Arte

Muzeu “Shtëpia e Gjetheve”, Muzeu i përgjimit të policisë sekrete

Ndërtesa e njohur në Shqipëri si “shtëpia e gjetheve” shumë shpejt do të hapet për publikun, duke u konceptuar si një muze. Ministria e Kulturës do të prezantojë pë publikun në datën 23 janar, formën dhe mënyrën e transformimit.

big_ftese_pergjime_webNdërtuar në vitin 1931, godina, fillimisht ka patur funksionin e një klinike.Gjatë luftës së dytë botërore, nën pushtimin gjerman, ajo i përkiste Gestapo-s, ndërkohë që fill më pas, gjatë viteve të para të regjimit të ri, ajo u bë një qendër e Sigurimit (Policia politike) e përdorur për hetime. Nga viti 1950, ajo u bë zyra qëndrore e seksionit teknik dhe shkencor të Sigurimit. Shtëpia gjendet në qendër të qytetit, në anën e kundërt të Katedrales Orthodokse, pranë Sheshit Skënderbej dhe Bankës Qendrore të Shqipërisë.

Ideja është transformimi i kësaj shtëpie, tashmë të identifikuar nga publiku si pjesë e Sigurimit, në një muze. Në qendër të kësaj ideje të muzeut është shfaqja në formën pars pro toto të kontrollit totalitar dhe kudondodhjes së tij në një formë origjinale, nëpërmjet përgjimeve dhe spiunimeve elektronike nga vendi ku ato kryheshin.

Sipas modelit të këtij Seksioni, koncepti i përgjithshëm i muzeut mund të përfaqësohet nëpërmjet tre rrathëve koncentrik. Rrethi i parë përmban aktivitetet e zhvilluara në këtë Shtëpi: përgjimi kabllor dhe kontrolli mbi korrespondencën. Arsyeja e vendosjes së seksionit teknik dhe shkencor në këtë Shtëpi qëndron në afërsinë që ajo ka me zyrat e postës qëndrore dhe telefonisë. Rrethi i dytë konsiston në aspektin qëndror që ky seksion ka patur në mbledhjen e të dhënave të përgjimit nga të gjitha seksionet e tjera të Sigurimit. Rrethi i tretë konsiston në përgjimin në përgjithësi, si pjesë e aktiviteteve të përmendura në rrathët e mëparshëm. Ky i fundit përfshin mbi të gjitha përgjimin nëpërmjet një rrjeti të gjerë informatorësh.

Përveç historisë së Shtëpisë dhe funksioneve të Seksionit Teknik dhe Shkencor, muzeu do të përshkruajë fakte dhe dimensione të tjera në lidhje me kontrollin e Policisë Sekrete. Një nga hapësirat e muzeut do t’i dedikohet edhe përgjuesve – mikrofonëve të fshehur. Një hapësirë e dytë do t’i dedikohet “Mikrofonëve të gjallë”, informatorëve. Një hapësirë e tretë do t’i dedikohet paradigmës së “Armikut” (objekti i përgjimit), si një mit dhe imazh paranoiak, si dhe gjithpërfshirjes së tij që e bënte të domosdoshëm gjithpërfshirjen e përgjimit. Një hapësirë e katërt do t’i dedikohet edhe lidhjes midis idesë së armikut të brendshëm dhe armikut të jashtëm, e cila ishte veçanërisht e rëndësishme në Shqipëri për arsye të vetizolimit të saj, dhe do të përshkruajë përgjimin kundrejt të huajve. Një tjetër hapësirë do të tregojë ambjentet e një dhome ndenjeje tipike shqiptare të viteve 70’ me dekorime që do shihen edhe gjatë hapësirave të dedikuara për përgjuesit dhe të përgjuarit. Dhe një hapësirë tjetër do t’i dedikohet laboratorit teknik dhe shkencor të Seksionit që merrej së shumti me zbulimin e fotove dhe filmimet sekrete duke u ndëthurur kështu vizualja (pamorja) me dëgjimoren. Kjo hapësirë do të quhet “Panopticon dhe Panacusticon”. Kjo do të jetë kurora filozofike e idesë qëndrore të muzeut, asaj të kontrollit total. Përveç shfaqjes së objekteve autentike të Shtëpisë, do të përmbajë referenca vizive (pamore) dhe tekstuale të burgut ideal, Panopticon-it, dhe nga këtu tek utopia e botës perfekte, e supozuar si shoqëria socialiste, edhe pse mori formën e një burgu në të gjithë vendin. Do të ketë edhe hapësira të tjera që do t’i shtohen kësaj me qëllim dhënien e idesë qëndrore dhe të gjitha hapësirat do të drejtojnë në drejtim të kësaj ideje qëndrore duke i lidhur ato me imazhe dhe fjalë.

Gjuha e muzeut do të jetë multimediale me një theks të fortë tek autentikja: do të konsistojë në objekte origjinale të përdorura në Shtëpi, në video, në dokumenta arkivorw, në grafikë të dhënash, në tekste shpjeguese dhe sintetike, etj./

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button