Opinion

Replikë mikeshës sime të shtrenjtë për mjekët, pacientët, testimin etj etj!

Nga Erjona Shehu, mjeke dermatologe në QSUT*

erjonashehuX e ke shumë gabim! Njeriu të keqen e kujton me lehtësi, të mirën e zeron në çast. Po të ishin mjekët si i përshkruani ju dhe në kushtet në të cilat punojnë, në Shqipëri do të ishte bërë nami. E di ti që në urgjencën e Pediatrisë, pediatrit shohin 375 raste në ditë? Ata janë heronj e dashur X dhe jo ordinerë sikurse po çahen duke folur njerëzia. Po pse unë nuk kam dështuar me pacientë? Natyrisht që po. Kam pasur raste që nuk u kam dhënë dot zgjidhje. E çfarë do të thotë kjo që jam mjeke e paaftë? Të ishte kaq e lehtë mjekësia (ah sikur)… E di ti se si punojnë kolegët tanë në Perëndim? Mbante hapur kompjuterin e spitalit specializantja e dermatologjisë në Gra, në menu ishin hapur të gjitha ikonat, duke nisur nga regjistri elektronik kombëtar i pacientit, vazhdohej me ikonën që selektonte të dhënat anamnestikë dhe nxirrte diagnozën diferenciale, vijonte me ikonën e ekzaminimeve që duhej të bënte me ikonën e trajtimeve dhe mbyllej me një ikonë fjalori mjekësor. Vajza specialiste bënte vetëm 5 vizita në ditë dhe ikte të pinte çaj që të rehidrohej e të hante sallatë te mensa e spitalit, që për hir të së vërtetës, kishte menu me 5 yje. E zëvendësonte specializantja tjetër për të bërë edhe ajo vetëm 5 vizita. Ndërsa unë (e theksaj, jam me fat dhe kam specialitet luksi krahasuar me kolegët e mi) bëj edhe 30 vizita në ditë deri në orën 15:30. Kjo ishte puna e tyre: bënin shkencë, e dashur. Vetëm denjonin të vinin kur kishin ndonjë rast të vështirë.

Në nentor kisha një specializim në Dyseldorf. Nuk po të them se si u ndjeva, se ka të ngjare të nisesh të qash edhe ti me mua.

Por medalja ka dhe një anë tjetër: e di ti se çfarë do të të dëgjonin veshët po të nisnim e të flisnim ne mjekët e paaftë, ne kriminelët që duhet të “na priten këmbët me llamarinë, por jo të pastër, por të ndryshkur që të vdesim dalëngadalë”. Ne i mjekojmë edhe këta maniakë perversë që shohin thriller gjithë ditën e zbrazën në media sociale gjithë problemet e tyre që e kanë zanafillën në fëmijëri të trazuara, rrallëherë njerëzore. Askujt nuk i mohohet shërbimi, edhe pse gjenitalet u mbajnë era shperc dhe era vesh gjithë dhomën me të njëjtin intensitet si në dimër, edhe në verë; askujt nuk i mohohet shërbimi edhe kur flenë në kazane plehrash e vijnë të mjekohen. Unë kam parë fëmijë 40-ditësh që u qenë ngjitur sqetullat dhe u kullonin qelb se prindërit i kane lidhur në djep e i kanë lënë pa larë. Dhe i kam pastruar me këto duar në dasht me dit ti, e dashur, e me po ato duar që kanë prekur mjerimin fizik njerëzor, kam shkuar e kam përkëdhelur fëmijët e mi në darkë, kam parë familje me morra në kokë e i kam trajtuar pa asnjë hezitim. Nuk kam nxjerrë jashtë dere asnjë pacient me zgjebe, me frikën se po më ngjitet e po ua çoj kalamajve në shtëpi. Jo! Kam bërë detyrën dhe i kam trajtuar.

Rastet që ne referojmë nëpër kongrese nëpër botë janë ndër me ekstremet dhe gjithmone i kanë lënë kolegët tanë me gojë hapur! Po aq gojëhapur kanë ngelur kur kanë parë se si punojmë ne. E përsëris: jam në një ndër specialitetet që në mjeëksi mund të quhen luksoze. Po sikur të rrëfej historitë e miqve te mi?

Askush nuk flet për këto, por rrinë e merren me testimin. Testimi, e dashur, nuk ngjall frikë në radhët e doktorëve, ngjall zemëratë! Është trajta e ndryshme e asaj që ka ndodhur në vite: nuk jam në gjendje të zgjidh shëndetësinë, por e kam formulën magjike: po ia hedh fajin doktorit. Këtë radhë u zgjodh mjeti i gabuar. Ne jemi përdorur shumë keq dhe të jeni të bindur që me këtë keqpërdorim që i është bërë figurës së mjekut, është krijuar një hendek i tmerrshëm mes mjekut dhe pacientit: pacientët na keqgjykojnë e na paragjykojnë, por për ta jemi bërë “një e keqe e domosdoshme”. Por, nga ana tjetër, po na humb përditë dëshira e pasioni për këtë profesion.

Si do të vejë ky muhabet? Nuk e di? Vazhdoj të pyes veten: Gjithkush do që mjeku të jetojë me 47000 lekë rroge, të jetë i buzëqeshur me pacientin, të jetë i ditur, i zoti, i mirëformuar, të specializohet pa fund dhe të dijë të rejat më të fundit të shkencës, të gjitha me shpenzimet e veta, të jetë shërbëtor i pacientit dhe më pas: të gjithë shqiptarët duan t’i bëjnë fëmijët mjekë; kaq popull mazokist qenkemi?! Çfarë hipokrizie!

Gjithsesi, unë e kam ndarë mendjen: fëmijët e mi nuk do të kenë asnjë lidhje me mjekësinë! Kjo është ajo që u them përditë. Nuk kanë 30 jetë dhe punë e madhe se po e hedhin poshtë një e u ngelën 29 të tjera.

Dhe diçka të fundit: komentet e mjekëve këto ditë është tentuar të përdoren politikisht! Ne kemi mbërritur në këtë pikë falë politikës, sidomos asaj të pushtetarëve të djeshëm e opozitarëve të sotëm.

Përdorimi i reagimeve tona për politikë nuk heq votat nga një krah e t’i çojë në krahun tjetër. Shëndetësia nuk bëhet me një vit e dy, është një betejë e vështirë por që nuk mund të finalizohet nga gjeneralë që luftojnë kundër ushtarëve të tyre!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button