Home / Arte / Libri / Dhimitër Anagnosti zbulon shkrimtarin

Dhimitër Anagnosti zbulon shkrimtarin

Sot regjisori i njohur prezanton romanin “Koburja nga Europa”

 botimGati 9 vjet nga filmi i tij i fundit “Gjoleka, djali i Abazit”, regjisori i njohur, Dhimitër Anagnosti, befason duke botuar një roman. Siç duket shkrimi ka qenë një pasion i hershëm i Anagnostit për ta shpalosur në këtë kohë të jetës së tij. “Koburja nga Europa”, quhet romani që do të prezantohet sot nga botimet “Naimi”, e pritet të ballafaqojë artistin me një tjetër dimension përballë publikut. Pasionin për shkrimin, Anagnosti e ka treguar në shkrimin e disa skenarëve të filmave të tij. “Përrallë nga e kaluara” një prej filmave të njohur nën regjinë e tij, është shkruar nga vetë Anagnosti në vitin 1987 bazuar në novelën me të njëjtin titull nga Andon Zako Çajupi. Filmi “Plagë të vjetra” është me skenar të tij, i shkruar në vitin 1968. Filmi “Monumenti” i realizuar në vitin 1977 është po me skenar të tij.  Në karrierën e tij si regjisor po të shohësh me kujdes filmat që mbajnë firmën e tij, në një pjesë të mirë të tyre Anagnosti shfaqet edhe si skenarist. Është autor i 15 skenarëve dhe pothuajse në të gjithë filmat e tij skenarin e ka shkruar vetë. Pas lëvrimit të kësaj forme të shkruari, tashmë regjisori vjen për lexuesin me një libër që duhet të jetë i menduar mirë. Anagnosti është një nga emrat më të njohur të kinematografisë shqiptare. Këtë javë ai mbush 79 vjeç. Pas studimeve në Moskë, ai u kthye në Tiranë për t’u shndërruar në një nga njerëzit më të rëndësishëm të filmit shqip. Së bashku me Viktor Gjikën xhiruan si punë diplome filmin “Njeriu kurrë nuk vdes”, një ekranizim i tregimit të Ernest Heminguejt, i cili u vlerësua me Çmimin e Parë në Festivalin Botëror të Shkollave Kinematografike, që u zhvillua në Holandë më 1961. Ai nisi punë në ish-kinostudion “Shqipëria e re” më 1961 me filmin “Debatik” për të vijuar më pas një karrierë të gjatë me filma që e bën kohën e artë të kinemasë shqiptare si “Toka jonë”, “Komisari i dritës”, “Dueli i heshtur”, “Përrallë nga e kaluara”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, “Gjoleka djali i Abazit”, etj. Në karrierën e tij 40-vjeçare ka realizuar 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, ka fituar mjaft çmime në konkurrime të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Për cilësitë e tij të rralla artistike, si dhe për veprat e tij dinjitoze është nderuar me titullin “Artist i Popullit”, 1987 dhe me kupën e karrierës në Festivalin e 10-të Filmit Shqiptar. Viti 1991 e gjen të impenjuar në lëvizjen demokratike për pluralizmin në Shqipëri, motiv për të cilin zgjidhet edhe deputet i PD-së në Kuvendin e Shqipërisë (1991-1996). Në 12 prill 1992 u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, post të cilin e mbajti deri në 4 dhjetor 1994, ku dha dorëheqjen. Anagnosti është ideator dhe kryetar i Fondacionit për Artin dhe Kulturën “Fan Noli”, duke mbështetur intelektualët më aktivë, duke u impenjuar në forcimin e kulturës shqiptare në vend e në botë. Në vitin 2001 shkroi dhe vuri në skenë në TK dramën e vetme “Nata e trokitjeve në xham”. Ndërsa në vitin 2005 korri sukses me filmin e tij më të fundit “Gjoleka, djali i Abazit”, film i nderuar me dy çmime ndërkombëtare në Itali, i konsideruar si një nga filmat më të mirë të bërë këto dy dekada.

Leave a Reply

Your email address will not be published.