Home / Arte / Muzike / Muzikë kundër dhunës

Muzikë kundër dhunës

Sopranoja Ardita Meni, së shpejti në një koncert kundër dhunës

Nga Rudina Hoxha 

ardita meni_1Sopranoja shqiptare, Ardita Meni, do t’i këndojë “Stop dhunës”. Më 3 mars, ajo do të jetë në skenë në kuadër të një aktiviteti, të ideuar nga këshilltari i Kryeministrit për diplomacinë kulturore, z. Fate Velaj, me partnerë kryesorë përfaqësinë e OKB-së në Shqipëri dhe BE-në. “Ky koncert do të prekë temën e dhunës në familje, kryesisht ajo e burrit kundër gruas, megjithëse mund të thuhet se janë shtuar së fundmi edhe rastet e dhunës midis femrave”, thotë sopranoja 27-vjeçare, e cila ka qenë shpesh aktive në aktivitetet kundër dhunës. Meni, e njohur mjaft edhe jashtë Shqipërisë, pritet të japë një koncert në Romë më 15 shkurt, e shoqëruar nga disa përfaqësues të qeverisë shqiptare.

Kush është Ardita? Mund të na bëni një portret tuajin?

Ardita është një vajzë e thjeshtë 27-vjeçare. Në jetën e përditshme bëj pedagogen e kantos në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Jam e angazhuar për të mësuar disa vajza të moshës 15-18 vjeç. Kjo është jeta ime e përditshme. Ndërsa si Ardita soprano shkëputem herë pas here për të bërë atë që do më shumë, këndimin. Jeta ime është shumë intensive. Herë pas here përgatitem për koncerte të ndryshme në Shqipëri dhe jashtë saj.

Mund të na thoni diçka mbi koncertin tuaj të radhës?

Koncerti im i radhës do të jetë në Itali më 15 shkurt 2015 me program muzikor të larmishëm dhe do të performojmë bashkë me dirigjentin Valmir Xoxa. Do të shoqërohem nga disa përfaqësues të qeverisë që i ndjekin koncertet e mia herë pas here.

Si vendosët që të merrnit rrugën e artit?

Mund të them që ishte një zbulim. E kisha pasion të këndoja, por nuk kisha menduar kurrë të zgjidhja këngën si profesion. Im atë nuk besonte se mund të bëhesha një artiste, sepse të jemi realistë, është një sprovë e madhe. Kështu fillimisht, fillova të studioja piano për kulturë dhe më vonë ajo u kthye në një profesion të vërtetë duke studiuar në Liceun Artistik.

Çfarë kujtoni nga koncerti juaj i parë?

Kam interpretuar rolin tim të parë, atë të Klarës në operën “Porgy and Bess” në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit (TOB). Mbaj mend që salla më rrotullohej nga emocionet, pasi ishte interpretimi im i parë në skenën e TOB-it dhe isha vetëm 20 vjeçe, pra ende studente në Akademinë e Arteve. Konkurrova në audicion dhe fitova. Këtu dua të bëj një falënderim të veçantë për maestro Zhani Cikon, i cili më besoi një rol të tillë. Më pas kam luajtur një rol kryesor, atë të Hanës, për të cilën u zgjodha nga një juri e huaj. Nuk e prisja një gjë të tillë. E interpretova këtë rol katër ditë premierë pa asnjë ditë pushim (gjë që është tepër e lodhshme për një këngëtare lirike) dhe isha vetëm 22 vjeçe. Këto kanë qenë rolet e mia të para. Në skenën e huaj kam dhënë koncerte në Itali, Strasburg, Austri etj.

E keni realizuar ëndrrën tuaj? Ndiheni me fat? 

Unë e quaj veten të lumtur, sepse fatin deri në fund nuk e di asnjë njeri. Them se jam e lumtur për njerëzit që më rrethojnë, për miqtë që kam në krah. E rëndësishme është që këta miq t’i kesh pranë në çdo moment. Dhe mua këta miq më kanë ndihmuar. Përveç të performuarit si soprano, m’u dha mundësia të marr pjesë si prezantuese në botën e televizionit në Festivalin “Kënga ime”. Kjo s’është pika ime më e fortë, por është një pikë që më ka bërë më të afërt dhe më të njohur për publikun e gjerë. Përfitoj nga rasti të falënderoj stafin e mrekullueshëm të festivalit të lartpërmendur: si Pandi Laçon (i cili ka qenë bashkëprezantues dhe skenarist përgjatë gjithë festivalit), regjisorin Bledi Laço, si dhe kompozitorin Adrian Hila, të cilët patën besim tek unë.

Me sa di unë, ju do të jeni figura kryesore në një koncert tjetër po kaq të rëndësishëm që do të përcjellë një mesazh me vlerë për Shqipërinë …

Po, është e saktë. Më 3 mars, një koncert tjetër, i titulluar “Tinguj kundër dhunës”, do të zhvillohet në Tiranë. Një koncert i tillë organizohet nga këshilltari i Kryeministrit për diplomacinë kulturore, z. Fate Velaj, në bashkëpunim me partnerë të rëndësishëm, si përfaqësinë e OKB-së në Tiranë / UN Women, konkretisht, zj. Zineb Touimi-Benjelloun, Bashkimin Europian, Bashkinë Fier dhe Fondacionin “Xoxa”. Do të luhen repertorët më të mirë nën drejtimin e orkestrës së TOB-it dhe korit të saj. Ky koncert do të prekë temën e dhunës në familje, kryesisht ajo e burrit kundër gruas, megjithëse mund të thuhet se janë shtuar së fundmi edhe rastet e dhunës midis femrave. Pjesë e koncertit do të jenë edhe fëmijët, të cilët do të japin mesazhin e tyre nëpërmjet këngës “Il Mondo chevorrei” (Bota që unë dua), një këngë që i shpreh të gjitha, sidomos mesazhin kundër dallimeve raciale. Tek e fundit duhet të shohim brenda shpirtit të njeriut për të mos e lënduar tjetrin, sepse sot janë të përhapura më shumë rastet e dhunës verbale, psikologjike e shpirtërore sesa ato fizike. Unë shpresoj që pas këtij koncerti të mund të organizohen aktivitete bamirësie për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë.

Kjo është kauza juaj që e shprehni me anë të të kënduarit?

Kauzat e mia janë të shumta, pasi mendoj që arti duhet të pasqyrojë problematikat e shumta aktuale të individit në shoqëri.

Unë kam marrë pjesë edhe në aktivitete të tjera me mesazh “Stop dhunës”, nën organizimin e aktivistes së shoqërisë civile, zj. Fabiola Laço.

Kush është motoja juaj në jetë?

Motoja ime në jetë është puna. Mendoj se suksesi arrihet me punë dhe vetëm me punë.

Cili është udhërrëfyesi yt në jetë?

Udhërrëfyesi im në jetë është nëna ime. Që nga lindja ime ka qenë veç ajo. I besoj çdo gjë dhe do t’i besoj deri në momentin që ne të dyja do të marrim frymë.

Cilat janë hobet e Arditës?

Unë kam shumë hobe. Për të veçuar disa nga këto: udhëtimet, organizimet e ndryshme të koncerteve, tenisi, basketbolli etj. Edhe këto që bëj, i bëj me pasion dhe dashuri. Verën e shkuar kam qenë shumë aktive me fondacionin “Xoxa”. Organizuam koncertin e xhazit me pjesëmarrjen e artistëve shqiptarë dhe të huaj. Ishte një eksperiencë fantastike plot udhëtime dhe zbavitje. Më pëlqejnë aktivitetet që të ngrenë adrenalinën, nuk më pëlqen të jem e fjetur. Gjithashtu më pëlqen të dëgjoj muzikë. Mund të dëgjoj 2-3 orë në ditë.

Për kë do të doje të këndoje më shumë në këtë botë?

Për çdo bukuri të kësaj bote: dashurisë, shpresës, ëndrrës etj.

Sa e lumtur është Ardita në jetën personale?

Jam shumë e lumtur, sepse kam mirëkuptim, dashuri, tolerancë dhe ndihmesë pa kufi nga shoku im i jetës. Ai më fal shumë dashuri çdo ditë dhe kjo më bën të ndihem femër. Jam e lumtur edhe me miqtë që kam.

Leave a Reply

Your email address will not be published.