Te ndryshme

Zbulohet një tatu e re te “njeriu i borës”

Parahistori – Studiuesit në Itali kanë njoftuar gjatë kësaj jave, se kanë zbuluar një tatu të re të çuditshme në kafazin e kraharorit të mumies 5300-vjeçare, të njohur tashmë si “Ötzi the Iceman”

Gjetja e çon në 61 numrin e tatuve të njohura të Ötzi-t dhe shihet prej tyre tashmë si një surprizë e madhe.

“Ne nuk kemi pritur të gjejmë një tatu në toraks, pasi të gjitha tatutë e tjera gjenden kryesisht ngjitur me pjesën e sipërme të gjymtyrëve dhe në këmbë”, tha dr. Albert Zink, drejtor i Institutit të Mumieve dhe njeriut të borës në Bolzano dhe njëri nga shkencëtarët që qëndron pas zbulimit me email për “The Huffington Post”.

Ötzi u zbulua në fakt në vitin 1991, nga një çift alpinistësh gjermanë në alpet e pllajës së Ötz-it në Italinë veriore, pranë kufirit me Austrinë. Qysh prej asaj kohe, studiuesit kanë kryer shumë studime mbi mumien e ruajtur mirë nga koha. Përveç se kanë gjetur rezultate në tatutë e gjetura, ata kanë vënë re se “njeriu i borës” ka qenë rreth moshës 45-vjeçare në kohën kur ka vdekur dhe se ai vuante nga një sëmundje zemre, ato të rrugëve të frymëmarrjes, kalbëzimi i dhëmbëve dhe dhembje të shumta me origjina të ndryshme.

Për kërkimin e ri, Zink dhe kolegët e tij përdorën një teknikë joinvazive fotografike për të studiuar fytyrën e Ötzi-t nga kënde të ndryshme dhe në gjatësi valësh të shumëfishta.

Analiza zbuloi se tatutë e reja ishin të fshehura në shtresa të thella të fytyrës në ngjyrë të errët të Ötzi-t.

Tatuja konsiston në katër linja paralele në masat 20 deri në 25 milimetra, raportonte së fundmi “RedOrbit”. Kërkuesit shkencorë besojnë se shenjat në trup ishin bërë nga prerjet në të cilat më pas ishte fërkuar fort qymyr druri.

Ngaqë shumë nga tatutë e “njeriut të borës” korrespondojnë me pikat klasike të akupunkturës, shkencëtarët më parë mendonin se ato ishin aplikuar atje si pjesë e një trajtimi për të kuruar plagët. Por tatutë e reja vendosin dyshime mbi këtë teori, qëkurse ajo nuk është konstatuar pranë një djegieje, sipas Zink – megjithëse mund të ketë qenë përdorur pjesërisht për të kuruar dhembjet e kraharorit.

Cilido që të ketë qenë qëllimi, tatuja sjell një ndjenjë lidhjeje për Zinkun dhe bashkëpunëtorët e tij.

“Për ne ishte e rëndësishme që më në fund të kishim (pas më shumë se 20 vjetësh) numrin ekzakt dhe vendndodhjen e të gjitha tatuve”, thotë Zink në email-in e tij shpjegues. “Kjo punë tashmë mund të përdoret për studime të tjera që do të fokusohen në arsyen se përse ishin bërë tatutë.”

Kur zbulohej “njeriu i borës”

Italianët dhe austriakët debatuan për origjinën e Ötzi-t

E enjte 19 shtator 1991, ora 13:30, vendndodhja: alpet Venoste, lartësia 3210 m. Në një ditë me diell, Erika dhe Helmut Simon, dy turistë nga Nurembergu i Gjermanisë, kishin organizuar një ekskursion në kuotën e alpeve Venoste. Në fund të majës së Tisës morën një rrugë për të prerë shkurt. Në të ata vunë re një pjesë të mbushur pak me ujë dhe në ujë diçka të errët. Në fillim menduan për mbeturina, por kur arritën më pranë, u trembën se kishin gjetur trupin e një njeriu. Në akull ose më mirë në pjesën me ujë, dukeshin qartë shpina dhe pjesët e krahëve të një njeriu. Ishte përmbys me gjoks të mbështetur në një gur dhe me fytyrë në ujë. Para se të largoheshin, i bënë një foto për të dokumentuar gjetjen, duke menduar se kishin gjetur ndonjë alpinist që kishte humbur jetën vite më parë. Por përtej zbulimit, një çështje tjetër do të merrte vëmendjen e mediave të kohës që donin të sajonin kështu pa dashje një “incident” ndërshtetëror. Vetëm pak kohë pas gjetjes së trupit të mumifikuar u përhapën zëra se mumia u gjend në territorin italian e jo në atë austriak. Traktati i St. Germain-en-Laye, nënshkruar në vitin 1919 ndërmjet Republikës Austriake, Fuqive të Boshtit dhe atyre fituese nga Lufta e Parë Botërore, e ndante kufirin mes tyre në Alto Adige dhe në Inn, por në zonën e Tisës, kishte shumë borë, çka bëri të mundur pengesën për përcaktimin përfundimtar të kufirit. Sidoqoftë, në vitin 1991, kjo u qartësua dhe më 2 tetor 1991, autoritetet qendrore ranë dakord se vendi i gjetjes ishte fiks 92,56 metra brenda kufirit italian. Në ditët e sotme, në vendin ku u gjet mumia, ndodhet një piramidë guri e gjatë katër metra, që u kujton turistëve e alpinistëve mbi prezencën e dikurshme të Ötz-it.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button