Home / Politika / Nishani: Nuk mund të bëhet në funksion të militantizmit partiak

Nishani: Nuk mund të bëhet në funksion të militantizmit partiak

Reforma në drejtësi ka mbledhur krerët më të lartë të shtetit, përfaqësues të institucioneve europiane dhe shoqërinë civile në një tryezë të përbashkët.

Presidenti i Republikes se Shqiperise Bujar Nishani

Presidenti i Republikes se Shqiperise Bujar Nishani

Presidenti i Komisionit të Venecias Gianni Buquicchio deklaroi nga kjo tryezë se “nëse të gjitha të gjitha partitë bashkohen mbi parimet e ndershmërisë, efektet e dekriminalizimit do të ndjehen menjëherë”. Ai i bëri thirrje maxhorancës të mos shfrytëzojë pozitat e saj, ndërsa kërkoi ekuilibrim të të drejtave të shumicës dhe pakicës. Gjithashtu kreu i shtetit, Bujar Nishani kërkoi një reformë korrekte në drejtësi, jo në funksion të militantizmave partiakë dhe jo për përqendrimin e pushteteve në një dorë të vetme.

“Demokracia, nuk lejon sundimin shumicës. Shumica të mos shfrytëzojë pozitat e saj. Duhet të ketë ekuilibrim të të drejtave të shumicës dhe pakicës. Ndërsa opozita duhet të ushtrohet në mënyrë konstruktive, pasi bllokimi i Parlamentit është mosfunksionim i opozitës. Partitë të zgjedhin kandidatë pa probleme. Dekriminalizimi do të ketë efekt nëse kjo gjë do të funksionojë”, tha Buquicchio.

Ndërsa Presidenti i Republikës, Bujar Nishani e vlerësoi sërish reformën në drejtësi si prioritet madhor. Duke falënderuar Komisionin e Venecias dhe Këshillin e Europës për asistencën, Nishani tha se fondamenti mbi të cilin ngrihet një shtet është drejtësia.

“Si presidenti i Republikës falënderoj Komisionin e Venecias, KiE-n për mbështetjen dhe asistimin deri të Kushtetutës por edhe të një sërë akteve të tjera, të kodeve etj. Askush nuk ka dyshim se fondamenti, baza mbi të cilën ngrihet një shtet është drejtësia. Asnjë mekanizëm tjetër nuk garanton ngritjen e institucioneve funksionale pa patur një bazë që garanton funksionimin normal, si shteti i së drejtës. Kemi një debat të madh publik për reformën në drejtësi. Nuk besoj se ka individ apo institucion që nuk e vlerëson nevojën e reformës në drejtësi. Shoqëria shqiptare nuk ka rrugë tjetër përveçse të ecë në reformën në drejtësi. Mbetet prioritet reforma në sistemin e drejtësisë, pasi garantohen mundësitë reale për përmbushjen e reformave të tjera”, tha Nishani.

Ai vlerësoi se reforma në drejtësi ka nevojë jo vetëm për dëshirë por edhe për vullnet, ndërsa tha se shoqëria shqiptare i ka kapacitetit për ta kryer këtë reformë. “Besoj që ekzistenca dhe vënia në lëvizje e vullnetit është një sfidë e madhe që gjeneron tek mentaliteti i individit, i shoqërisë, i institucioneve. Jam nga ata njerëz që besoj se shoqëria shqiptare ka kapacitetet për të kryer reformën në drejtësi. Praktikat më të mira që duhet ti kemi si orientim dhe si angazhim s’ka nevojë ti kërkojmë thellë në arkivat e librarive të ndryshme pasi i kemi afër falë partnerëve tanë, BE-së.

Rruga por të ecur drejt angazhimeve dhe piketave që Europa i ka plotësisht të konsoliduara është mundshme. Kemi nevojë për të elaboruar disa parime të tjera”, u shpreh kreu i shtetit.

Nishani ka tërhequr vëmendjen e faktorëve për realizimin e një reforme në sistemin e drejtësisë korrekte, që garanton një të ardhme më të mirë të Shqipërisë, pasi e kundërta sipas tij do të sillte fatalitete për vendin. Ai tha se reforma nuk mund të bëhet në funksion të militantizmit partiak apo për të përqendruar të gjitha pushtetet në një dorë të vetme.

“Realizimi i një reforme korrekte në drejtësi do të garantojë një të ardhme të Shqipërisë dhe e kundërta do të jetë një fatalitet për Shqipërinë. Reforma në drejtësi nuk mund të bëhet në funksion të militantizmit partiak, por për ta shkëputur militantizmin partiak nga drejtësia. Reforma në drejtësi nuk duhet të bëhet për të mbrojtur individët e korruptuar. Reforma në drejtësi nuk mund të bëhet për të përqendruar të gjitha pushtetet në një dorë të vetme”, ka theksuar Presidenti i Republikës.

Ai kërkoi më tej që të dëgjohen të gjitha palët dhe të identifikohen hapat konkretë. “Besoj që zëri i secilit prej institucioneve dhe kapaciteteve intelektuale që kemi në Shqipëri, zëri i shoqërisë civile, i partnerëve tanë, duhet të jetë në vokacionin e duhur. Besoj që nuk është e vështirë për të identifikuar hapat konkretë, kemi një kulturë politike, legjislative prej 20 vitesh me eksperienca negative dhe pozitive për historinë. Por na ka mësuar se përfshirja dhe jo përjashtimi janë elementët e nevojshëm të këtij kontributi”, tha Nishani.

Përveç reformimit të Gjyqësorit, Nishani tha se është i nevojshëm reformimi i organit të akuzës, duke kërkuar një platformë të gjerë. “Reforma nuk duhet bërë për të krijuar kufizime të kurajës së gjyqtarëve, por për ta konsoliduar maksimalisht lirinë profesionale të aktorëve të drejtpërdrejtë të drejtësisë. Sigurisht Gjyqësori padyshim kërkon reforma të thella, dimensionale, por s’do të isha i qetë edhe pa një reformim të sistemit të akuzës. Kërkoj një platformë të gjerë. Shqipëria s’ka alternativë tjetër përveç asaj të integrimit në BE, dhe kjo alternativë kërkon reforma. S’ka integrim pa bërë reforma. Gjithkush bie dakord në kontekstin profesional se drejtësia funksionon në mënyrë kapilare por jo nga poshtë lart”, tha kreu i Shtetit.

Ai nënvizoi nevojën e konsolidimit të Gjykatës së Lartë dhe tha se ka ardhur koha për tu fokusuar në çështje reale. “Duhet të arrijmë të konsolidojmë një Gjykatë të Lartë tërësisht funksionale, me integritet. Ka ardhur koha të fokusohemi tek çështje reale dhe të vërteta të reformës në drejtësi.

Leave a Reply

%d bloggers like this: