Te ndryshme

Remarku dhe Hitleri – ekstremitetet e një epoke

 Kjo është historia e dy të rinjve ushtarë gjermanë, që luftuan në të njëjtën kohë, në të njëjtin front, e madje edhe në të njëjtat llogore dhe e njohën njëri-tjetrin kur u bënë të famshëm. Të dy e përjetuan luftën si një tmerr. Por, kur “Lufta e Madhe” përfundoi, njëri prej tyre u bë shkrimtari më i madh pacifist i shekullit, kurse tjetri do mbahet mend si krimineli më i madh i shekullit

erich-maria-remarqueNë një vepër të botuar nga Rob Ruggenberg me titull “Trashëgimia e Luftës së Madhe” përshkruhen në formë ditari disa pasazhe të luftimeve e skenave të Luftës së Parë në frontin perëndimor të ushtrisë gjermane, në të cilat hasim shpesh të ndërthurura edhe fatet e kujtimet e dy prej protagonistëve të mëdhenj të kohës që do të pasonte: Hitleri e Remarku. Gjermanët po përjetonin momente shumë të vështira. Në natën e 14 korrikut, aleatët arritën të spostonin e shkatërronin linjat gjermane të komunikimit në front. Një predhë angleze arrin të ndërpresë me sukses linjën telefonike fushore të komandës gjermane. Nga ai moment, gjermanët duhej t’i dërgonin mesazhet e tyre me anë të korrierëve. Këta “ushtarë-postierë” vraponin nga një vend-luftim në tjetrin: “Në sytë e shumicës ata ishin të njohur si njerëz që i dilnin vdekjes përpara dhe që bëheshin objektiva të goditjeve armike çdo metër që përshkonin”.

Këto ishin kujtimet e 27-vjeçarit gjerman me emrin Adolf, që i shkruante ato kohë më vonë të përmbledhura në një letër. Çdo ditë, ky i ri gjerman kalonte ndanë llogoreve të armikut. Kur papritur u dëgjua një thirrje e fortë që paralajmëroi shpërthimin e një predhe. Një shok bie pikërisht në rrugën që e çonte atë drejt frontit. Një tjetër bie i plagosur për vdekje. Adolfi e varros shokun e vrarë dhe më pas tërheq të plagosurin pas një bunkeri aty pranë. I dhuron atij medaljonin e vet: jo të parin, pasi ai mban tashmë një Kryq të Hekurt të Klasit të Dytë për “kurajë personale”. Sido që të thuhet e të mendohet për Adolf Hitlerin, ai nuk ishte kurrsesi një frikacak. Të gjithë ushtarët, të cilët kryen shërbimin së bashku me të në të njëjtat transhe të betejës në Somme, e më pas në Flandrë (Belgjikë), kanë dëshmuar për këtë fakt.

Mrekullia 

Adolfi kishte shumë pak shokë në frontin perëndimor. Kjo nuk ndodhte vetëm për shkak të karakterit të tij të veçantë e të pakëndshëm. Thuajse të gjithë shokët e tij vdiqën në aksionet e luftës, ndërsa Adolfi arriti t’u shpëtonte mrekullisht të gjitha tentativave të vdekjes për ta marrë me vete. Pas luftës, ai i tha G. Ward Price, një gazetari anglez, se si një herë, ai po hante drekën në llogore së bashku me shokët e tij. “Papritur, një zë i brendshëm më

tha: ‘Ngrihu tani e lëviz prej këtej’. Ishte aq i qartë e aq këmbëngulës, saqë iu binda, sikur të ishte një urdhër ushtarak. U ngrita menjëherë më këmbë e nisa të ecja, derisa përshkova 20 hapa përtej transhesë, duke mbajtur gavetën me vete. Më pas u ula të haja, e mendja nuk po më gjente qetësi. Një granatë kishte rrafshuar grupin në të cilin unë isha duke ngrënë më parë drekën dhe çdo anëtar i njësisë sime kishte mbetur i vrarë aty”. Nga të gjithë shokët e tij, në fund mbeti vetëm një qen i vogël me emrin Fuchsl, (në shqip: dhelpra e vogël). Qeni kishte ecur më pas në vijat e frontit gjerman, e Adolfi e kishte mbajtur atë me vete, ndërsa ndodheshin tashmë në territorin asnjanës.

Që nga ai moment, Fuchsl nuk e braktisi kurrë Adolfin. “Unë mund t’i jem dukur atij siç mund t’i ngjajë edhe një qenieje njerëzore”, shkruante ai. Kur haja drekë, ai më ulej aty pranë dhe unë e përkëdhelja: “Jam i çmendur pas tij”. Në tetor 1916, Adolfi duket se gati sa nuk po braktisej nga fati. Masakra në Somme po vazhdon. Aleatët vazhdojnë të sulmojnë. Në tre muaj, ata kanë humbur 600.000 vetë, për shkak se linjat gjermane po rezistonin. Në natën duke u gdhirë 7 tetori, Hitleri fle në një tunel të ri që të çon për te selia qendrore e regjimentit. Nga një bunker britanik del zjarr që godet edhe Adolfin në këmbë. “Sa keq më shkoi puna tani? Por më duhet të iki, apo jo?”, pyet ai me ankth rreshterin e vet. Por, pas një fashe të vënë në këmbën e ushtarit të plagosur, rreshteri urdhëron që Hitleri të dërgohet menjëherë në spital.

Remarku hyn në skenë 

Tashmë, karakteri i dytë i kësaj historie vjen e hyn ngadalë në skenë. Në të njëjtën kohë që Adolfi na zhduket nga sytë për rreth pesë muaj rresht në një spital ushtarak të Berlinit, një i ri gjerman

regjistrohet në ushtri. Emri i tij është Erich Paul Remark. Remark është i biri i një librashitësi të varfër dhe në vitet që do të pasonin, ai do ta kalonte udhën që përshkoi Adolf disa herë. Dhe ai do të bëhej më pas edhe një shkrimtar i madh, duke mbajtur si emër artistik, mbiemrin e stërgjyshit të tij në versionin origjinal – një emër që ai do të pëlqente ta mbante, pasi Lufta e Madhe tashmë kishte marrë fund: Remarque.

Erih e dashuronte muzikën dhe fillimisht dëshironte të bëhej kompozitor. Ai regjistrohet në ushtri. Nuk na rezulton në realitet të ketë shkuar vullnetar, ashtu siç paraqitet personazhi i tij tek “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit”. Dhe as ai e as shokët e klasës së tij nuk duket se janë ndërsyer ta bënin këtë nga një mësues adhurues i flaktë i luftës patriotike. Ai nuk është as 17 vjeç asokohe, siç do

të thoshte më pas në intervista, por saktësisht 19 vjeç. Dhe atij nuk i vjen keq për vendimin që kishte marrë më pas, përkundrazi, ai është entuziast, ndihet një gjerman i vërtetë e patriot. “Ne po shkonim të shpëtonim botën”, u thotë ai shokëve të vet. Në barakat “Caprivi” pranë vendlindjes së tij në Osnabrück, ushtria e mëson atë se si të qëllojë e të përdorë pushkën e bajonetën. Në pranverë të 1917-s, tashmë djemtë janë pjekur e bërë gati për të shkuar në front, por atyre u duhet të presin deri në qershor.

Më 1 mars 1917, Hitleri urdhërohet të shkojë sërish në front, pasi e kishte marrë veten nga plaga në këmbë, e kthehet pikërisht në frontin e Somme. Të dyja palët ndërluftuese janë aq të rraskapitura nga luftimet, saqë tashmë ishte arritur një marrëveshje e pashkruar armëpushimi. Sërish, Adolfi vrapon me letra e urdhra të koduar nëpër transhetë e armikut. Më 9 mars, ai mori një dekoratë të re për “Trimëri të Rrallë”. Por grada e tij vazhdon të jetë ajo e “Gefreiter”-it; diçka mes togerit e rreshterit. Sipas rreshterit të tij, Wiedemann, “Adolf është një ushtar i bindur, por atij i mungonin aftësitë e liderit. Hitleri shpesh dukej i pavëmendshëm, mbante kokën pakëz të nxjerrë jashtë, të pambrojtur, e këpucët rrallë i shkëlqenin.

Ai nuk lëvizte qerpikun kur para syve i kalonte ndonjë oficer. Të dukej te të tjerët, e të bënte skena për të rritur reputacionin, tek ai as që mund të vihej re”.

Në Ypres

Qershor 1917. Regjimenti i Hitlerit lëviz 50 kilometra në drejtim të veriut, drejt Belgjikës, pranë Ypres. Gjermanët kishin marrë fjalë se aleatët po përgatiteshin për një ofensivë të re atje. Kjo është dhe arsyeja se pse regjimenti i tyre, i furnizuar me të rinj të freskët si ushtari Erich Paul Remark, u dërgua në atë rajon. Adolfi dhe Erihu nuk e njihnin njëri-tjetrin deri më atëherë, por ata e kryen shërbimin pranë njëri-tjetrit. Janë vetëm pak milje ato që ndajnë regjimentin e 15 të Remarkut nga Divizioni 2 Rezervë i Gardës, i Regjimentit të 16 të Divizionit të 10 bavarez. Më 17 qershor, Remark përballet me frontin për herë të parë. Ai është një fillestar.

Në mbrëmje, atij i duhet të shtrijë telat me gjemba në vijën e frontit asnjanës, një detyrë e rrezikshme. Shumë shpejt, shoku i tij Christian Kranzbühler goditet nga një predhë që vinte nga një bunker

armik. I gjendur në shiun e goditjeve britanike, Remark e tërheq shokun zvarrë deri në linjat gjermane. Christian duhet të heqë njërën këmbë. Në veprën e tij “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit”, ai i jep emrin atij Franz Kemmerich dhe e lë më pas personazhin e tij të vdesë në spital (ku pas kësaj këmbalet e bukura të Kemmerich i kalojnë një ushtari tjetër në grupin e tyre). Në realitet, Christian mbetet gjallë dhe do t’i hapte Erich (Remarkut) shumë probleme më pas. Çfarëdolloj entuziazmi që kishte mbizotëruar në fillim për luftën, u la pas në këtë moment e pikërisht në frontin e Ypres. Erich sheh të bjerë në tokë nga një goditje edhe një shok tjetër. “Unë pashë se si ai tërhiqej zvarrë në baltë, me barkun të çarë. Një pamje e tillë është e paimagjinueshme. Dhe gjithashtu e pakuptueshme është edhe se do të duheshin kaq shumë vite para se terrori i plotë të shfaqej para jush”, do të thoshte ai më vonë. Në fakt, shumë më vonë, tek “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit” (që u botua më 1929) dhe në pothuajse të gjithë librat e tjerë të Remarkut, ku ai shkruan për Luftën, ka skena me ushtarë apo kafshë me zorrë që dalin përjashta.

Tmerret e luftës

Kjo betejë e tretë e Ypres, e njohur më së miri si beteja e Passchendale, në të cilën Remarku e Hitleri luftuan të dy, bëhet një horror i vërtetë me skena të urryera në përshkrimet e tyre me shpërthime gazi, tanke dhe një shi që binte pa pushim. Pas disa qindra ditësh luftime në baltën e Flandrës, aleatët kishin avancuar tashmë

tetë kilometra. Qindra mijë vetë nga të dyja palët u vranë apo u plagosën aty. Beteja nisi në ditën e fundit të korrikut, ku aleatët sulmuan me çdo gjë që kishin në dispozicion. Adolfi nxiton për te linjat gjermane. Ai mban letra me urdhrat e eprorëve, e vrapon pa iu dridhur qerpiku. Sërish ai duket të jetë i pafat. Një ushtar i thotë: “Hej burrë, ti nuk paske asnjë plumb me vete”. Kompania e Remarkut lufton pranë Totenmuhle, shumë pranë fshatit të St. Julien dhe përpiqet të pastrojë rrugën drejt Zonnebeke. Remark goditet më pas nga një predhë e britanikëve. Njëra ndër ciflat e saj kap pikërisht parakrahun e tij të djathtë, ky ishte fundi i karrierës së tij në muzikë.

Një copëz e dytë predhe e qëllon atë në këmbë, shumë pranë gjurit. Por më seriozja është e treta. Ajo që e godet Remarkun në qafë. Remark e sheh veten pas ca ditëve në spitalin ushtarak të St. Vincentius në Duisburg të Gjermanisë. Ndërsa kalon 14 muaj në një konvaleshencë,

mjekët kalojnë momente të vështira duke i hequr atij copëzat e granateve e predhave armike. Ndërkohë, lufta po mbaronte e ai qëndron pranë Osnabrykut, në një resort malor derisa përmirësohet.

“Hitleri s’qeshte kurrë”

Një ndër shokët e Hitlerit më vonë do të thoshte për të se ai në këtë kohë do të bëhej gjithnjë e më pak i këndshëm, gjithnjë më pak i qeshur: “Ai ishte gjithmonë serioz në vdekje. Nuk qeshte kurrë, s’bënte kurrë shaka”. Kur një ushtar tjetër u ankua një herë për luftën, Adolfi nisi të fliste për patriotizmin dhe përgjegjësitë e ushtarit. “Ne të gjithë e shamë atë më pas. Ishte një njeri i bezdisshëm”, do të thoshte më pas një nga shokët që morën pjesë në atë debat. Në gusht 1917, regjimenti i Adolfit u la më në fund i lirë nga barra e madhe. Ata duhej të shkonin me tren në Alsasë. Në stacionin e trenit, një nëpunës i hekurudhave i ofroi Hitlerit 200 marka për qenin e tij, pasi u mrekullua nga veprimet e zgjuara të qenit (Fuchsl). “Edhe sikur të më jepje 200.000 marka, unë nuk do ta shisja”, iu përgjigj atij Hitleri. Por kur trupat arritën në destinacionin e tyre dhe e lanë trenin, Fuchsl nuk gjendej më. “Isha i dëshpëruar. Maskarai që ma vodhi qenin, nuk e di se çfarë më shkaktoi”, do të shkruante më vonë Hitleri në kujtimet e tij.

Sërish në Belgjikë

Në tetor të vitit 1918, kur në Osnabryk, ushtari tashmë i shëruar, Erich Remark përgatitet të rikthehet në front në Belgjikë, Adolf Hitler është sërish aty. Ndërkohë, pas një sulmi të britanikëve me

armë kimike, shumë ushtarë gjermanë vdesin e disa të tjerë verbohen. Midis atyre që arritën të shpëtojnë, por që mbetën gjysmë të verbuar, ishte dhe Adolf Hitler, 29 vjeç, ende me gradën e “Gefreiter”-it. Për të tashmë lufta kishte mbaruar. Ai dërgohet në Gjermani në klinikën Pasewalk. Më 10 nëntor 1918, një pastor i ri vjen drejt e në spital dhe bën të ditur lajmin: “Kajzeri është larguar dhe shtëpia e Hollenzollern-ëve (Familja Perandorake) ka rënë, atdheu tashmë është një Republikë. Gjeneralët kanë bërë thirrje për armëpushim. Lufta

ka mbaruar”.

Përktheu dhe përgatiti për botim: Armand Plaka

REMARK, KTHIMI DHE UNIFORMAEdhe për Erich Remark, lufta tashmë kishte mbaruar. Një javë pasi ai ishte shpallur i aftë për të shkuar sërish në front, lufta mbaron. Dhe pastaj ndodh diçka e veçantë. Kur ushtari Remark kthehet në shtëpinë e tij te prindërit, në Osnabryk, ai papritur mban veshur një uniformë rreshteri. Në gjoksin e tij ai mban varur Kryqin e Hekurt të Klasit të parë e të Dytë. Del nëpër qytet me këtë uniformë e nis të vizitojë shokët e tij. Njëri prej tyre është edhe Christian Kranzbühle – ushtari që ai dikur e kishte shpëtuar e që kishte mbetur me një këmbë –i cili e spiunon në policinë ushtarake. E akuzon Remarkun se mbante veshur një uniformë të një grade më të lartë e që gjithashtu mbante dekorata të rreme. Remark arrestohet, por ia del të lirohet nga burgu sepse Gjermania tashmë ishte në një kaos të vërtetë të pasluftës. Në një stacion policie ai nënshkruan një deklaratë, ku ai pranon se nuk i lejohet të mbajë veshur më uniformë oficeri. Megjithatë, ai e mban Kryqin e Hekurt sepse, sipas tij, ai i ishte dhënë nga Këshilli i Ushtarëve.

 

Miti i Remarkut

Legjenda e gabuar e emrit Kraemer

Ekziston një konfuzion rreth çështjes së emrit të Remarkut. A ishte Remark apo Kraemer? Këto janë faktet: Erich Paul Remark lindi më 22 qershor 1898 në Osnabryk, i biri i një librashitësi me emrin Peter Franz Remark dhe i Anna Maria Stallknecht. Gjyshi i tij, Peter Aloys Remark, ishte i biri i Johann Adam Remarque, i lindur në Aachen, më 28 tetor 1789. Miti që rrethoi emrin e Remarkut ishte ai i “Kraemer”-it, i cili mesa duket erdhi nga vetë nazistët, të cilët, të mërzitur tashmë nga fakti se një gjerman të mund të shkruante një libër si “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit”, u përpoqën ta paraqisnin Remarkun si një hebre, emri i vërtetë i të cilit ishte Kraemer dhe që s’kishte qenë kurrë në luftë. Fatkeqësisht, kur Remarku vdiq në 1970, dhjetëra shkrime përkujtimore i janë kushtuar legjendës së tij, duke u dhënë më shumë pas emrit Kraemer.

REMARK, HITLERI DHE LIBRAT

Në vitin 1929, Erich Maria Remark publikon “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit”, ku ai fut në roman përvojat e tij personale. Është një libër antiluftë, i një lloji të panjohur më parë. Shitet në 50 milionë kopje e përkthehet në 50 gjuhë. Adolf Hitler gjithashtu shkruan një libër në këtë kohë, ku ai tregon eksperiencat e tij të luftës: “Mein Kampf” quhet libri dhe kushdo që mund t’i lexojë dy librat në të njëjtën kohë, nuk i bie ndër mend se ata shkruajnë për të njëjtën luftë e shpesh për të njëjtat skena, të njëjtat transhe, të njëjtin territor të askujt, të njëjtët ushtarë, të njëjtat vuajtje dhe vdekjen. Ndërsa Remark akuzon e mallkon Kaizerin, gjeneralët, luftënxitësit në shtëpi, Hitleri ka gjetur një kauzë tjetër: çifutët. Në vitin 1933, kur Hitleri vjen në pushtet, ai çel gjuetinë e shtrigave ndaj Remarkut. Në sytë e Hitlerit, ish-shoku i tij i armëve kishte tradhtuar atdheun. Remark shkon në Amerikë. Ai kishte shkruar tashmë disa vepra dhe ishte bërë më produktiv. Në SHBA ai bëhet një hero i lëvizjes për paqe – dhe Hollivudi nuk mungon ta bëjë film veprën e tij. Fillon të ketë një histori dashurie me Marlene Dietrich e Greta Garbon, si dhe me Paulette Goddard. Tashmë, me gjithë problemet që po vuante në Gjermani e motra e tij Elfride, Remarku në Amerikë është bërë i famshëm e nuk mund ta prekë askush.

Thënie nga Remark

Ti mund të kthehesh në kriminel a shenjtor dhe asnjëri s’e vë re, por në të mungoftë ndonjë kopsë, këtë e vënë re të gjithë. Kjo është çudia dhe lezeti ynë

Të gjitha dashuritë kërkojnë të jenë të përjetshme dhe pikërisht këtu e kanë burimin mundimi dhe vuajtjet e tyre pa fund

Ëndërrojmë sepse pa ëndrrat nuk do të mund ta duronim të vërtetën. Njeriu nuk gënjehet vetëm nga ëndrrat. Njeriu gënjehet edhe me të vërtetën. Kjo është një ëndërr edhe më e rrezikshme

Ka më shumë prostituta mes atyre vajzave që s’kanë shkuar asnjëherë me një mashkull, sesa ato që janë të detyruara të jetojnë me këtë profesion të vështirë

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button