Home / Arte / Libri / Nano: Duhet të shmangim fanatizmin fetar

Nano: Duhet të shmangim fanatizmin fetar

“Toleranca fetare, mit apo realitet” mbledh në Bibliotekën e Prishtinës, intelektualë dhe përfaqësues të besimeve fetare në një debat publik mbi librin “Pax Albanica” me autor Mustafa Nanon, botuar nga shtëpia botuese “Saras“

Por, a përfaqësonte kjo shfaqje realitetin e vërtetë në vendin tonë, atë të tolerancës fetare, apo kjo tolerancë nuk është në të tilla përmasa siç thuhet? A është ajo çfarë ne e mburrim me forcë si një nga thesaret më të vyera të identitetit tonë, toleranca fetare një realitet, apo thjesht një mit? Ka pasur zëra kritikë këto kohë që e kanë bërë shpesh këtë pyetje. Por, në fakt, realiteti i përditshëm i yni, e pasqyron butësisht tolerancën fetare. Ky realitet nuk ndryshon shumë as në Kosovë. Një nga botimet që i jep më së miri përgjigje kësaj pyetjeje nëse toleranca fetare është mit apo realitet, është studimi i autorit Mustafa Nano, mbi raportin historik të shqiptarëve me fenë. “Pax Albanica” botim i shtëpisë botuese “Saras”, të çon natyrshëm drejt kësaj përgjigjeje që pranohet nga të gjithë, pasi ke kaluar një tablo të gjatë historike mbi marrëdhënien e shqiptarëve me fenë ndër vite. Që në shkrimet e para mbi këto raporte, ndihet qartë se feja nuk ka qenë një shqetësim për shqiptarët. Dje, libri ka zgjuar debate në Kosovë. Në Bibliotekën Kombëtare të Prishtinës, intelektualë dhe përfaqësues të komuniteteve fetare iu bashkuan një diskutimi publik me temë “Toleranca fetare – mit apo realitet”, duke u nisur nga libri i Nanos, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, në vigjilje të përgatitjeve të Panairit të Librit “Prishtina 2015”, panairi i shtatëmbëdhjetë me radhë. Ishte Daut Demaku, kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës ai që hapi diskutimin. “Nuk i dua shumë promovimet kur shndërrohen në reklama, kam shumë dëshirë që promovimet t’i kryejnë dy funksione. Funksionin e informatës, që të dërgojnë te lexuesi informatën se një libër është botuar, dhe e dyta që është shumë e theksuar si mungesë te ne, është promovimi i cilësisë në debate. Ne në SHBK kemi hartuar një skicë që t’i kemi disa krijues dhe prej krijuesve të mirë do të fillojmë me analistin njohur Mustafo Nanon dhe të vazhdojmë me Blendin dhe të tjerët”, tha Demaku, duke e quajtur librin e Nanos, si një libër të debateve, për vetë cilësinë që mbart. Vetë publicisti Nano, duke folur për tezat që mbron në libër, e quajti harmoninë fetare si një vlerë të kombit të tij. “Respekt maksimal për besimin dhe besimtarët, por ka pasur njerëz që e kanë dhënë jetën për kombin dhe gjuhën. Përveç amanetit nga profetët, ne na vjen edhe amaneti që besoni në Zot, por bëjeni në mënyrë të tillë, që besimi të na ndihmojë në forcimin e fibrës nacionale. Ky është qëndrimi im personal dhe një pjesë nuk bie dakord. Kur kombi është krijuar në bashkëjetesë midis feve, sikur ne t’i rrekemi fesë e të dëmtojmë identitetin nacional do t’u hynim në hak dëshmorëve të kombit. Kombi duam ne apo jo është një fakt që ekziston. Bota është e përbërë nga kombet dhe një nga ta është edhe ai shqiptar. Bashkëjetesa midis feve është thesari ynë”, tha Nano, duke mbështetur fort idenë e kombit. Sipas tij, nuk teprohet kur thuhet se ka tolerancë fetare mes shqiptarëve. “Fanatikët janë intolerantë, sepse e bëjnë me faj tjetrin që nuk është si ata. Ne duhet të shmangim fanatizmin”, u shpreh Nano. Mesazhi i “Pax Albanica” është që kombi është i pari, e feja vjen e dyta…Duke dashur t’i japë ngjyra humori ilustrimit të idesë që përçon në libër, Nano u shpreh se “parafytyroja mbrëmë sikur Jezu Krishti dhe profeti Muhamed kishin vizituar Shqipërinë dhe vendosën të rrinë në Tiranë. Hynë në librari dhe panë shumë njerëz që po blinin libra dhe vendosën dhe ata të merrnin një libër, ju bëri përshtypje libri im. Profetët sigurisht që lexuan shumë shpejt”. Për drejtorin e botimeve “Saras”, botimi i “Pax Albanica” është një kontribut në fushën e botimeve historike. “Kur autori propozoi bashkëpunimin për librin, unë isha skeptik. Thash ‘na lërë rehat me gjithë këto fe, se kush e di ç’do na ndodhë’. Por, ritheksoj, duke marrë pjesë në diskutimin e sotëm ndihem shumë mirë që ky libër prodhoi këtë diskutim”, u shpreh Besnik Myftari, drejtor i shtëpisë botuese “Saras”. Të pranishëm në debat ishin dhe këshilltari i Myftiut të Kosovës, Resul Rexhepi, dhe Don Lush Gjergji nga Ipeshkvia e Kosovës. Nga pikëpamja e besimtarit, përfaqësuesi i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Lush Gjergji, heq dilemat mbi atë se cila vjen e para.
“Autori ka të drejtë të jetë ateist, agnostik, i krishterë, mysliman apo çfarëdo. Është e drejta e tij. E rëndësishme është që të theksohet se besimi i mirëfilltë kurrë nuk e ka cunguar dhe penguar kombëtaren, përkundrazi. Vëllazëria jonë shqiptare apo gjithëshqiptare ka dy nivele apo dy rrafshe, jemi vëllezër sepse jemi shqiptarë”, u shpreh Don Lush Gjergji. Sipas tij, “në momente të caktuara kur ishte në rrezik kombëtarja, të gjithë pa dallim të krishterë apo myslimanë kanë dhënë kontributin e tyre për atë se çka ne sot jemi”. “Prandaj të dimë të çmojmë bashkimin në dallime, sepse bashkim tjetër nuk ka. Ka diktaturë që e dimë se shkatërron gjithçka”, tha Don Lush Gjergji. I pranishëm në debat, shkrimtari dhe botuesi Abdullaj Zeneli e quajti publicistin Mustafa Nano një penë, e cila përçon dhe krijon ide mbi këndvështrimin e botës. “Për të përmbyllur fillin e debatit do të ndalesha pak te toleranca fetare. Të gjithë e dimë që para 25 viteve aksionin e faljes së gjaqeve që e ka realizuar Anton Çeta, ku 98% e myslimanëve ju bindeshin Antonit për faljen e gjaqeve. Doajeni i letërsisë shqipe është Anton Pashku, asnjëri nuk e konstaton atë që është i një feje tjetër. Dhe së fundi kur marr pjesë në panaire të ndryshme nëpër botë, më pyesin se çfarë do të thotë ‘Buzuku’, unë them se emrin e kam Abdullah Gjon Buzuku, që ka qenë prift katolik shqiptar”, u shpreh Zeneli. Ajo çfarë doli në pah në një diskutim që zgjati mbi 120 minuta, plot energji nga të pranishmit, ishte fakti që në mesin e shqiptarëve ekziston një model: bashkëjetesa dhe bashkëpunimi me njëri-tjetrin pavarësisht dallimeve fetare. Një ide të cilën Nano e thekson fort në libër.

Leave a Reply

Your email address will not be published.