Te ndryshme

E vërteta e planeve bërthamore të Putinit

Duke u bazuar në pjesë të një leksioni të hapur të një profesori të famshëm amerikan, platforma e mirënjohur “Huffington Post”, përpiqet të komentojë disa sjellje apo hapa të politikës së Kremlinit në lidhje me marrëdhëniet me Perëndimin, duke zbërthyer tendenca që hasen ndërkaq në radhët e disa politikanëve dhe ish-politikanëve europianë për të justifikuar veprimet e Moskës 

PUTINPas zhvillimeve të fundit në Ukrainë dhe shuarjes së shpresave për armëpushim e paqe afatgjatë mes rebelëve filo-rusë e forcave qeveritare të Kievit, në një analizë të shkurtër, por shumë domethënëse, platforma e mirënjohur “Huffington Post”, përpiqet të komentojë disa sjellje apo hapa të politikës së Kremlinit në lidhje me marrëdhëniet me Perëndimin.

Duke u bazuar në pjesë të një leksioni të hapur të një profesori të famshëm amerikan, ajo kritikon jo vetëm qëndrimet ruse, por edhe tendencat që hasen ndërkaq në radhët e disa politikanëve dhe ish-politikanëve europianë për të justifikuar veprimet e Kremlinit dhe mohimin e realiteteve aktuale, duke rënë sipas saj, në grackën e propagandës së Putinit.

Më poshtë artikulli i plotë:

Çfarë fshihet në të vërtetë pas planeve bërthamore të Putinit? Në Baltik, avionët bombardues rusë janë raportuar të kenë fluturuar sërish mbi objektiva imagjinarë. Me një shpejtësi rrufeje, ata vërtiten pranë kufijve për të marrë sërish kthesën e u riaktivizuar në aksione.

Provokacioni i fundit duket se i ka tmerruar aleatët e vegjël balltikas të NATO-s, të cilët kanë hyrë tashmë në rrezen “e planeve nukleare” të Moskës.

A mos është Putini një budalla që luan me luftën bërthamore? Një i çmendur që ecën me një bombë në dorë që do ta zhdukë mbarë Europën dhe Perëndimin?

Një sqarim personal për sjelljen e Putinit ka dhënë ndërkaq historiani i famshëm amerikan, Timothy Snyder. Në një leksion, akademiku i Universitetit të Yale-it, e krahason komunikimin e qeverisë ruse me atë të “marketingut klasik politik”.

Teza e tij: për çdo ide politike duhet të ketë një treg. Pra nuk e vret kush mendjen nëse pasojat e tij do të jenë të rënda, të çmendura apo të qortueshme moralisht. Kryesorja është se ka dikë në anën tjetër që, e thënë në mënyrë vulgare, këtë ide e quan realiste.

Si shembull ai sjell krizën në Ukrainë. Qeveria ruse në kuadër të krizës së Ukrainës ka ngritur pretendimin për opinionin botëror, se në këtë konflikt bëhet fjalë për një përplasje gjeostrategjike mes Rusisë e Perëndimit.

Në Perëndim sidoqoftë ka pasur mjaft njerëz, të cilët për shkak të dështimeve të tyre politike në luftën kundër terrorizmit, do të ishin të ndjeshëm ndaj një pohimi të tillë dhe të kishin shumë dëshirë, që t’ia ngarkonin fajin për aksionet në vijim, më shumë Amerikës sesa Rusisë.

Nën këtë dritë mendimi, duhet parë edhe fati i Ukrainës. Nisur si një lëvizje protestash kundër një presidenti të korruptuar, brenda javësh u çel kësisoj një faqe e re e konflikteve Lindje-Perëndim. Ukraina vetë, këtu luante akoma vetëm një rol si paradhomë apo oborr i pasmë i aleancave të menduara “të superfuqishme”.

Një dëshmi për drejtësinë e kësaj teze ishte dhe thirrja e artikuluar para pak kohësh në Europë : “Sërish luftë në Europë? Jo nën emrin tonë!”, e cila e mohonte ekzistencën e konfliktit që po konsumohet tashmë prej një viti në Ukrainën Lindore dhe që e akuzonte politikën zyrtare të Perëndimit si luftënxitëse. Dhe sipas profesor Snyder, ka disa politikanë e ish-politikanë në Europë që kanë rënë tërësisht në këtë grackë propagandistike ruse.

Nga të njëjtat motive për shembull edhe në mediat ruse ka nisur të dëgjohet gjithnjë e më shumë refreni për një luftë të re atomare. Është një lojë e stisur hollë që luan me frikën e të adresuarve të saj në Perëndim. Dhe ka akoma shumë njerëz në Gjermani, Francë e kudo gjetkë, që do të donin ta luanin këtë lojë.

Marrë nga “Huffington Post”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button