Arte

Arkitektura e së ardhmes, pa prishur të shkuarën

Jonida Turani / Kuratorja e pavijonit shqiptar në Pavijonin e Bienales së Arkitekturës në Venecia, tregon konceptin mbi të cilin u bënë bashkë dy emra të njohur të artit shqiptar, si Adrian Paci dhe Edi Hila. Si mund të ruhet territori në kushtet e ndërtimeve pa kritere

Nga Alda Bardhyli

veneciaEdi Hila është artisti i parë shqiptar që jo thjesht pikturon ndërtesat dhe vilat periferike, por vë arkitekturën bashkëkohore shqiptare në qendër të kërkimit të tij artistik si shprehje e një identiteti të ndërlikuar, të shumëfishtë dhe të paparashikuar që ka lindur bashkë me periudhën e tranzicionit. Këto ditë, në galerinë AA, në një prej shkollave më me ndikim në zhvillimet e arkitekturës bashkëkohore, vizitorët janë ndalur gjatë për të parë përtej “shtresave” që ai prezanton. Ngjyrat e ngrohta dhe shpesh të trishta si vetë përmbajtja e veprës, shoqërojnë tablotë, të cilat duket sikur të çojnë në një kënd të Tiranës. Tek artisti bëhen bashkë dy histori, ajo e një arti të krijuar para viteve ’90, ku vërtetësia e artit të mirë i solli jo pak pasoja, dhe liria që erdhi pas ’90-s, të bën të mendosh. Edi Hila shfaqet i njëjti në dimensionin e një njeriu që ka ruajtur të njëjtën shtresë lëkure dhe të njëjtin ritëm zemre brenda saj. Adrian Paci, një artist i dekadës së fundit, e çon artin e ri shqiptar në një standard bashkëkohor. Video-instalacioni i tij, Kolona, sjell debate mbi rolin që do të ketë në të nesërmen kjo shoqëri e prirur çdo ditë drejt konsumit. Jonida Turani, kuratorja punës së dy artistëve në pavijonin shqiptar në edicionin e 14 të Bienales së Venecias, dhe tashmë në Galerinë AA në Londër, flet më poshtë mbi këto dy evente të rëndësishme për skenën e artit në vend dhe debatet mbi arkitekturën. Gjetja e një ekuilibri midis ndërhyrjeve radikale, si refuzimi i së kaluarës, shembjet dhe ruajtjet, transformimit të ndërtesave ekzistuese; nga ana tjetër, të parit me sy kritik të prirjes për të adaptuar transformime që kanë ndodhur jashtë Shqipërisë dhe nëse është e vendit të përsëriten të njëjtat situata urbane në një kontekst kaq të ndërlikuar dhe unik si ai shqiptar, është i rëndësishëm sipas saj. Pasi arti, në të gjitha format, kërkon përsosjen e shoqërisë apo territorit.

Një javë më parë, ju prezantuat në Londër ekspozitën e dy artistëve të njohur shqiptarë, siç janë Edi Hila dhe Adrian Paci. Ishte një zhvendosje në fakt e pavijonit shqiptar të Venecias në një prej shkollave më të njohura të arkitekturës … Bashkë me ekspozitën, a pati një zhvendosje të konceptit artistik?

Në Londër, prezantuam për herë të dytë ekspozitën “Monumente potenciale të së ardhmes së parealizuar” në Galerinë AA (Architectural Association), një prej shkollave me ndikimin më të madh në zhvillimet e arkitekturës bashkëkohore.

Koncepti kuratorial mbetet i njëjtë, por këtë radhë zhvendoset në një kontekst historik dhe artistik krejt ndryshe nga ai venecian. Krahas promovimit të mëtejshëm të pavijonit shqiptar, synim mbetet edhe nxitja më tej e debatit që mund të lindi bashkë me ekspozitën mbi arkitekturën bashkëkohore në Shqipëri.

Si ishte të bëje bashkë punët e dy artistëve që duket sikur përfaqësojnë dy kohë të ndryshme, megjithatë janë kohë që takohen … Hila atë të pikturës para dhe pas viteve ’90 dhe Paci një artist kontrovers, gjithnjë provokues ndaj temave sociale apo politike …

Në këtë ekspozitë ne nisemi prej konceptit të potencialitetit në arkitekturë, si një cilësi që karakterizon territorin shqiptar, aftësia për të qenë gjithnjë në transformim e në tension të vazhdueshëm. Punët e artistëve, edhe pse të ndryshme, lidhen ngushtë me temën e përgjithshme të Bienales, Absorbimi i Modernitetit dhe ilustrojnë nocionin e potencialitetit, si një model për dinamikën arkitektonike. Videoja e kolonës e Adrian Pacit është një tregim artistik i temave universale, si koha e prodhimit, identiteti, globalizimi etj., por, nga ana tjetër, kolona e shtrirë është simbol i gjendjes së potencialitetit. Kolona, pasi realizohet në bordin e anijes-fabrikë, nuk qëndron e ngritur, por horizontale në një gjendje të vazhdueshme tensioni dhe potence.

Seria e pikturave “Penthouse” e Edi Hilës pas elementeve formale e arkitektonike fsheh përjetimin e realitetit të vështirë të tranzicionit shqiptar dhe se si është përvetësuar arkitektura bashkëkohore në Shqipëri. Nga ana tjetër, Hila, duke i ngritur vilat periferike mbi themele monolitike, i shndërron ato në ndërtesa imagjinare me tipare monumentale. Duke ndryshuar pikëvështrimin, të njëjtat ndërtesa tjetërsohen. Ky mund të jetë një model se si mund të veprohet në transformimin e territorit, jo vetëm duke ndërtuar, por edhe duke ndryshuar perspektivën në mënyrën se si konsiderohet arkitektura e trashëguar dhe ajo bashkëkohore.

Të dyja veprat, edhe pse të ndryshme në dukje, kanë një ndjeshmëri të përbashkët, duke ndryshuar marrëdhënien midis objektit me kontekstin (vilat imagjinare të Edi Hilës) dhe midis objektit e funksionit (kolona, element themelor arkitektonik, qëndron horizontale) dhe të bëra bashkë japin një drejtim të qartë për një model dhe mënyrë të re të konceptimit të arkitekturës dhe urbanistikës.

Si kuratore, si do t’i shihje shtesat e Hilës, në morinë e “shtesave” estetike të Venecias?

Edi Hila është artisti i parë shqiptar që jo thjesht pikturon ndërtesat dhe vilat periferike, por vë arkitekturën bashkëkohore shqiptare në qendër të kërkimit të tij artistik si shprehje e një identiteti të ndërlikuar, të shumëfishtë dhe të paparashikuar që ka lindur bashkë me periudhën e tranzicionit. Kjo seri pikturash shkon përtej anës estetike e lidhet me psikologjinë e individëve që banojnë në këto ndërtesa e që shpeshherë janë vetë projektuesit … Prandaj, sikundër shtesat e Hilës janë të lidhura shumë ngushtë me realitetin shqiptar, do të më dukeshin pavend në morinë e shtesave dhe altanave të Venecias.

Po video-instalacioni i kolonës çfarë provokoi për ju?

Me videon e kolonës u njohëm ndërsa ishte e ekspozuar në PAC Milano afërsisht para një viti. Kolona e ekspozuar horizontalisht shoqëron videon, e cila rrëfen transformimin e një blloku mermeri në kolonë klasike e gdhendur në bordin e një anijeje-fabrikë prej disa punëtorëve kinezë gjatë transportit nga Kina drejt Europës. Përmes videos, dalin në pah një sërë temash aktuale, si ajo e dinamikës së punës, kohës së prodhimit, e cila koincidon me kohën e transportit, transformimi në element kulturor i një elementi natyror, marrëdhënia midis Lindjes dhe Perëndimit, autenticiteti kulturor dhe temat më të lidhura me ekspozitën, si metafora e absorbimit të modernitetit dhe potencialiteti (kolona pasi realizohet qëndron horizontale, në potencë dhe në gjendje tensioni të vazhdueshme).

E ndiqni skenën e artit bashkëkohor në Tiranë?

Dinamikat sociale e urbane mendoj se reflektohen më së miri edhe në skenën artistike në Shqipëri dhe në krijimin e veprave të artit. Vlerësoj punën e një grupi artistësh dhe kuratorësh në organizimin e eventeve artistike në mjedise – kushte alternative dhe tendencën në ruajtjen e një hapësire të lirë e të pavarur krijuese, që në thelb qëndron kritikë ndaj idesë së standardizimit, institucioneve, tregut të artit etj. Për artistët emergjentë, situata artistike spontane si këto të fundit, të paparashikuara ose të organizuara në pak kohë, mund të jenë padashur një anë pozitive e mungesës së strukturimit të skenës artistike në Shqipëri.

Si arkitekte, i keni ndjekur debatet që bëhen shpesh në Tiranë mbi mënyrën e ndërtimeve, sesi ato kanë ndërhyrë në strukturën e qytetit?

Kam ndjekur shpesh diskutime se si duhen trajtuar ndërtesat e shumta informale si rrjedhojë e urbanizimit të pakontrolluar ndër vite, nëse territori duhet të vijojë të zhvillohet dhe cilat kritere duhen respektuar për transformimin e mëtejshëm urban në Shqipëri. Mendoj se është e rëndësishme të arrihet një ekuilibër midis ndërhyrjeve radikale si refuzimi i së kaluarës, shembjet dhe ruajtjes, transformimit të ndërtesave ekzistuese; nga ana tjetër, të parit me sy kritik të prirjes për të adaptuar transformime që kanë ndodhur jashtë Shqipërisë dhe nëse është e vendit të përsëriten të njëjtat situata urbane në një kontekst kaq të ndërlikuar dhe unik si ai shqiptar. Pyetja që shtrojmë bashkë me ekspozitën është se si mund ta përballojmë situatën aktuale kaotike të territorit, duke e transformuar atë në një aspekt cilësor të territorit shqiptar. Në këtë rast, koncepti i potencialitetit përfaqëson të bukurën përmes ruajtjes së vitalitetit dhe papritshmërisë. Si mund të bëhet relevant koncepti i potencialit në diskursin arkitektonik? Potencialiteti kuptohet në këtë kontekst jo vetëm si një fazë përgatitore për zhvillimin dhe shndërrimin në akt, por si një vlerë që duhet ruajtur, e cila nuk humbet, por mbetet nën tension. Në këtë mënyrë, artistët sugjerojnë një horizont të ri për të vepruar në arkitekturë. Ajo çka mund të duket si një disavantazh, shndërrohet në një mundësi. Si mund të ruajmë një tension në objektet e ndërtuara që, megjithëse të përfunduara, të mbartin potencial për t’u imagjinuar, riinterpretohet në një mënyrë të papritur

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button