Home / Kryeartikull / 21 janari i kujt ?

21 janari i kujt ?

Nga Sokol Shameti

21-janariPrej katër vjetësh, 21 janari vazhdon të mbetet një moment ndalese në memorien e shumicës prej nesh. Njerëz të popullit u vranë përballë syve të përfaqësuesve partiakë në këtë datë të vitit 2011. Megjithatë ende sot, askush nuk po paguan për këtë tragjedi.

Fatkeqësisht, ky është vetëm çereku i së vërtetës. Treçereku që mbetet është se ndërkohë që nga njëra anë askush nuk po paguan për gjakun e derdhur në bulevard, nga ana tjetër, dikush po përfiton rëndshëm prej tij.

Po të lexosh sot kanakarët partiakë për të cilët boshti i vërtetë i botës është pikërisht partia së cilës i shërbejnë, 21 janari është një hesap i lënë hapur mes dy partive. 21 janari ishte një përplasje partiake, thonë ata. Vetëm duke e stilizuar atë si të tillë, ata mund të vazhdojnë të motivojnë si ekzistencën ashtu dhe sundimin e partisë së tyre punëdhënëse. Në këtë skenar cinik, aktorët kryesorë janë shefat e partive, ndërsa figurantët, statistikat dhe aksesorët – populli i të dy anëve të barrikadës.

Sipas kësaj pikëpamjeje, asgjë nuk ndodh jashtë partive, asnjë mendim nuk formohet përtej tyre, e asnjë revoltë nuk artikulohet pa to. Më 21 janar u godit një parti prej një partie tjetër – është ideja. Kjo ide duhet të lërë të kuptohet sikur antagonizmi social sot shprehet vetëm brenda partive; sikur këto palë antagoniste luftuan më 21 janar; dhe që si në çdo luftë edhe këtu në fund, pati një plaçkë. Kjo plaçkë ishte pushteti, ndarja e të cilit duhet të mbetet pikërisht mes partive, ndërsa ata që vërtet lanë lëkurën në këtë luftë, ashtu të zhveshur tërësisht nga vullneti, të shndërrohen në objekte shkëmbimi pushteti.

Ky këndvështrim, në rastin më të mirë, synon që pësuesin e vërtetë të dhunës së 21 janarit, popullin, ta identifikojë si një shtojcë pasive e vullnetit të liderit partiak. Por ndërsa katër vjet kanë kaluar, a nuk është mirë ta shohim edhe një herë atë që ndodhi më 21 janar në një optikë tjetër që ndoshta mund të na ofrojë një vështrim të ri në ndihmë të arritjes së të vërtetës?

21 janari si histori

Protesta e dhunshme e 21 janarit, apo “demonstrata” siç u pëlqente ta thërrisnin atyre që më shumë vrasin mendjen për tingëllimën e fjalëve sesa për kontentin e tyre, kishte për zanafillë diçka të thjeshtë. Ajo ishte një protestë për bukën. Vendi po vinte pas një dështimi të turpshëm në strategjinë e opozitës që shtirej për e majtë. Gjithë vitet e saj në opozitë, por sidomos vjeshtën e 2010-s, PS ishte munduar të impononte për opinionin publik një kauzë jopolitike.

Bëhej fjalë për një axhendë frikacake dhe hileqare, e cila duke mos ngacmuar thelbin e vërtetë të problemeve të njerëzve, synonte ta kanalizonte pakënaqësinë e tyre te ndonjë anomali burokratike e sistemit. Kështu edhe PS, e shihte qartë se vuajtja e Shqipërisë mbante vulën e nënshtrimit të qeverisë së atëhershme nën vullnetin gllabërues të biznesit, i cili po e shkretonte ekonominë e vendit. Por PS nuk kishte dëshirë të merrej me këtë.

Ndoshta, kjo ka qenë një fazë naiviteti në këtë parti, e cila duke qenë e vetëdijshme për ciklin e pashmangshëm të ndërrimit të roleve në pushtet, nuk donte të bënte të vetat kauza të cilat e dinte se do t’i tradhtonte, pasi nuk i ndiente të sajat. Për këtë arsye, deri në janar të 2011-s, PS vazhdonte të merrej me mandatet e anëtarëve të Këshillit të Qarkut të Fierit, apo me broçkulla të tjera pa vlerë.

Pas video-skandalit të Ilir Metës të publikuar nga “Fiks Fare”, megjithatë, vetë PS u detyrua të pranojë anomalinë e sistemit. Ajo vërtet e thirri demonstratën e 21 janarit, por motivacioni i saj nuk ishte më partiak, problematika nuk ishte më ndarje pushteti në atë apo këtë nivel të pushtetit. PS adoptoi një axhendë politike. Axhendën e bukës së njerëzve të shtypur të këtij vendi.

Për herë të parë, një masë e madhe njerëzish të papërfaqësuar, të varfrit, të vjedhurit, të uriturit, panë t’u flitej në gjuhën që ata kuptonin. Ata u ftuan të protestojnë kundër mjerimit që gjeneron një klasë politike e vënë në dispozicion të klientëve të saj privatë. Njerëzve ju tregua djalli dhe ata ndien nevojën ta godasin atë me gurë.

Protesta e 21 janarit ishte ndoshta e vetmja në historinë e pluralizmit shqiptar ku nuk u mbajt asnjë fjalim. Njerëzit thjesht u mblodhën nga pika të ndryshme të kryeqytetit dhe vërshuan të zemëruar direkt e mbi simbolin e shtypjes së tyre – qeverinë e vënë në shërbim të të pasurve.

Kronikën e ngjarjes pastaj të gjithë e dinë. Ajo që meriton t’i mëshohet këtu është pikërisht rishikimi i motivimit të asaj që ngjau më 21 janar. Gjithçka që duhet të jetë e qartë për ne, pavarësisht përpjekjeve tinëzare të propagandistëve partiakë, është se 21 janari nuk ishte një protestë e politikës së cilës iu bashkua populli. 21 janari ishte një protestë e popullit, së cilës iu bashkua politika.

Nga ajo ditë dhe falë asaj dite, politika ka marrë pushtetin. Populli ka mbetur përsëri aty ku ishte.

21 janari si pronë

Pati njerëz pas sulmit terrorist të 7 janarit në gazetën “Charlie Hebdo” në Paris që u munduan të bëjnë sofizma mbi ngjarjen, duke teorizuar se ata që përfitonin më pak prej saj ishin pikërisht emigrantët e varfër të periferive dhe basifondeve të Europës. Për këtë arsye, aludonin ata, ideatorët e vërtetë të masakrës duheshin kërkuar tek ata që do të përfitonin prej kësaj ngjarjeje.

Përfitim? Në këtë mënyrë, këta teoricienë historish komploti, në të vërtetë nuk po mundoheshin të zhvishnin nga mallkimi masat e gjera të ngujuara në getot e reja të kohëve moderne, të cilët edhe pa këtë mallkim shtesë janë tashmë të fundosur nën nivelin e paragjykimit. Ata gjithashtu nuk po synonin t’u jepnin sado pak mister, qoftë edhe të zi, liderëve barkderra botërorë që u rreshtuan në marshim, a thua se nuk janë vetë pushkatues gazetarësh në forma të tjera.

Jo. Çfarë del si rezultat i një logjike të tillë tregtare, është shndërrimi i akteve politike në një veprim kontabiliteti. Kapitalizimi i tyre. Konceptimi i tyre si një ndarje dividenti. Moslënia e tyre pa indeksim në këtë bursë PËRFITIMI dhe vëmendjeje – pavarësisht se kush del me fitim nga transaksioni.

Një krahëmarrje e tillë llogaritare, qarkullon prej kohësh edhe në lidhje me aktin terrorist të 21 janarit në Tiranë. Kemi të bëjmë këtu me të njëjtin truk dinak. Zhveshjen e 21 janarit nga komponenti idealist dhe inkuadrimin e tij të detyruar brenda një logjike pazari, llogarie dhe pronësimi.

Ky lloj pronësimi i një akti sublim që ka shërbyer si justifikim për marrjen e pushtetit nuk bëhet kot. Vetëm kështu ai mund kthehet në një rrethanë lehtësuese për dikë që përgatitet ta përdorë pushtetin për pronësime të tjera në dobi të vetes. Çshenjtërimi i 21 janarit fatkeqësisht, ka mundësuar sot atë që Alen Badju-ja e quan “valle e së keqes mbi rrënojat e së keqes”.

21 janari si mësim

Më 1784, Imanuel Kant-i elaboroi konceptin e përdorimit Publik të Arsyes. 21 janari ishte një moment i tillë përdorimi publik i arsyes këtu tek ne. Kjo arsye u shpreh përmes manifestimit më direkt, më të hapur dhe më të qartë të distancimit të popullit prej axhendave partiake.

Prej 22 janarit, kjo arsye publike është privatizuar pikërisht prej atyre kundër të cilëve ajo adresohej në mënyrë kaotike, anarkike dhe shkatërrimtare – privatizuesve të publikes dhe ndarësve të përqindjeve të fitimit të saj.

Ky është krimi i dytë që ndonëse nuk u ka marrë jetën pjesëmarrësve në protestë, ashtu si 4 vëllezërve të tyre që sot shpërdorohen dhe përgojohen si mos më keq nga partitë, u ka marrë atyre nderin.

Nëse ka sot një mision qytetar dhe emancipues që mund të kthejë së paku drejtësinë morale për ata që u vranë pabesisht me plumba më datë 21 dhe u grabitën dinakërisht me fjalë pas datës 22, ky mision është identifikimi i së vërtetës së frymëzimit të kësaj ngjarjeje.

Jo vetëm një “revolucion i dështuar” që konfirmohet nga fashizmi i sotëm, siç do të thoshte Benjamini: lëvizja e madhe e 21 janarit ishte një shkëndijë ndriçimi në vetëdijen e një populli të mbajtur në errësirë, sundim, manipulim dhe varfëri të detyrueshme. Si çdo shkëndijë, jetëgjatësia e saj ishte e shkurtër. Megjithatë, përmes ndriçimit të saj, ne pamë atë që ishte e mundur.

Përkundër dëshirës së privatizuesve-varfërues të djeshëm dhe varfëruesve-privatizues të sotshëm – ka diçka që del jashtë pushtetit të tyre. Ka diçka që ata nuk mund ta pronësojnë dot përgjithmonë, e cila qoftë edhe për një moment u del atyre për duarsh dhe shkrep si shkëndijë. Kjo është arsyeja publike. Dhe shkëndija e saj mjafton për t’u vënë zjarrin atyre që pretendojnë pronësi private mbi të.

Leave a Reply

Your email address will not be published.