridhur qerpiku: Unë jam Charlie!

***

A keni filozofi dhe mënt? – pyeste Konica ca shqiptarë me mendje të fanatizuara. Dhe përgjigjja, mjerisht, edhe pas rreth 120 vjetësh, është se nuk kanë ende as “filozofi” e as “mënt”. Ndryshe nuk do kërkonin që liria të ketë kufij kur vjen puna te fetë, nuk do kërkonin që fetë vetëm duhet të mburren, por kurrsesi të kritikohen apo satirizohen duke i dhënë, si pa kuptuar, një lloj të drejte terroristëve që vranë gazetarët (pra ju hoqën lirinë e jetës të dhënë nga Zoti) sepse iu “shanë” fenë! Nuk kanë mënt të kuptojnë se pa kritikën e fesë, sot njerëzimi do vazhdonte të besonte, për shembull, se Toka është e rrafshët, se ajo nuk rrotullohet rreth vetes apo se nuk është ajo që vërtitet rreth Diellit, por ky i fundit rreth saj. Nuk kanë mënt të kuptojnë se pa lirinë për të kritikuar një besim, liria e besimit shndërrohet në diktaturë e besimit mbi mendjen dhe arsyen. Nuk kuptojnë akoma atë që thoshte Konica se liria i jep mundësi një kombi të mos jetojë vetëm vuajtjet e kurmit, por edhe “jetën e mëndes” (La vie intellectuelle). Dhe jeta e mendjes është, sipas Konicës, “të hapim të tërë zëmbërat t’ona, të flasim vëllezërisht njëri kundër fjalët tjatërit, të kuvëndojmë si njerëzit të qytetëruara qi mblidhen e lëftojnë me fjalë për idealet e tyre”. Pra të luftojmë me fjalë dhe jo me armë. As duke ndaluar njëri-tjetrin të themi atë që mendojmë, që kemi në fund të shpirtit. Konica besonte se kjo transparencë deri në palcë të shpirtrave, nuk do i largonte shqiptarët nga njëri-tjetri. Përkundrazi, besonte se do i afronte më shumë, sepse do e njihnin njëri-tjetrin të papenguar nga velloja e hipokrizisë, e mendimeve të fshehura nga gëlojnë intrigat, urrejtjet dhe përçarjet. Do qe një njohje që do vinte në provë dy lidhje të arta dhe që ata duhet t’i kenë të përbashkëta pavarësisht dallimeve në fe: dashurinë e tyre për të vërtetën dhe për Shqipërinë! Lirinë nuk mund ta duash po i vure kufij. Por Konica besonte se nuk mund të duash as Shqipërinë pa dashur lirinë. Prandaj, në një tjetër artikull shkruante se “armiq’t e Shqipërisë janë shqiptarë, jo të tjerë”. Përse? Sepse “s’kanë shpirtin mjaft të lartë për të dashur lirinë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.