Ekonomia

Albpetrolit do t’i rishikohen blloqet e kërkimit

Qeveria ka vendosur të rishikojë blloqet e kërkimit të kompanisë Albpetrol me anë të një p/ligji, i cili ka mbërritur në Kuvend për shqyrtim.

albpetrol2Vendosja palë në Marrëveshjen Hidrokarbure për Kërkim, e shoqërisë Albpetrol, sipas relacionit të p/ligjit, ka rritur në mënyrë faktike hallkat burokratike dhe nuk përputhet edhe me frymën e ligjit “Për hidrokarburet (Kërkimi dhe prodhimi)”, në të cilën parashikohet se “politika e Shqipërisë ka për qëllim të nxisë kërkimin dhe prodhimin e naftës dhe gazit natyror, të sigurojë që zhvillimi i këtyre rezervave të pakthyeshme të bëhet në përputhje me interesat kombëtare, në mënyrë të rregullt, në përputhje me standardet e aplikueshme ndërkombëtare”.

Nisur nga kjo propozohet që të rishikohen e të ndryshojnë listat e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave të prillit të vitit 2012, duke i hequr disa blloqe Albpetrol-it dhe kalimin e tyre në administrim të ministrisë. Pas miratimit të këtij ndryshimi, nga ana e ministrisë do të iniciohet edhe ndryshimi i vendimit të Këshillit të Ministrave, duke përcaktuar konkretisht blloqet që i mbeten Albpetrol-it dhe ato që i kalojnë Ministrisë.

Gjatë vitit 2012, që përkon me periudhën kur u iniciuan procedurat e privatizimit të Albpetrol, sh.a-së, nga ana e qeverisë dhe Kuvendit, u morën disa masa që kishin të bënin me miratimin e disa akteve ligjore e nënligjore, që përfaqësonin një “garanci” për investitorët e mundshëm privatë që do të privatizonin Albpetrol, sh.a.-në. Kështu, me vendim të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së objekteve të operacioneve hidrokarbure, pjesë e marrëveshjes së lidhur më 26.7.1993, ndërmjet Ministrisë së Industrisë, Burimeve Minerare dhe Energjetikës (sot Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës) dhe Albpetrol-it, Bashkësisë Ekonomike të Naftës dhe Gazit (sot shoqëria “Albpetrol”, sh.a)” u miratuan listat A, B dhe C ku përcaktohen vendburimet, në të cilat shoqëria Albpetrol do të ushtronte aktivitetin hidrokarbur.
Me këtë vendim i janë hequr listës “A” të marrëveshjes objektet e kërkimit në vendburimet e rërave bituminoze, duke i lënë këto vendburime në administrim të Albpetrolit vetëm për qëllime të nxjerrjes së naftës bruto dhe gazit. Gjithashtu, në listën “B” të marrëveshjes janë shtuar edhe 3 objekte kërkimi, Blloku i Panajasë, Blloku i Velçës dhe Blloku i Dumresë, si dhe është shtuar në marrëveshje një listë e 1tretë, lista “C” në të cilën përcaktohen Blloku 1, Blloku 4, Blloku 5, Blloku 6, Blloku 7, Blloku 8, Blloku C, si dhe blloqet e lira në det, Blloku 2 (Adriatik 2), Blloku 3 (Adriatik 3), Blloku 4 (Adriatik 4) dhe Blloku Veriu i Rodonit.
Në mënyrë që të garantohej investitori i mundshëm, që të gjitha blloqet e parashikuara në listat A, B dhe C nuk do mund të ndryshoheshin më vonë nga ana e Kuvendit, me ligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin , “Për hidrokarburet (kërkimi dhe prodhimi), të ndryshuar, ndërmjet të tjerave u sanksionua se “Marrëveshja “Albpetrol”, e lidhur më 26 korrik 1993, me të gjitha ndryshimet e saj, të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave, do të qëndrojë në fuqi edhe pas përfundimit të procesit të privatizimit”. Megjithatë, objekt, kërkimet e shtuara në marrëveshje dhe të miratuara përbëjnë gati 2/3 e territorit të Republikës së Shqipërisë dhe një zonë shumë të gjerë kërkimi, me diversitet të madh gjeofizik dhe shoqëria Albpetrol, sh.a, si një shoqëri aksionare me kapital shtetëror nuk i ka kapacitetet teknike të atilla për një shfrytëzim të mirë dhe efikas në fushën e kërkimit dhe vlerësimit. Aktualisht, shoqëria Albpetrol, sh.a., kryen operacione hidrokarbure në ato zona ku nuk veprojnë shoqëritë e treta, dhe edhe pse kjo shoqëri është tërësisht me kapital shtetëror, nuk mund t`i jepen atributet e shtetit duke i dhënë të gjitha zonat e kërkimit dhe zhvillimit të lira të cilat disponon shteti shqiptar.
Për më tepër, që këto “garanci”, që përfaqësohen nga parashikimet e bëra me ligjin “Për hidrokarburet (kërkimi dhe prodhimi), kanë humbur tashmë aktualitetin dhe qëllimin për të cilin janë miratuar, për shkak se procesi i privatizimit të Albpetrol nuk u përmbyll me sukses.
Objektet e kërkimit administrohen nga ministria përgjegjëse, e cila ka në administrim vendburimet e naftës dhe zonat e lira të cilat mund të jenë objekt kërkimi. Edhe në eksperiencat më të mira të vendeve me fusha naftëmbajtëse, janë ministritë përgjegjëse të cilat bashkërendojnë të gjitha asetet dhe studimet gjeofizike dhe gjeologjike me qëllim promovimin e blloqeve të lira që mund të kërkohen nga kompanitë private të cilat shfaqin interes. Kjo praktikë garanton efikasitet në tërheqjen e investitorëve me potenciale të larta në fushën e kërkimit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button